
Tiranë, 4 shkurt 2014, NOA.al- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave priti sot në takim Ministrin e Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Pyjeve të Bosnje Hercegovinës, z. Jerko Ivanković-Lijanović. Dy ministrat diskutuan për hapësirat e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vënë fokusin në rritjen e shkëmbimeve tregtare në fushën e bujqësisë. Ministri boshnjak shoqërohej në këtë takim nga një numër biznesmenësh për të parë nga afër si prodhohen perimet tona dhe për të lidhur kontratat e nevojshme për eksportin e prodhimeve shqiptare. Panariti dhe Lijanovic ranë dakord që të bëjnë përpjekjet maksimale për të larguar barrierat tregtare që ekzistojnë mes dy vendeve.“Ne patëm një diskutim të gjërë dhe të hollësishëm për mundësitë që ekzistojnë mes dy vendeve për të rritur vëllimin e shkëmbimeve tregtare në fushën e bujqësisë, kryesisht duke u mbështetur në avantazhet e krahasuara dhe konkuruese që dy vendet disponojnë në raport me njëri-tjetrin. Dy ishin objektet kryesore të diskutimeve që unë pata me ministrin. Problemi i parë ishte se ne duhet të përpiqemi me vendosmëri për të hequr çdo pengesë, çdo barrierë të panevojshme në shkëmbimin e mallrave bujqësore midis dy vendeve. Ne folëm në mënyrë specifike për mënyrën se si të dy vendet duhet të punojnë për t’i hequr këto barriera, në mënyrë që prodhimet e të dy vendeve të jenë të pranishme në tregjet respective. Problemi i dytë që diskutova me homologun boshnjak ishte lidhur edhe me eksportet shqiptare në tregjet e Bosnje-Hercegovinës, dhe bëhet fjalë kryesisht për eksportet e perimeve, frutave, për të cilat ne kemi avantazhe të krahasuara dhe konkuruese”, tha ministri Panariti.
Nga ana e tij ministri Lijanovic u shpreh se, “sot jam këtu për të çuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të shfrytëzuar përparësitë krahasuese si të njërit vend ashtu edhe të tjetrit. Si Bosnje-Hercegovina ashtu edhe Shqipëria importojnë një sasi të madhe të prodhimeve por bashkëpunimi ynë në këtë moment është në nivel të ulët. Qëllimi ynë është të importojmë nga Shqipëria prodhime për të cilat Shqipëria ka përparësi, siç janë perimet. Po ashtu presim që edhe Shqipëria të importojë nga Bosnja-Hercegovina prodhime të cilat Bosnja-Hercegovina ka përparësi në nivel krahasues, sepse duke qenë se ne kemi një reliev shumë malor, prodhojmë shumë produkte blegtorale (mishi). Dy vendet tona janë gati fqinj, jemi kaq afër, por kemi pasur jashtëzakonisht pak bashkëpunim”. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





