Transmetuar më 04-02-2014, 14:04

Sërish në rehabilitim Ian Thorpe, i cili u gjet nga policia rreth orës 3 të natës në një rrugë të Sidneyt, pas telefonatës së dikujt që e kishte parë të vërtitej i çorientuar rreth një makine.

5 herë kampioni Olimpik në not, është intoksikuar nga një miksim pilulash antidepresive dhe ilaçesh kundër dhimbjeve me të cilat po trajtohej pas një ndërhyrjeje në shpatull.

Nuk kishte gjurmë alkooli në gjak, edhe pse ditët e kaluara u fol për një tjetër shtrim në spital si pasojë e problemeve me alkoolin. Pas trajtimit në spital, Thorpe u shtrua në një klinikë rehabilitimi për të kuruar të keqen që e ka pushtuar prej vitesh.

Të premten e kaluar menaxherët e tij nxituan për të ridimensionuar dramën e notarit që ka rënë në një krizë depressive, e cila e ka çuar dhe drejt abuzimit me alkoolin, duke bërë të ditur se Ian nuk ishte shtruar për rehabilitim.

Por ishte e qartë se kjo ishte vetëm një përpjekjet e menaxherëve për të mbrojtur imazhin e një prej kampionëve më të mëdhenj në historinë e notit, përpjekje që duket se ka rezultuar jo shumë e dobishme pas episodit të fundit me shtrimin e Thorpe në klinikën e rehabilitimit.

Thorpedo, siç thërritej nga fansat, debutoi në Lojërat Olimpike të shtëpisë, në Sidney 2000 duke fituar 4 medalje të arta, dhe u tërhoq nga pishinat në 2006 duke dështuar për t’u kualifikuar në Lojërat e Londër 2012, pas një rikthimi të papritur që kishte bërë një vit para Olimpiadës britanike.

Në 2013-ën kishte publikuar një autobiografi ku kishte zbuluar se vuante nga një depresion paralizues, ku në një ndër paragrafët shkruante, “As familja ime nuk është e ndëgjegjshme për faktin se e kam kaluar një pjesë të madhe të jetës duke luftuar me diçka që mund ta përcaktoj vetëm si depression paralizues.

Kam përdorur alkoolin si një mjet për të liruar kokën nga mendimet e tmerrshme, si një mënyrë për të menaxhuar gjendjet e mia shpirtërore”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit