Transmetuar më 05-02-2014, 13:37

Tiranë, 5 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kujtoi se aleati më i madh i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me opozitën.

Në vijim ai shtoi se miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë e kanë këshilluar dyshen Rama-Meta që të heqin dorë nga politika e konfliktit me opozitën, përmes njohjes së përgjegjësive politike.

Sipas tij për tu bërë të besueshëm në Bruksel lidhur me procesin e integrimit, Kryeministri shqiptar dhe shumica e tij, duhet që fillimisht të kapërcejnë vetveten duke e ditur se nuk shkohet në Europë me arrogancë dhe duke goditur Kushtetutën dhe ligjin, dhe se nuk shkohet në Europë pa opozitën dhe kundër opozitës, por shkohet me të.

“Duke theksuar se për qeverinë shqiptare nuk ka shumë kohë, miqtë e Shqipërisë kanë nxitur qeverinë që të ç’tensionojë marrëdhëniet me opozitën. Dyshja Rama-Meta me një akt sfide dhe karshilliku ndaj opozitës, paralajmëruan rrëzimin e kërkesës së grupit tonë parlamentar për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të analizuar emërimet në Policinë e Shtetit. Përpjekjet e zotit Rama për të penguar opozitën për të mbrojtur me çdo çmim, sigurinë dhe llogaridhënien, nuk mund ta përcaktojnë ata. Të drejtën e opozitës për komision hetimor, e njeh Kushtetuta”, u shpreh Basha.

Në vijim ai theksoi se nëse një grusht personash po punojnë kundër ligjit dhe Kushtetutës, ai ftoi mazhorancën që të heqë dorë dhe të bëhet pjesë e kthimit të ligjshmërisë në funksionimin e shtetit.

Kryedemokrati tha po ashtu se opozita nuk do të ndalet dhe  në rast se Kuvendi katandiset pjesë në gijotinë e Kushtetutës, opozita nuk do të bëhet pjesë e kësaj farse, por do të qëndrojë në krah të qytetarëve.

Basha akuzoi mazhorancën për shkelje të ligjit për rrëzimin e komisionit hetimor për policinë, duke theksuar se vendi karakterizohet nga një gjendje e përgjithshme pasigurie.

Në këtë linjë kreu i opozitës tha se, “Policia nuk është më vendi ku krimi luftohet, por vendi ku krimi punësohet. Ministri i Brendshëm i Edi Ramës ka asgjësuar de fakto ligjin për Policinë e Shtetit, por i kujtojmë se mbrojtja e demokracisë është funksioni ynë. Ndaj duke nisur nga seanca e nesërme parlamentare do të nisë përballja në arenën e madhe të ndeshjes së ligjit me antiligjin”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit