
Tiranë, 4 shkurt 2014, NOA.al- Në kuadrin e 4 Shkurtit, Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Drejtorja e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu, vizitoi Shërbimin Laboratorik Biokimik-Klinik të QSUT-së.
Pas një periudhe të gjatë, atje sapo kanë rifilluar matjet e shënjuesve tumoralë, pas vënies në punë të pajisjes së re të quajtur Analizator i Imunokemiluminishencës (Immunochemiluminescence Analyzer) dhe sigurimit të sasisë së nevojshme të reagentëve për të përballuar nevojat në vijimësi.
Matjet e realizuara nga kjo pajisje janë tepër të rëndësishme përsa i përket ndjekjes së ecurisë si dhe efikasitetit të trajtimeve (kirurgjikale, kemioterapeutike, radioterapeutike) të pacientëve me sëmundje tumorale, si dhe rekurencës (6 muaj deri para screening).
Duke iu përgjigjur interesit të mediave të pranishme, Ministri Beqaj tha se në këtë ditë të veçantë, siç është Dita Botërore e Luftës kundër Kancerit, “në një vizitë në laboratorin e spitalit komunikova me mjekët për të parë funksionimin e një pajisjeje, e cila arrin të bëjë analizat e shënjuesve tumoralë.” Kjo është një analizë e domosdoshme, -vazhdoi më tej z. Beqaj- jo vetëm për diagnostikimin, por edhe për ndjekjen e terapisë dhe, në rastet të mira, edhe për shërimin e sëmundjes. Ne do të garantojmë funksionimin e përditshëm dhe kryerjen normale të kësaj analize.
Sigurisht që kjo është një pjesë e gjithë përpjekjeve që po bëjmë për të bërë një kujdesje shumë të mirë për këto sëmundje, të cilat në vitet e fundit e kanë rritur shumë incidencën e tyre, tha ai. Edhe dje kishte një lajm të mirë që në komisionin parlamentar u diskutua marrëveshja e kredisë për akseleratorin linear që do të ndihmojë edhe trajtimin radioterapik të sëmundjeve kanceroze pranë shërbimit tonë Onkologjik.
Situata vjen në përkeqësim në kuptimin e rritjes së sëmundjes dhe ne kemi çdo vit rreth 3500-4000 raste, po të krahasojmë me 10 vjet më parë. Gjithashtu, situata është përkeqësuar dhe vazhdojmë, për fat të keq, t’i diagnostikojmë këto sëmundje në stade shumë të avancuara. Përpjekjet tona kryesore do të bëjnë që të mund të diagnostikojmë sa më herët këto sëmundje.
Ju jeni njohur edhe me faktin se brenda këtij viti, në gjysmën e dytë të tij, do të kemi në funksionim edher dy mamografë të lëvizsshëm, sepse konstatojmë që sidomos në zonat rurale kujdesi për këto sëmundje është ende i ulët. Gjithashtu, për kujdesin paliativ, siç jeni në dijeni, ligji që ishte hartuar po rishikohet, në mënyrë që me ligjin e ri të mund të trajtojmë edhe këtë pjesë të pacientëve që është në stadin e a avancuar të këtyre sëmundjeve, tha ai. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





