Transmetuar më 06-02-2014, 09:29

Tiranë, 6 shkurt 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të skemës mbështetëse për sektorin e bujqësisë tha se, fondi dedikuar këtij sektori është 1 miliard e 655 milionë lekë, rritje financimi prej afro 70% në raport me skemat e financimit të një viti më parë.

Në vijim ai tha se objektivi kryesor është për të stimuluar bashkëpunimin midis fermerëve, ku për herë të parë është siguruar mbështetja financiare për karburantin e përdorur në serat me ngrohje, duke shtuar se ky do të jetë një element që do të kontribuojë në uljen e kostos së sektorit bujqësor.

Sipas tij skemat mbështetëse janë të orientuara tërësisht nën dritën e bashkëpunimit  me Bashkimin Eeuropian dhe zgjaten në një shumëllojshmëri fushash.

“Dy sfida kryesore kemi në këtë drejtim. E para është që ti përgjigjemi dhe me anë të skemave të mbështetjes, gjendjes së sotme ku e kemi gjetur fshatin, e cila dihet botërisht dhe nuk themi asgjë të re se është shumë e vështirë. Nevoja është e menjëhershme për mbështetje ekonomike, për të eliminuar atë kufi varfërie që dominon fshatin. Sfida e dytë është që ndërsa duhet me patjetër të reagojmë ndaj emergjencës të së tashmes, të përgatitemi siç duhemi për të ardhmen dhe kjo ka të bëjë me parashikimin e nevojave që ka shoqëria, duke mbajtur gjithmonë parasysh edhe ndryshimin e pandalshëm demografik”, u shpreh Rama.

Ai u ndal edhe në rëndësinë e investimeve vendase dhe të huaja në bujqësi, si sfida të rëndësishme.

Kryeministri tha më tej se një tjetër sfidë primare, është sfida e integrimit rajonal dhe si fillim i integrimit të tregut tonë bujqësor me Kosovën, me synim krijimin e një tregu dhe oferte të përbashkët mes dy shteteve.

Po ashtu Rama deklaroi se do të krijohen shkolla profesionale bujqësore, veçanërisht në ato zona ku do të jetë më e nevojshme./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit