
Tiranë, 6 shkurt 2014, NOA.al- Gjykata e Rrethit Tiranë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të lënë në arrest me burg 4 personat të cilët dyshohen për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Katër të rinj u kapën nga policia pasi grabisnin me dhune pikat e karburanteve. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjahtarët e natës”, policia arrestoi në kushtet e flagrancës shtetasit e mëposhtëm, Rigels Halil Halmusaj, 24 vjeç, banues në Kamëz, Aleksandër Frok Daci, 26 vjeç, banues në Kamëz Tiranë, Kristi Fatmir Koleci, 22 vjeç, banues në Bathore, Bashkim Sali Mellungja, 30 vjeç, banues në Bathore, Ndue Deshaj, 27 vjeç, banues në Bathore dhe Fredi Sali Mellungja, 26 vjeç, banues në Kamëz dhe është shpallur në kërkim policor Gentian Lika.
Policia bëri të ditur se arrestimi i këtyre personave u krye pas një angazhimi maksimal të strukturave të policisë dhe vlerësimin në kohë të informacioneve mbi vendndodhjen e identitetin e tyre. Të 5 shtetasit u kapën përgjatë momenteve të përgatitjes së një vjedhje me dhunë të një pike karburanti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Pogradec.
Në cilësinë e provës materiale, grupit të strukturuar kriminal i janë sekuestruar dy automjete tip “Golf” dhe “Benz”, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.
Sipas policisë të arrestuarit e sipërpërmendur janë autorë të dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda ndër të cilat: vjedhja e një pike karburanti në qytetin e Laçit në nëntor të 2013, vjedhje e një pike karburanti në Ibë të komunës Bërzhitë më janar të 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit, po në janar të 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Burrelit në janar të 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur Qendër-Gramsh, në janar të 2014, vjedhje me dhunë e një pike karburanti në qytetin e Vorës.
Gjithashtu policia po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë të këtij grupi, si dhe për identifikimin e lidhjeve të tjera të mundshme kriminale. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





