
Pak orë pasi Paris Saint Germain bëri tentativën e radhës për të bindur talentin Adnan Januzaj të transferohet në Francë duke i premtuar miliona Euro, Manchester United vendos veton duke theksuar se, nuk ka asnjë mundësi që lojtari të largohet, citon Supersport.
Klubi parizien ka gati 40 milionë Paund për shoqërinë britanike, dhe një pagë prej 100 mijë Paund në javë për lojtarin, por “Djajtë e kuq” po u bëjnë ballë tentativave të njëpasnjëshme të trajnerit Laurent Blanc, i cili e dëshiron me çdo kusht në “Parc de Princes”, mesfushorin me origjinë shqiptare.
Sipas një burimi pranë klubit anglez, trajneri Moyes ka plane të mëdha për lojtarin, rreth të cilit planifikon të ndërtojë skuadrën e së ardhmes, prandaj nuk dëshiron në asnjë mënyrë që Januzaj të largohet, edhe nëse ofertat mund të duken të parezistueshme në pamje të parë.
18-vjeçari e rinovoi kontratën me Manchester United, nga e cila përfiton 30 mijë Paund në javë, plot 70 mijë më pak se oferta e sheikut Al Khelaifi, prandaj ky mund të rezultojë një problem serioz në projektet e Moyes për ta bindur djaloshin të qëndrojë në Angli.
Gjithsesi, këto janë vetëm zëra mediatikë në mes të një sezoni ku asgjë nuk mund të thuhet me siguri, sepse Paris Saint German ka treguar se mund të bëjë edhe çmenduri për të afruar në grup lojtarët më të mirë të kontinentit, siç ishte rasti i Edinson Cavanit për të cilin derdhi plot 62 milionë Euro në arkën e Napolit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





