
Tiranë, 7 shkurt 2014, NOA.al- Gjatë mbledhjes së parë të komisionit parlamentar për reformën administrativo-territoriale, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, apeloi opozitën që të bëhet pjesë e tij në funksion të transparencës së procesit.
Ai kujtoi se në këtë komision palët kanë të drejta të barabarta pavarësisht përfaqësisë së tyre në Kuvend, ku në komision 8 anëtarë janë të mazhorancës dhe 8 të opozitës, ndërsa opozita dhe mazhoranca kanë nga një bashkëkryetar.
Në fjalën e tij ai e cilësoi reformën si një domosdoshmëri të jashtëzakonshme, duke shtuar se kësaj reforme i ka kaluar koha, pasi ndarja e fundit administrativo-territoriale është bërë në vitin 1992, ndërsa shtoi se lëvizja demografike në këto dy dekada ka qenë e jashtëzakonshme.
“Ndërsa ka një fragmentim të jashtëzakonshëm në bashki dhe komuna, çka ka çuar në dështimin e më shumë se gjysmës së këtyre njësive vendore, për të mos folur për mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe keqmenaxhimin e shumë resurseve materiale. Nënvizoj vullnetin e plotë të mazhorancës për ta bërë këtë reformë së bashku me opozitën e cila është shprehur në të kaluarën për realizmin e kësaj reforme, edhe pse nuk i ka pasur vota për këtë gjë. Mazhoranca e sotme edhe pse i ka votat kërkon me insistim bashkëpunimin e opozitës sepse ka nevojë për mendimin e saj dhe sepse bëhet në shërbim të të gjithëve. Vetëm nga kostoja administrative që kursehet nga kjo reformë buxheti i shtetit do të kursejë së paku 80 milionë dollarë gjatë një mandati administrativ, pa llogaritur politikat më afatgjata”, u shpreh Meta.
Nga ana e tij bashkëkryetari socialist në këtë komision, Bashkim Fino, deklaroi se një pjesë e mirë e komunave aktuale nuk gjenerojnë asnjë të ardhur për buxhetin e shtetit, madje nuk mbledhin as taksat.
Duke nënvizuar rëndësinë e kësaj reforme Fino ftoi opozitën që të ngrihet në rëndësinë e kësaj çështje dhe të dalë nga llogoret e politikës, për të garantuar që gjithëpërfshirja të jetë kusht për një reformë të suksesshme./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





