
Nga Monika Shoshori Stafa
Sigurisht askush nuk do të besonte se filmi më i fundit i shpërndarë së fundi në kinematë tona, “The Wolf of Wall Street” do të jepte mesazhe shpjegimi mbi atë se çfarë janë mashtrimet që ndodhin me aksionet e tregut dhe papërgjegjshmëritë personale të njerëzve me cilësi të jashtëzakonshme hiperkinetike, për t’i përballuar pa pasoja mentale ndodhitë e rënda që vijnë më pas. Harrojeni moralin sapo të hidhni hapin e parë përtej.
E megjithatë nuk mund të them se çdokush që nuk e ka humbur Jordanin dhe raportin e tij me jetën mes drogës, seksit, jahteve dhe Lamborghini-t nuk mësoi se mësimi i Marksit për barazinë dhe kooperativën ishte një “botë” e shpikur për luftëra botërore e një flluskë sapuni për mendjet e kalkuluara “rrejtshëm”.
Filmi i ri i Martin Scorsese-s, bazuar në autobiografinë e Jordan Belfort, një agjenti i cili bëri një pasuri të magjishme për një kohë shumë të shkurtër me shitjet në hije të stoqeve të vjetra, dhe i shpenzoi ato më pas për drogë, seks e të tjera, në vitet nëntëdhjetë, para se të shkonte në burg për krimet e tij financiare, ishte njeriu simbol i trazirave të bukura që në një shoqëri pa rregulla, të gjithë do të kishin dashur t’i jetonin si në ditët e fundit të Pompeit derisa ndëshkimi i Zeusit do t’i jepte fund, sikur çdo herë “të bukurat” e ndaluara e kanë një fund të tillë.
Njerëzimi vazhdimisht reflekton ndaj filozofisë së Marksit për shfrytëzimin. Shekulli i 20 solli një zbulim të jashtëzakonshëm, që Marksit dhe pasuesve të tij nuk i kishte shkuar në mendje. Rritja dhe zhvillimi i shoqërisë, sipas konceptit marksist, ishte i mbështetur në shfrytëzimin e fuqisë fizike të njeriut (matematikisht e kufizuar) dhe pjesërisht edhe në fuqinë intelektuale të tij (me progresin e vet të shkallëshkallshëm).
Por do të vinte më pas epoka e John Maynard Keynes, epoka e kejnsianizmit dhe e neokejnsianizmit, që do të zbulonte se armiqësinë e njeriut me kapitalin dhe shfrytëzimin i shuan një galeri e tretë: ajo që quhet tashmë “galeri shpirtërore” dhe që është e pambarueshme dhe e paeksplorueshme si vetë shpirti njerëzor.
J. Keynes, njeriu që projektoi “politikën e re ekonomike” të Leninit, pavarësisht se bota ia njeh për meritë këtij të fundit, pasi e humbi shpresën se mund të realizonte projektin e vet duke u mbështetur në vlerat e “sistemit të ri”, iu drejtua “shoqërisë së vjetër” dhe gjithë jetën, deri sa vdiq në prag të viteve 1980, studioi dhe rekomandoi ndërtimin e një shoqërie në të cilën koncepti tradicional i shfrytëzimit do të shuhej duke e angazhuar shpirtërisht njeriun që punon dhe duke e kthyer në punëtor edhe zotninë. Jordan, ishte 22 vjeç kur u paraqit në Wall Street për të kërkuar punë, një djalë që s’dinte të kthente një gotë uiski, kur një nga ujqërit e Wall Street ia ofroi në ditën e tij të parë të punës.
Një i ri bukurosh me origjinë hebreje rritur në një familje të thjeshtë në Bronx të Nju Jorkut, nuk mund të pranonte të shkelte mësimet e Talmudit, përfshirë edukatën e punës në një familje hebreje. Ngjarjet e filmit janë vendosur pikërisht në këtë periudhë, në fundvitet ‘80. Bota kish ndryshuar, Wall Street-i gjithashtu.
Marrëdhëniet me klientët kishin njohur progres. Lufta bëhej për një koeficient inteligjence më shumë. Gjithkush donte të drejtonte jo më si skllav i parasë, por si pronar dinjitoz i saj. Klienti apo Wall Street-i? Bota e kujt po vinte? Shkëlqimi dhe rënia e Stratton OAKMONT, pronës së Jordan, në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, nuk ka të bëjë aspak me kolapsin që i ndodhi sistemit financiar në këtë kohë.
Ato janë ngjarje të vogla, të cilat për karaktere si Belfort nxisin urinë për të kërkuar më shumë drejt një bote të shfrenuar nga rregullat kanonike të kohës plot seks, drogë apo dhe shpenzime të tjera të tepruara. Dhe ajo që fillon si një lumë gëzimi mes të zgjedhurish, të gjithë të rinj e në fund të tejpasur e të panginjur me shifra, kthehet në një përplasje të paparashikueshme ndër gropat e Wall Street-it. Nuk kuptohet qartë nëse për Scorsese-n, drejtuesit dhe agjentët e Wall Street janë një bandë e re kriminale a një botë që po shkon drejt një urie të panginjur.
Por qartazi ai lë të kuptojë se në vend të armëve dhe municioneve, këta “gangsterë” janë të armatosur me diçka më të rrezikshme – me paratë tona. Qëkur filmi u lançua në Shtetet e Bashkuara, për të ka pasur një lumë kritikash kundrejt veprimeve amorale të ujqërve të vërtetë të Wall Street-it.
Me shumë pak nota të lehta romantizmi midis, i magjepsur gjithmonë pas mendjes kriminale, regjisori gjithmonë duket se e tërheq vetë kritikën me filmat e tij. E gjitha për hir të përkëdheljeve që ai u bën personazheve, që nga Jordan e miqtë e tij që megjithëse i skandalizon me karakterin kontroversial që u dhuron me objektivitet në skenarin e filmit, ka diçka dashurore në raportet e tij me ta, një lloj afeksioni të ndaluar e të pamundur njëkohësisht, siç është fjala vjen dashuria mes një hebreu dhe një të krishtere në mesin e shekullit XV, në kohërat e kryqëzatës së parë.
E kjo vjen, sepse vetë Scorsese e ndien se ka pak “Jordan Belfort” në gjakun e tij, e sepse edhe ne, në fund të fundit pasi kemi parë filmin do ta përjetojmë ndjesinë e Scorsese-s vetë, se të gjithë jemi pak ‘Belfort’ në gjakun tonë. Shumëkush nga ne është qytetar i një shoqërie të përcaktuar nga financat e saj, nga sistemi i saj monetar jo fort i përbashkët globalisht, nga kriza e ushqimit dhe e prodhimit, nga mungesa e transaksioneve të larta monetare, nga shpërblimet e pakta që marrim kundrejt asaj çka ne i ofrojmë shoqërisë, të mbërthyer keqas pas kapitalistëve me stof dhe pa të, të paditur dhe krejtësisht mediokër në atë çka presim prej tyre referuar reformave të pacikura neokejnianiste, por padyshim të gjithë, si qenie njerëzore po aq të varur nga paratë, si Belfort apo Rothchild-ët.
Por Belfort dhe djem-gjeni si ai, thjesht kanë paturpësinë dhe inatin për të bërë karrierë me to. Pavarësisht nga qëllimet tona fisnike dhe parimet më të palëkundura e stoike në të shumtën e rasteve, Jordan është një personazh që ia del me sukses të provokojë fantazitë tona, nëse me sforco herën e parë, të dytën patjetër që ndodh.
Nëse ndër filma të tjerë me antiheronj të tillë kemi dalluar me kujdes përpjekjen e tyre për të ruajtur një pjesë të kodit të tyre, ujqërit e Wall Street janë të shtyrë pak më shumë se ndjenja e parë gjenetike njerëzore për të bërë pasuri, duke i bërë ata shumë më horra të neveritshëm e më djallëzorë se të Scorsese-s. Ndërsa është e lehtë për të mospranuar sjelljet e Belfort dhe ndërmjetësit e tij të kriptuar, është e vështirë të mos dëshirosh me të njëjtat ekstravaganca materialiste stilin e tyre të jetës, të cilin Kejnsi që nga vitet ‘80 ia bëri të mundur njerëzimit ta ëndërronte. Pse jo, derisa punëtori ish bërë zotni dhe jo vetëm? Por hipte në një Lamborghini fund e krye të magjishëm?
Pranë sipërmarrjeve perëndimore në këto kohë u krijuan ato që u quajtën “agjenci të gjendjes shpirtërore të punëtorëve”. E vumë re këtë dhe gjatë filmit kur Di Caprio në rolin e Belfort, financoi arsimimin e një prej fëmijëve të një punëtori aty. Detyra e tyre ishte vetëm të sistemonin informacionin: kush kishte ditëlindjen, kush kishte një përvjetor martese, me fëmijët, me shëndetin. Nuk duhej shumë për të prekur shpirtrat e ndjeshëm të njerëzve punëtorë: një pyetje e zotnisë për djalin e sëmurë apo dhe për shpenzimet e nevojshme që nuk arrinin dot të kryheshin nga familjarët.
Jo, ky nuk ishte më kapitalisti i dikurshëm shfrytëzues! Nuk ishte më as “klasa që urrehet”. Por ky qe vetëm fillimi. Hap pas hapi shpirtrat njerëzorë, galeria shpirtërore, u vu në lëvizje edhe përmes mekanizmash të tjerë, thelbi i të cilëve është respekti për mendjen, respekti për dhuntinë. “Djalit të Keq” të Wall Street-it pa dyshim i mungon kompleksiteti, dialogu i mprehtë apo dhe skenat e stilizuara, të cilat janë lënë mënjanë.
I gjithë filmi duket të jetë për shumë sy të zakonshëm një deklaratë e thjeshtë për lakminë ndaj pasurisë. Për të tjerë, pak më të hollë në vëzhgim, një mesazh i koduar për një botë që ka ekzistuar që pa u shpikur ende monedha e parë. Për të parët pasuria është një mënyrë për t’i shërbyer më mirë zotit, e ku paraja ka pasoja të mynxyrshme, për të tjerët pasuria nuk të siguron shpëtimin, por për ta, të vdesësh i pasur është një bekim.
Ndoshta kjo është dhe pika e fortë e filmit të Scorsese-s. Paralelisht me këto thellohen diferencat ndërmjet dy doktrinave ekonomike, asaj të krishtere dhe judaike. Për të parët, pasuria e lakmuar të djeg gishtërinjtë, për të dytët cilido mund ta gëzojë paranë e fituar me drejtësi, nëse e ndan dhe më të varfrit (Kejnsi).
Koha tregoi se të dyja kanë bashkëjetuar fort me njëra-tjetrën, e para mes rregullave kanonike egërsisht të vendosura, e dyta më shumë e nxitur nga mendjet njerëzore. Por në fund lakmia nuk është e komplikuar si ves njerëzor. Vetëm se ajo të konsumon tërësisht, është e pushtetshme gjerësisht dhe krejtësisht njerëzore fatkeqësisht.
Por dhe kështu mes luftërave të përbotshme mes dy doktrinave, kritikave të panumërta të të dyja kaheve, filmi i Scorsese-s ia arriti të ketë sukses deri sa biletat e tij vlejnë ende deri në numrin e fundit jo vetëm në Shqipërinë e krizës së madhe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





