
Thomas Muller shprehet se te Bayern Munich nuk ka vend për lojtarë egoistë, citon Supersport. Sulmuesi 24-vjeçar, i cili qëndroi për 90 minuta në pankinë gjatë ndeshjes kundër Eintracht Frankfurt, shton se nuk ka vend për të kritikuar vendimet e trajnerit, pasi është Pep Gaurdiola ai që ka fjalën e fundit.
“Në fushë mund të zbresin vetëm 11 lojtarë. Shpesh herë do të jem i detyruar të kaloj momente të vështira, ashtu si për të gjithë lojtarët e tjerë.
Vitin e shkuar fituam sepse ishim të bashkuar. Sigurisht që nuk do të jem i lumtur nëse ulem në pankinë gjatë një ndeshjeje të rëndësishme, por duhet të mësohemi me këtë”.
Në vijim, lojtari i kombëtares gjermane shton se Bayerni mund të arrijë suksese edhe gjatë këtij sezoni, por vetëm nëse lojtarët që ka në përbërje do të sillen të gjithë si profesionistë.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të sillemi si profesionistë dhe të vendosim ekipin përpara gjithçkaje.
Vetëm nëse sillemi në këtë mënyrë atëherë do të arrijmë të korrim suksese. Në dhomat e zhveshjes së skuadrës nuk ka vend për lojtarë egoistë”.
Gjatë sezoneve të fundit, Thomas Muller ka rezultuar një nga lojtarët kyçë të repartit të sulmit, ndërsa këtë sezon ai ka shënuar 8 gola në 18 takime të luajtura.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





