Transmetuar më 06-02-2014, 13:22

Lëvizje sensacionale lojtarësh në futbollin brazilian. Klubi i Corinthians konfirmoi se ka larguar ish sulmuesin e Milanit, Alexandre Pato, i cili transferohet te rivalët e Sao Paulos dhe në këmbim të tij ka marrë ish mesfushorin e kombëtares braziliane, Jadson.

Pato ishte vendosur nën shënjestër nga tifozët e Corinthians, të cilët jo vetëm e kanë kritikuar ashpër për performancat e tij, por edhe pushtuan qendrën stërvitore të skuadrës javën e kaluar për të protestuar kundër futbollistit.

Pas këtyre ngjarjeve, agjenti i Patos pohoi se sulmuesi nuk ndihej më i sigurtë dhe dëshira e tij e vetme ishte largimi nga ekipi. Tani duket se gjithçka do t’i rikthehet normalitetit me këtë shkëmbim që u leverdis të gjitha palëve, citon Supersport.

Për blerjen e kartonit të tij nga Milani, Corinthians pagoi plot 15 milionë Euro vitin e shkuar, transferim që u konsiderua në atë kohë si një nga më të mëdhatë në futbollin brazilian.

Edhe pse u rikthye në vendin e tij, ashtu si me kuqezinjtë, Pato vuajti në përshtatjen me klubin e ri, duke mos mundur të sigurojë vendin si titullar.

Përsa i përket 30-vjeçarit Jadson, ai ishte pjesë e Selecaos në triumfin në Kupën e Konfederatave vitin e kaluar, por edhe mesfushori, ashtu si Pato, nuk ka arritur t’i kënaqë drejtuesit e Sao Paulos me lojën e tij në takimet e fundit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit