Transmetuar më 06-02-2014, 19:29

Tiranë, 6 shkurt 2014, NOA.al- Ish-kryeministri Berisha në diskutimin e tij në parlament, “Për ngritjen e komisionit hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë lëvizjeve në Policinë e Shtetit”, u shpreh se, sot është një ditë e veçantë për Parlamentin, ditë në të cilën mazhoranca si aleancë e krimit, i shpall luftë të hapur opozitës dhe popullit opozitar. I shpall luftë të hapur opozitës dhe popullit opozitar sepse shkelmon në këtë sallë, të drejtën më themelore kushtetuese të opozitës, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. “Aleanca e krimit dhe anti-integrimit nuk mundet kurrë të pranojë hetimin e lidhjeve të saj me krimin. Ne, kemi kërkuar komision hetimor parlamentar për të nxjerrë në dritën e diellit gjithçka rëndon mbi jetën tuaj, mbi pronën tuaj, mbi sigurinë tuaj, sigurinë e fëmijëve tuaj dhe të ardhmen tuaj europiane, integrimin tuaj në Evropë. Kjo na mohohet. Ne kemi kërkuar këtë sepse në krye te ekzekutivit shqiptar si në asnjë vend tjetër të Ballkanit dhe Evropës vjen një njeri me lidhjet më të fuqishme, me bandat më të fuqishme të Shqipërisë, rajonit dhe Evropës. Ne e kemi kërkuar këtë sepse kryekreu i socialistëve ishte mik më i ngushtë i bandës së rrugës së Kavajës dhe sëbashku me të ndërtoi Kinema Republikën”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri e akuzoi kryeministrin Rama për lidhjet e tij me bandat, duke u shprehur se, “kryekreu është botërisht i njohur si njeriu që ka ndërtuar qindra mijëra metra katrorë me bandën e Hakmarrjes për Drejtësi. Kryekreu i tyre ekziston në regjistrimet e vendit fqinj i cituar nga Banda e Lushnjes. Kryekreu i tyre është i lidhur si mishi me thoin me bandën e Dritan Dajtit dhe banda të tjera. Deri këtu s;ka asgjë të re. Këto që di unë i di mbarë Europa, s’kam shtuar asgjë të re. Por ka një gjë tjetër. Për çdo qytetar shqiptar, për çdo partnerë tonin është e rëndësishme se cili është qëndrimi i tij ndaj krimit tani që është bërë kryeministër? Cili është konkluzioni i partnerëve tanë këto 4 muaj? Ja u them unë ju këtu zyrtarisht. Janë dy. E para është se Policia e Shtetit nuk ekziston, është shndërruar në ministri. Unë them në Parti Socialiste ne fakt por ata nuk e thonë, thonë ministri. Pra është shuar. Së dyti është se Policia ka marrë në patronazh drogën. Këto të dyja janë konkluzionet, të cilat të dashur qytetarë penalizojnë secilin prej jush, personalisht secilin prej jush si dhe mbyllin dyert e Evropës dhe integrimit. E bëjnë Shqipërinë një vend horror për rajonin dhe Evropën. Pra në këto donim të hetonim”.

Më tej Berisha u shpreh se, opozita dhe çdo qytetarë është i interesuar në shkallën më maksimale në suksesin e Policisë. Por suksesin e policisë e rrënojnë vagabondët. E rrënojnë banditët të emëruar e që shkelmojnë gjithë ditën mbi të.

Duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit Meta, Berisha tha se, “unë isha shumë i sigurt që ju s’mund ta pranoni këtë komision, s’mund të pranoni sepse lidhjet e krimit janë lidhjet më të tmerrshme të kësaj mazhorance, dhe ka frikë të jashtëzakonshme, por ju garantoj se po bëni një gabim shumë të madh, sepse ne do vazhdojmë betejën tonë. Ju i shtypni sot shqiptarët, atyre sa përfaqësojmë ne, të drejtën e hetimit parlamentar, i shtyp një të drejtë kushtetuese, por ne do të bëjmë gjithçka që me qytetarët ta rivendosim këtë të drejtë”. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit