


Transmetuar më 6 shkurt 2014/ Përditësuar më 8 shkurt 2014 (08: 12)
Është përcjellë për në banesën e fundit këngëtarja e mirënjohur Vaçe Zela, ku gjatë ceremonisë së përcjelljes së saj drejt strehës së fundit nuk kanë munguar emocionet dhe lotët.
Po sot janë mbajtur homazhet në nderim të këngëtares Vaçe Zela, në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Pranë trupit të së ndjerës i vendosur në skenë nën shoqërinë e tingujve të muzikës së saj dhe në mënyrë tërësisht unike, prej orës 10.00 të së shtunës dhe deri në orën 12.00, personalitete dhe qytetarë të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit këngëtares së madhe.
Me këtë rast përkrah arkëmortit të saj personalitete të shumtë të artit, u ngjitën në skenë ku mbajtën fjalë përkujtimore duke u ndalur në sukseset dhe karrierën e saj ndër vite.
Po ashtu të pranishëm në homazhe ishin personalitete të shumtë të fushës së artit dhe kulturës si dhe politikanë, mes tyre Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli etj.
Rama: Ne do të duam gjithmonë
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Edi Rama deklaroi se kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhë e zi, kur këngëtarët visheshin njësoj, rrinin njësoj para mikrofonit dhe i linin radhën njëri tjetrit me hapa thuajse njëlloj.
“Lajmi për ikjen e Vaçe Zelës më çoi pas në atë botë, në kuzhinën e vogël ku pak më larg tryezës së bukës, në këndin e shtëpisë qëndronte televizori Iliria dhe ne familja e ulur rreth tryezës, ndiqnim festivalin e këngës në televizion ku çdo vit dukej i njëjti festival që përsëritej, me pushkën kazmën dhe çelësin sol. E ndiqja dhe unë Vaçe Zelën, e cila elektrizonte gjithë ajrin e kuzhinës sonë. Në një kohë tjetër e në të tjera skena, ajo do të kishte elektrizuar qiellin e mbarë botës, por në atë kohë dhe me atë skenë nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të ndizte një yll në qiell”, tha Rama.
Ai shtoi se Vaçe Zela iku nga skena në kohën që mund të shpërthente lirisht dhe nuk u kthye më, duke theksuar se pas shumë vitesh dërgoi befas lajmin e vdekjes.
“Është shuar thellë brenda nesh një yll magjeps të cilin askush që nuk e pa teksa ndizej në skenë, nuk do ia ndiejë shijen. Dua ti them sot Vaçe Zelës faleminderit që ekzistove për ne në një botë thuajse të ngrirë, ku na përcolle ngrohtësinë e të jetuarit jashtë kësaj bote”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë, “U prefsh në paqe yll i shuar, ne do të duam gjithmonë”.
Basha: Zëri i Vaçe Zelës ishte balsam
Gjatë homazheve në nderim të Vaçe Zelës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se, “Zëri i Vaçe Zelës ishte balsam dhe ndër të paktët ngushëllime për shpirtrat e sfilitur të shqiptarëve përgjatë dekadave dhe viteve të veprës së saj. Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj përjetë mes nesh, në zemrën e një kombi të tërë, mirënjohës dhe krenarë për të dhe për veprën e saj, ç’ka shihet qartë edhe nga bashkimi i qindra, mijëra shqiptarëve në homazhe dhe nderimin për të paharruarën Vaçe Zela.”
Sakaq përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, u mbajt rreth orës 13.00 për tu prehur në varrezat e Sharrës.
Me daljet nga ambienti ku u zhvilluan homazhet, gjithmonë nën tingujt e muzikës dhe me mijëra qytetarë të pranishëm arkivoli i saj i mbuluar me flamurin kombëtar u vesh gjithashtu me qindra e qindra lule të hedhura nga qytetarë të shumtë.
Mbërrin në tokën shqiptare, trupi i pajetë i Vaçe Zelës
Trupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela, ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës rreth orës 14.00 të mesditës së sotme.
Arkëmorti me trupin e këngëtares së ndjerë është pritur me nderime të shumta nga autoritetet shqiptare të Ministrisë së Kulturës por edhe nga autoritetet të Kosovës.
Ndërkohë pritet që në Shqipëri arkivoli me trupin e këngëtares së madhe të mbërrijë rreth orës 17.00 për tu dërguar pranë të afërmve të saj.
Sakaq homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, datë, 08.02.2014 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Homazhet do të mbahen nga ora 10.00- 12.00.
Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, ditën e shtunë, datë, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB për tu prehur ne varrezat e Sharrës.
Shuhet Vaçe Zela, këngëtarja më e mirë e muzikës shqiptare
Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Vaçe Zela. E njohur si “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, Vaçe Zela ndërroi jetë sot ora 01.20 në Bazel të Zvicrës si pasojë e një sëmundjeje të gjatë nga e cila vuante.
Trupi i saj i pajetë pritet të vijë ditën e nesërme në vendin tonë, duke plotësuar kështu amanetin e saj për tu prehur në Shqipëri.
Zela u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë, ku prej aty nisi të marrë jetë suksesi i saj.
Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku, ndërsa Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.
Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se ishte një idhull i muzikës. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.
Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo jetonte në Zvicër.
Po ashtu theksojmë se Vaçe Zela është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
Ndërkaq nga ana e Ministrisë së Kulturës bëhet e ditur se homazhet në nder të saj do të bëhen ditën e shtunë në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit, nën kujdesin e veçantë të Kryeminsitrit Edi Rama./a.y/noa.al/
Trupi i pajetë i Vaçe Zelës mbërrin nesër në aeroportin e Prishtinë, homazhet në TKOB
Ministria e Kulturës bëri të ditur se trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela do të mbërrije në aeroportin e Prishtinës, ditën e premte, date 07.02.2014, ora 14.00 ku do te pritet nga përfaqësues te Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.
Kjo ministri njofton se homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, datë, 08.02.2014 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Homazhet do të mbahen në orën 10.00- 12.00.
Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, ditën e shtunë, date, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB për tu prehur ne varrezat e Sharrës.
Ministria e Kulturës u shpreh ngushëllime familjareve, njerëzve te artit dhe kulturës dhe te gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. KENGA e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare. Faleminderit për emocionet që na dhurove, faleminderit që na ngrohe zemrat nga Veriu në Jug, nga Kosova, Shkupi, Tetova, Struga e gjithë diaspora.
Ngushëllimet për artisten:
Të shumta ishin reagimet për vdekjen e këngëtares së mirënjohur Vaçe Zela.
Dhimbjes dhe zisë për humbjen e këngëtares së madhe i është bashkuar edhe Kuvendi, ku gjatë seancës parlamentare nëpërmjet 1 minute heshtje u nderua kujtimi i saj nga deputetët, ministrat dhe kryeparlamentari.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro kujton këngën “Valsi i lumturisë” dhe thotë se kjo këngë “kthehet sot në requiem të pazevendësueshëm për thesarin e kombit që quhet thjesht Vaçe!”.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama e cilëson si një yll në qiellin e Shqipërisë me fjalët, “Në një kohë e vend tjetër Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vetë në qiellin e Shqipërisë”.
Ndarja nga jeta e këngëtares së madhe shqiptare ka bërë që të reagojë edhe Kryeminsitri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shprehet i pikëlluar për një humbje të tillë, “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Vaçe Zela ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikal në muzikën shqiptare. Zëri i mrekullueshëm dhe këngët e saj për Atdheun janë perla të përhershme të trashëgimisë sonë muzikore. Ngushëllime familjes dhe dashamirëve të shumtë”.
Kryetari i Partisë Demokratike njëherësh kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, ka ngushëlluar me fjalët, “Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar “Nderit t” Kombit” Vaçe Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj. Vaçe Zela do të mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone të muzikës shqiptare. U prehtë në paqe”.
Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të këngëtares së papërsëritshme shqiptare, Vaçe Zela.
“Në këto çaste dhimbjeje, kur mbarë kombi ynë po përjeton me hidhërim të thellë humbjen e këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, dëshiroj të shpreh, edhe në emër të shtetit shqiptar, ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta. Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi.
Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: ajo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare. Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare’.
Kujtimi i interpretimeve të saj në skenat shqiptare dhe botërore, talenti dhe aftësia e lindur për të sjellë më tepër gëzim dhe liri mes atyre që kanë patur fatin ta shohin e ta ndjekin, ta njohin dhe ta vlerësojnë, thyerja e tabuve ideologjike në art e në jetë si dhe virtuoziteti i saj i pashoq do të mbeten ngahera të gdhendura në mendjet dhe zemrat e artdashësve shqiptarë e të huaj.
Familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e panumërt do ta vuajnë mungesën e saj të pazëvendësueshme, por shpresoj që forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe do ta gjejnë tek shpirti i saj i pavdekshëm prej artisteje mbarëkombëtare, që do t’i shoqërojë e do t’i bekojë përjetë me ngrohtësinë e zërit melodioz, interpretimet e paharrueshme dhe vlerat e saj të rralla njerëzore. Iu prehtë shpirti në paqe!” – theksohet në mesazhin ngushëllues të Kreut të Shtetit shqiptar.
Ish-Kryeministri Sali Berisha është bërë pjesë e ngushëllimeve në nder të artistes së ndjerë Vaçe Zela. Në mesazhin e tij Berisha shkruan, “Dhimbje dhe zi për botën tonë kulturore dhe mbarë kombin tonë! Sot u nda nga jeta, këngëtarja e madhe, zëri i shekullit të këngës sonë, Vaçe Zela. Me zërin melodioz e të papërsëritshëm, me këngët dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gëzim, kënaqësi dhe krenari në zemrat dhe votrat tona. Vaçe Zela jeton e do jetojë në gjuhën më të bukur, më magjepëse, në kengën e saj, këngen e kombit tonë! Ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortit, vajzës dhe të gjithë familjes. Mirënjohjen e pakufishme këngëtares sonë të pavdekshme Vaçe Zela.
Ish kryetarja e Kuvendit dhe deputete aktuale e PD, Jozefina Topalli thotë: “E dashura e shqiptarëve ! Iku Vaçe Zela, mbeti zëri i saj! I këndoi me dashuri pa kufi vendit të saj si askush tjetër! I gëzoi jetët e shqiptarëve me magjinë e zërit të saj, kur nuk kishte asnjë gëzim për to”.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shprehet me fjalët, “Përulem me nderim për Vaçe Zelën. Iku për të mbetur në përjetësi, në zemrat dhe shpirtin e çdo shqiptari”.
Kurse ish kryetari i Kuvendit dhe deputeti aktual Kastriot Islami, thotë: “Mbretëresha e këngës shqiptare, do të mbetet në mendjen e çdo shqiptari kudo në botë. Vaçe Zela, këngëtarja më e madhe e të gjithë kohërave, padyshim meriton të vendoset në krye të Panteonit të Këngës Shqiptare”.
Ish deputeti Elmaz Sherifi, kryetar i LDP, shprehet: “Sa boshllek artistik ndjejme teksa po largohen nga skena artistet me te medhenj, te muzikes dhe këngës”
Shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli, shprehet kështu për Vaçe Zela: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”.
Kurse këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha, shprehet: "Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela."…
Botuesi Fatmir Toçi, deputet i Partisë Socialiste thotë se Vaçe Zela është ikona e muzikës shqiptare dhe shton: “Për 60 vjet pushtoi skenen muzikore shqiptare duke mbetur edhe sot këngëtarja më e dashur dhe më e vlerësuar”. Toçi vlerëson se “veshtire do te jete per nje kohe te gjate qe te ngjitet ne skene nje dive e muzikes me dimensionet e Vaçe Zelës”.
Shkrimtarja Miranda Haxhia thotë: “Jetoi mjaftueshem per te qene e paarritshme me artin e saj. Ne, populli i dehur nga perlat e saj kemi nevoje te shohim Lart….per të të mos harruar asnjëherë”.
Këngëtarja Bleona Qereti nga SHBA thotë: “Vaçe Zela, mbreteresha e kenges shqipe. Ikona, frymëzimi i skenes sone. Madheshtine tende nuk e zbeh ky largim. Shqiptaret te kane dashur dhe do te te duan gjithmone per pasurine kulturore e shpirterore qe i dhurove, ti,, vula origjinale e melodise shqiptare”.
Këngëtarja Mimoza Selimi thotë se e përjeton me dhimbje të madhe humbjen, duke theksuar se ishte Vaçe Zela që e bëri të ndiqte udhën e këngës: “Sa e sa gjera mesova nga ty. Me dashurinë e nje nëne me qendrove prane, e une nuk kam fjale te te shpreh mirenjohjen. Pata fatin te te kem ne jeten time, ashtu sic do te te kem gjithmonë”. Shkrimtari i njohur Virgjil Kule, thotë: “Ah, Vaçja, u shua! Ja, para syve tanë u shua…por nuk do shuhet kurrë ne kujtesën e kombit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





