Transmetuar më 04-02-2014, 22:37

Partia e Punës së Riorganizuar kritikon nismën e kryeministrit për të vazhduar strategjinë e Berishës “Shqipëria 1 euro”. Me nota të ashpra kritike dhe krahasime plot romuze, kryekomunistri Marko Dajti në një deklaratë për mediat të martën pohon se PPR është tejet e vëmendshme për zhvillimet e fundit politike, duke qenë një forcë politike pjesëmarrëse e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Ne mbështesim qëllimin e mirë të qeverisë aktuale për të dalë nga kriza ekonomiko-shoqërore në të cilën e ka zhytur vendin qeverisja e papërgjegjshme e Sali Berishës, por njëkohësisht vlerësojmë se qeveria e re ende nuk ka arritur të përvijojë një strategji eficiente për të rilindur Shqipërinë”, – vlerëson z.Dajti,

Kurse thekson: “Nxjerrja e pasurive kombëtare në ankand është as më shumë as më pak sesa rruga e propozuar dhe e ndjekur nga Sali Berisha, rruga e dënuar nga populli me mbi 1 milion shpulla. Ne vërejmë me keqardhje se qeveria e re nuk është në gjendje të ofrojë më shumë sesa strategjia e vjetër, çka u pa qartë edhe nga vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Itali, ku u rikonfirmua teza “Shqipëria një euro”.

Dajti thotë se PPR është kundër pazareve të tilla në dëm të popullit shqiptar. “I përsërisim edhe një herë Kryeministrit se pasuria kombëtare e shqiptarëve nuk ka vlerën e brekëve të Xhevries që shet Diu për një euro te tregu i gabit”.

Në vijim Dajti ka një këshillë për Ramën: “Në qoftë se nuk ka “rilindas” që t’i japin këshillat e nevojshme për një strategji të re ekonomike, ne e ftojmë t’i drejtohet programit ekonomik te PPR, ku përcaktohet qartë se jo koncesionet, por shtetëzimi dhe vënia në eficiencë e pasurive kombëtare strategjike, është rruga që do të rilindë ekonomikisht Shqipërinë. Në këtë kontekst, vënia në shfrytëzim e pasurive nëntokësore nga shteti si minierat etj me paratë që janë marrë borxh, do të garantoje punësimin për shqiptarët dhe 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë nga ne, do të bëhen shumë shpejt realitet”.

Për z.Dajti, “jo anarkia financiare dhe zhvatja nga bankat e huaja të valutës shqiptare, por ngritja e një banke kombëtare shtetërore të kursimeve do të jetë garancia për rilindjen financiare”.

Kryekomunisti Marko Dajti jep dhe detajet e kësaj ideje: “Kjo bankë me 100% kapital shtetëror do të konkurrojë bankat e huaja në dhënien e kredive. Qeveria të jetë e qetë se shqiptarët janë të aftë ta mbushin brenda dy muajve me valutë dhe ta shndërrojnë në instrumentin më eficient për garantimin e politikave ekonomike të qeverisë së majtë”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit