Transmetuar më 05-02-2014, 14:18

Tiranë, 5 shkurt 2014, NOA.al- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e rrëzimit të aktit normativ për “Nëpunësin Civil”.

Në këtë vendim thuhet se shfuqizohet si i papajtueshëm me Kushtetutën, akti normativ të Këshillit të Ministrave nr.5, datë 30.09.2013 Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 Për nëpunësin civil; Shfuqizimi i ligjit nr.161/2013 Për miratimin e aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013 Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 Për nëpunësin civil; Pezullimi i aktit normativ me fuqinë e ligjit deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”.

Në vijim thuhet se Gjykata vlerëson se miratimi nga Kuvendi i aktit normativ në kapërcim të kritereve procedurale dhe lëndore të parashikuara nga Kushtetuta, përbën një të metë të vetë ligjit.

Po ashtu thuhet se ndonëse Kuvendi kishte detyrimin të zbatonte drejtpërdrejt kompetencën e parashikuar nga rregullimi kushtetues, ai ka mënjanuar normat kushtetuese, në kundërshtim me nenin 4, pika 3, të Kushtetutës.

“Për këto arsye, Gjykata arrin në përfundimin se nxjerrja nga Këshilli i Ministrave i aktit normativ me fuqinë e ligjit, që rregullon çështje të rezervës së Kuvendit, dhe mosrespektimi nga ky i fundit i procedurës së parashikuar nga neni 81, pika 2, shkronja “e” dhe neni 83, pika 3, të Kushtetutës, vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit midis pushteteve, në kuptim të nenit 7 të Kushtetutës, si një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, ku e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”, thuhet ndër të tjera në vendimin që gjeni bashkëngjitur”./a.y/noa.al/

VENDIMI I PLOTË

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit