Transmetuar më 06-02-2014, 14:42

Fitorja e pastër 3-0 përballë skuadrës kryesuese të La Ligas dhe fitueses në fuqi të Kupës së Mbretit, s’mund të jetë veçse një rezultat i shkëlqyer për Realin e Madridit.

I gëzohet këtij suksesi edhe trajneri Carlo Ancelotti, që gjithsesi kërkon të ruajë euforinë, pasi janë për t’u luajtur edhe 90 minutat e sfidës së kthimit.

“Jam shumë i kënaqur për rezultatin dhe për lojën që zhvilluam ndaj Atleticos, por duhet të kemi kujdes, është luajtur vetëm sfida e parë.

Kundërshtarët tanë do të tentojnë përmbysjen në ndeshjen e kthimit, ndaj duhet të përgatitemi mirë sikurse bëmë në takimin e parë”.

Për lënien jashtë formacionit të Gareth Bale, Ancelotti shpjegoi se do ta aktivizojë titullar në përballjen e fundjavës ndaj Villarel.

“Bale është shumë mirë, nuk e grumbullova ndaj Atleticos si masë paraprake, sepse dua që ai të luajë titullar ndaj Villareal, pasi nuk do të kemi as Crsitiano Ronaldon”.

Duke folur për pezullimin e portugezit, Ancelotti tha se vendimi i Komitetit të Garave për ta denuar 3 ndeshje nuk është normal. “Kjo nuk është normale. E kemi apeluar çështjen dhe do të ishte e drejtë që dënimi të reduktohej”.

Nga ana tjetër, trajneri i Atleticos së Madridit, Diego Simeone pasi përgëzoi Los Blankos për suksesin, tha se humbja e thellë i faturohet edhe fatit, pasi dy gola u shënuan nga devijimi i mbrojtjes.

“Reali luajti shumë mirë dhe duhet përgëzuar për fitoren që arriti. Pësuam dy gola me devijim në një sfidë pa shumë raste të pastra, por janë për t’u luajtur edhe 90 minuta”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit