Transmetuar më 05-02-2014, 20:29

Nga Albin Kurti

Të hënën që vjen bëhen shtatë vjet të vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt. Në demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007, Policia Speciale e UNMIK-ut zbrazi 232 plumba gome mbi protestuesit e paarmatosur. Nga hetimet e mëvonshme u zbulua që këta plumba gome kishin qenë me afat të skaduar që prej 11 vjetësh; se ata ishin gjuajtur në kokat dhe gjokset e protestuesve; se protestuesit kishin qenë duke u tërhequr kur po shtihej mbi ta; dhe se plumbat e parë u shkrepën vetëm tetë sekonda pas hedhjes së gazit lotsjellës mbi masën e protestuesve. Mbi të gjitha, nga hetimet u përjashtua njësiti rumun për të cilin dihej se i kishte kryer vrasjet por thuhej që nuk mund të identifikoheshin vrasësit individualisht meqenëse skuadra e tyre mbante maska. Paraprakisht, anëtarë të atij njësiti u intervistuan në cilësinë e dëshmitarëve e jo të të pandehurve si dhe u lejuan që me rastin e kthimit të përshpejtuar në Rumani t’i marrin çiftet e tyre me vete.

E shtunë ishte atë ditë dhe ne po marshonim nëpër rrugën Nëna Terezë në qendër të Prishtinës. Në orën 14:00, mijëra qytetarë ishin grumbulluar në rrugën ‘Perandori Justinian’ ku ndodhej selia e atëhershme e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qytetthin Pejton. Rreth orës 14:30, ende pa arritur para Teatrit Kombëtar “Adem Jashari”, marshi u bllokua nga kordoni i policisë së UNMIK-ut para së cilit ishte vendosur një rresht i policëve të Shërbimit të atëhershëm Policor të Kosovës dhe barrierat metalike. Nga policia përmes megafonit kërkuam që të na e lirojë rrugën sepse vetëm marsh paqësor donim. Më pastaj, protestuesit ngadalë e qetë i hoqën barrierat metalike dhe i vendosën ato anash rrugës me ç’rast nuk u penguan nga reshti i parë i policëve. Vazhduan ecjen e tyre deri te kordoni i policisë së UNMIK-ut që e shtypi demonstratën me dhunë. Mbi 80 protestues u lënduan e u plagosën, tre prej të cilëve edhe sot e kësaj dite i vuajnë pasojat: Mustafë Nerjova ka një pjesë plastike në kafkën e tij që u qëllua nga plumbi; Hysni Hyseni e ka humbur syrin e djathtë; dhe Zenel Zeneli vazhdon ta ketë plumbin afër zemrës të cilin s’e heq dot meqenëse operacioni do të ishte tepër i rrezikshëm.

Ditën e 10 shkurtit 2007 protestonim kundër paketës së Ahtisaarit që erdhi dhuratë nga negociatat e Kosovës me Serbinë në Vjenë. I patëm identifikuar gjashtë çështje kapitale që e bënin këtë paketë thelbësisht të padrejtë dhe tërësisht të dëmshme. Së pari, Kosova do të decentralizohej mbi baza etnike me komuna të reja e kufij të rinj komunash dhe atë pa e pasur njëherë sovranitetin dhe integritetin territorial si shtet. Së dyti, trashëgimia kulturore dhe historike ortodokse edhe serbizohej edhe fetarizohej plotësisht me zona të veçanta eksterritoriale prej mijëra hektarësh tokë gjithsej. Së treti, deputetët serbë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës fitonin të drejtën e vetos përmes shumicës së dyfishtë për të gjitha ligjet jetike. Së katërti, betonohej protektorati ndërkombëtar mbi institucionet vendore me fuqi ekzekutive të pakufizuara në kohë dhe në gamën e tyre dhe me imunitet prej ligjit nga ndjekja penale. Së pesti, shuhej TMK-ja në kuadër të frymës së shkëputjes së statusit të ardhshëm të Kosovës nga lufta e UÇK-së. Dhe, së gjashti, Kosova do të merrte pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë ndërkohë që nuk merrte pjesë fare në ndarjen e pasurisë së Jugosllavisë.

Secila prej këtyre padrejtësive të sanksionuara në paketën e Ahtisaarit pasi që u brendësuan në Kushtetutën e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, u vërtetuan si dëmtime e gjymtime të Republikës sonë madje dhe vetë shpalljes së pavarësisë. Premisat shpërfillëse të vullnetit dhe të së drejtës për vetëvendosje prodhuan defektet e mosintegrimit të komunitetit serb, të mbetjes së veriut të vendit jashtë kontrollit të institucioneve, përfaqësimin e shpërfytyruar sipas ulëseve të rezervuara përballë fytyrës gjithnjë e më të zymtë të prodhuesve vendorë, fshatarëve, punëtorëve, pensionistëve e shumë grupeve shoqërore të Kosovës.

Edhe sot po vazhdojnë negociatat me Serbinë, gjithnjë pa kushte për Serbinë dhe gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, thua se nuk u shpall fare pavarësia. Edhe sot vazhdojnë të jenë të lirë policët rumunë që vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, dy dëshmorë të vullnetit të popullit tonë për liri e vetëvendosje. Këto janë dy faqe të së njëjtës padrejtësi të vazhdueshme.

* Dërguar nga autori, lider i Vetëvendosje

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit