Transmetuar më 05-02-2014, 14:54

Tiranë, 5 shkurt 2014, NOA.al- Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Vangjel Tavo, apeloi që të zgjidhet problemi i toponimeve, si një shqetësim i mijëra qytetarëve shqiptarë që banojnë në Greqi.

Ai theksoi se problemi i “toponimeve”, prej shumë kohësh është pengesa kryesore në kalimin e lirë të kufirit shqiptaro- grek dhe anasjelltas nga shtetasit shqiptarë që kanë lindur në Greqi.

“Edhe pse gjithkush nga ne është në dijeni të këtij ngërçi, po ju rikujtoj se mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, mes tyre dhe shumë qytetarë shqiptarë me kombësi greke, jo vetëm që nuk mund të kalojnë kufirin për të parë të afërmit e tyre në fundjavë, por nuk mund të kryejnë asnjë transaksion ligjor, përderisa shteti grek nuk njeh toponimet me emërtesat e vendit tonë. Kjo situatë është e pafalshme. Në radhë të parë për ne, politikanët që po lëmë qytetarët tanë të vuajnë në vitin 2014. Si politikan, për dijeni të opinionit publik, risjell në vëmendje faktin se emërtesat e toponimeve sugjerohen nga komisionet përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç i ka depozituar çdo shtet anëtar i këtij organizmi. Gjithashtu sjell në vëmendje të opinionit Rezolutën 1005/2011 të datës 25.10.2011 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës për çështjen e toponimeve”, u shpreh Tavo, duke falënderuar për shqetësimin e ngritur institucionin e Avokatit të Popullit.

Në vijim deputeti i LSI u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, që t’i bashkohen zërit dhe shqetësimit të komunitetit shqiptar që jeton në vendin fqinj, në mënyrë që të mos përsëriten skena që mbajnë era mesjetë në kufirin shqiptaro- grek apo anasjelltas.

Sipas tij është absurd fakti i mëshimit të shahut diplomatik në kurriz të hallexhinjve, të cilët nuk kërkojnë veçse të vizitojnë vendlindjen pa pengesa dhe të kryejnë transaksione ligjore si çdo qytetar i Europës së Lirë.

Tavo theksoi se, “Kjo deklarate vjen pikërisht sot, pasi sipas informacioneve mësohet se nesër ministri ynë i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati, për një takim në kuadër të Kartës së Adriatikut, do të vizitojë shtetin grek. Gjithashtu së shpejti vjen në Tiranë Ministri i Jashtëm i Greqisë, zoti Evangjellos Venizellos. Prandaj , kjo deklaratë, le të shërbejë si ftesë për trajtim serioz të problemit tashmë të njohur, nga dy ministrat përkatës”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit