Transmetuar më 04-02-2014, 13:58

Lezhë, 4 shkurt 2014, NOA.al- Policia e Kurbinit dhe ajo e kryeqytetit në kuadër të operacionit të koduar "Gjahtarët e natës", ka bërë të mundur arrestimin e gjashtë të rinjve të akuzuar për grabitje me dhunë në disa pika karburantesh në qytete të ndryshme.

Siç raporton Noa.al, të ndaluarit janë Ndue (Aleksandër) Dushaj 28 vjeç, Aleksandër Daçi 26 vjeç, Fredi Mllugja 26 vjeç, Rigers Halmusaj 24 vjeç, Kristi Koleci 22 vjeç dhe Bashkim Mllugja 30 vjeç, të cilët akuzohen për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim në karburante.

Në vijim të operacionit u bë edhe ndalimi i 23 vjeçarit nga Kurbini, Bjankovin Brozi, 23 vjeç, i cili  ka bërë kallëzim në polici, duke thënë se vjedhja me dhunë e kryer në karburant është bërë nga persona të paidentifikuar, por dyshohet se i riu ka njohur 26 vjeçarin Aleksandër Daçi.

Sakaq bashkëngjitur gjeni edhe një video gjatë grabitjes së një pike karburanti ku janë dhunuar dy personat e punësuar, ndërsa është marrë një shumë e konsiderueshme parash.

Të sipërpërmendurit u kapën përgjatë momenteve të përgatitjes së një vjedhje me dhunë të një pike karburanti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Pogradec.

Në cilësinë e provës materiale, grupit të strukturuar kriminal i janë sekuestruar dy automjete tip “Golf” dhe “Benz”, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.

Të arrestuarit e sipërpërmendur janë autorë të dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda ndër të cilat:

1.  Në datë 16 nëntor 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;

2. Në datë 24 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në Ibë të komunës Bërzhitë;

3. Në datë 13 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;

4. Në datë 15 janar 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Burrelit;

5.      Në datë 17 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur Qendër-Gramsh;

6.Vjedhje me dhunë e një pike karburanti në qytetin e Vorës.

Aktualisht vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë të këtij grupi, si dhe për identifikimin e lidhjeve të tjera të mundshme kriminale. Materialet e çështjes i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorive të rretheve gjyqësore Tiranë, Mat, Laç dhe Lushnjë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit