
Tiranë, 5 shkurt 2014, NOA.al-Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, zhvilloi sot një takim në zyrat e Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në takim u bisedua për projektin e krijimit të një komisioni ndërshtetëror për festimin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit. Z. Meta shprehu gjithë vullnetin e tij për të bërë gjithçka për nderimin në mënyrën më të mirë të mundshme të këtij momenti të një rëndësie të veçantë historike.
“Respekti i sakrificave të pashembullta të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, rivlerësimi i saj i drejtë dhe historik edhe në emër të unitetit kombëtar, është një detyrë e të gjithëve”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit ndau dhe diskutoi ide konkrete me përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve për gjithë çfarë mund të programohet në projektin për nderimin e 70 vjetorit të çlirimit dhe kërkoi bashkëpunimin e Komitetit në këtë drejtim.
Kryetari i Komitetit të Veteranëve, Rustem Peçi falënderoi për vëmendjen e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit dhe vizitën e tij në selinë e tyre. Ai tha se shpesh punët dhe veprimet e mira e të duhura bëhen pa bujë, por me vullnet të ndershëm. Z.Peçi vlerësoi vëmendjen e z.Meta për problematikat e diskutuara dhe garantoi, në emër të Komitetit të Veteranëve, bashkëpunimin e tyre në projektin për festimet e 70 vjetorit të çlirimit.
“Nuk ishte takimi ynë i parë dhe natyrisht nuk do të jetë as i fundit. Je gjithmonë i mirëseardhur mes nesh”, tha zoti Peçi. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





