Transmetuar më 06-02-2014, 14:08

Njëri thumbon e tjetri ia kthen me të njëjtën monedhë. Historia vazhdon të jetë e njëjtë mes Peles dhe Maradonës. Legjenda argjentinase tha pak ditë më parë se braziliani do të mbetet gjithnjë i dyti në futboll, kur krahasohet me të.

Tre herë kampioni i botës, duke pranuar se ndoshta të dy janë bërë të mërzitshëm, iu përgjigj mjaft shkurt këtë herë Diegos, duke thënë se ai flet vazhdimisht për të sepse e dashuron.

Më tej Pele vazhdoi me ato që kishte në axhendë, Botërorin, Olimpiadën e Rios dhe simpatinë e pashuar për Neymar.

“Eshtë djali ynë, një i ri i mrekullueshëm. Kalimi te Barcelona është jo vetëm një eksperiencë e çmuar për Neymar, por diçka e mirë edhe për kombëtaren braziliane”.

Ish ylli i Santosit, në vijim nuk la pa kritikuar të gjithë ata brazilianë që kanë protestuar gjatë përgatitjeve të Botërorit. “Na është dhënë mundësia të ecim përpara dhe të zhvillojmë turizmin, infrastrukturën dhe transportin.

Ndryshe nga realiteti, imazhi që ka përcjellë Brazili është se nuk jemi në gjendje të organizojmë evente gjigante, si Kupa e Botës apo Lojërat Olimpike”.

Një shuplakë Pele ia jep ndërkohë edhe politikanëve brazilianë, të cilët sipas tij kanë dhënë premtime që nuk i kanë mbajtur.

“Janë premtuar shumë gjëra nga autoritetet e vendit tim, por deri tani kemi ende stadiume të papërfunduara dhe vonesa në vepra të tjera.

Ky nuk është vetëm shqetësimi im, por i të gjithëve. Gjithsesi shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe uroj me Brazilin në finale”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit