
Athinë, 6 shkurt 2014, NOA.al- Nën kryesimin e Shqipërisë u zhvillua në Athinë takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës Adriatioko-Joniane.
Në kuadër të presidencës së NAJ-it, Shqipëria synon që axhenda e aktiviteteve të saj të jetë në harmoni me axhendën e BE-së për rajonin tonë e më gjerë.
Siç thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme, vendi ynë ka ndërmarrë konsultime të shumta me Bashkimin Europian dhe aktorë të tjerë rajonalë, me synim kryesor krijimin e një sinergjie midis programit të presidencës së NAJ-it dhe Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian, EUSAIR.
Po ashtu shtohet se në këtë mënyrë, Shqipëria arriti të sigurojë mbështetjen e plotë nga Komisioni Evropian për organizimin e Takimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Adriatikut e Jonit (AIC) njëkohësisht me Konferencën për Strategjinë e Bashkimit Evropian, në datat 6-7 shkurt 2014 në Athinë. Kjo konferencë është një ndër aktivitetet më të mëdha që Komisioni Evropian organizon në semestrin e parë të vitit 2014.
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të NAJ-it u vlerësua gjerësisht si aktiviteti më i rëndësishëm i Nismës Adriatiko-Joniane që nga themelimi i nismës në vitin 2000. Kontributi kryesor i këtij takimi ishte sigurimi i një mbështetjeje të fortë politike nga të gjitha vendet anëtare për Strategjinë e BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR), mbështetje e cila ishte në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Komisionerja për Çështjet Detare dhe Peshkimin, Znj Maria Damanaki, si dhe Komisioneri për Politikat Rajonale, Z.Johannes Hahn.
Shqipëria drejtoi në mënyrë të suksesshme këtë aktivitet shumëpalësh rajonal duke i dhënë vizibilitet të lartë Ministerialit gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit( EUSAIR).
Shqipëria, në përmbushje të angazhimeve të saj në Ministerialin e NAJ-it dhe Konferencën e EUSAIR, realizoi një performancë të suksesshme në nivel rajonal dhe evropian, duke shënuar një ndër arritjet më të spikatura të dy dekadave të fundit, si aktor i respektuar rajonal e evropian, me kontribut të rëndësishëm të dhënë në drejtim të realizimit të hapave konkretë për një ndër aksionet më të rëndësishme të BE-së për këtë periudhë – Strategjinë e BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR)./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





