Transmetuar më 03-02-2014, 22:41

Edhe pse kanë kaluar gati 4 vjet (19 maj 2010) nga takimi i shumëpërfolur i z. Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, me kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, tani kryeministër, në restorantin e mirënjohur ‘Au Crocodile’ në Strasburg, hijet që lidhen me atë darkë të stërzgjatur duket sikur i vërtiten frikshëm Shqipërisë përsëri. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule së bashku me eurodeputetët Joseph Daul dhe Martin Schulz, që e kishin ndërmjetësuar takimin, ose stafi i tyre, zgjodhën një restorant me emrin e një zvarraniku nga më të rrezikshmit sikurse është krokodili (pakkush nuk e njeh këtë krijesë, të paktën nga filmat e dokumentarët, që jeton në ujë por ndihet mirë edhe në tokë kur sulmon prenë e rastit).

Ndoshta u zgjata me emrin e restorantit të mirënjohur, por pakkush nuk e kuptoi simbolikën e zhvillimit të atij takimi pikërisht tek ‘Au Crocodile’ në atë kohë të dy personave më të rëndësishëm të skenës politike të Tiranës, që ia kishte sjellë shpirtin në fyt Brukselit dhe jo vetëm atij, me një konfliktualitet të tejskajshëm politik.

E tani kaq vite pas ‘Krokodilit’, zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar, që kanë sjellë në pushtet z. Edi Rama, ndryshimit të kreut, të paktën fizikisht, të Partisë Demokratike ku z. Sali Berisha ia ka lëshuar vendin z. Lulzim Basha, kushdo, por më shumë se të gjithë, shqiptarët e thjeshtë, duan qetësi dhe stabilitet politik, që t’i hapet rruga një gjendjeje më të mirë ekonomike dhe sociale; mëse 1 milion votat e zgjedhësve të koalicionit të majtë, që u konsideruan ‘shuplakë’ për keqqeverisjen e z. Berisha (por jo vetëm ata), shpresojnë tek premtimet e PS, të cilave iu bashkua edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) pas 1 prillit, vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve, duke prishur koalicionin me PD-në e Berishës. Askush nuk ushqen iluzione për ‘lugën e florinjtë’ të premtuar para 23 qershorit, por pritshmëritë popullore janë për më shumë punësim, shëndetësi të vërtetë falas, pensione më të larta, paqe sociale pa kriminalitet të frikshëm dhe mbi të gjitha drejtësi për të gjithë para ligjit.

Por mbi të gjitha askush nuk dëshiron të shikojë rigjallërim të krimit, tritol andej e këndej, vjedhje e grabitje, dhe frikë ka krijuar kapja e suksesshme dhe e bujshme nga policia para pak ditësh e disa vrasësve që vepronin në atë që po quhet ‘tregu i vrasësve me pagesë’.

Po kështu, askush nuk do të dëshironte që në dhjetorin e 2013 Shqipëria të mos merrte përsëri statusin e vendit kandidat për në BE. Por ngjau, megjithëse Brukseli e ka lënë shtegun hapur që në qershor të këtij viti kjo ëndërr e shqiptarëve të realizohet.

E në këtë kontekst kemi dëgjuar zyrtarë të Brukselit, edhe aleatë të tjerë si SHBA, të këshillojnë se qershori vjen shpejt. Dhe me të vërtetë hyri shkurti, pra shqiptarët i ndajnë vetëm 4 muaj nga mundësia tjetër. Mirëpo një ndër kushtet kryesore (edhe pse thuhet aty-këtu se nuk ka kushte) është një klimë e favorshme politike në vend, bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës për kryekushtin– stabilitet politik në Shqipëri, i mbështetur në tri shtylla kryesore: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit.

Sesionet plenare të Parlamentit, vendi ku marrin rrugë të gjitha ligjet që vendosin mbi këto gjëra dhe që është pasqyra politike e legjislative e vendit, fatkeqësisht janë kthyer në një teatër tragjiko-komik, që të kujton periudhën kur Partia Socialiste ishte në opozitë. mos më keq!

Mjafton t’i referohemi vetëm seancës së ditës së enjte të kaluar (30 janar), kur po përpiqeshim të kapnim thelbin e problemeve në diskutim. Por 99 për qind e asaj që ngjau ishte një katrahurë e vërtetë akuzash e kundërakuzash nga më të ndryshmet, shpeshherë të turpshme për t’u përmendur në këtë shkrim.

Sipas dëshmive që u thanë nga shumë deputetë të majtë apo të djathtë, është e kotë, mendoj, që policia të lodhet me kërkimin e krimit në rrugë (se ka rezultate që duhen vlerësuar e përshëndetur në këtë aspekt), por nga folësit dilte se ‘truri’ dhe organizatori i tij ishin aty, mu në sallën e parlamentit, kurse bashkëpunëtorët e tyre respektivë jashtë sallës, duke i pritur për të vazhduar vazhdimin.

Garë e vërtetë ekspozimi dosjesh të gjoja krimit u shpalos me emra konkretë, me ‘dokumente’, që tundeshin kërcënueshëm nga podiumi i organit më të lartë të zgjedhur nga populli. Raste të panjohura, raste të njohura, por një gjë dukej qartë- kundërmonte një frymë e një korrupsioni të shfrenuar me pak shpresë për t’u kontrolluar.

Në fakt, në sytë e popullit të thjeshtë- të ‘spektatorëve’ të asaj që po ndodhte, pak mund të duken krejt të ‘larë’, kur jo vetëm këta 140 deputetë, por klasa politike shqiptare jeton në botën e ‘Ali Babës’, – të pasurive marramendëse, që edhe institucionet ndërkombëtare, të cilat merren me vlerësimin e ndarjes së të ardhurave në botë e konsiderojnë Shqipërinë si një ndër rastet e rralla ku një pakicë ka në dorë gati të gjitha asetet e vendit. Tiradat ku përmendeshin emra deputetësh e bashkëpunëtorësh të tyre pas bizneseve të paligjshme, blloqe pallatesh pa leje, vila luksoze në zonat turistike bregdetare e malore në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë bërë shqiptarët e thjeshtë, që po luftojnë për jetën e përditshme, të ndihen keq. Megjithëse shumë prej tyre shikojnë e rishikojnë sa e pamatë qenka makutëria e tyre, sepse shumë gjëra nuk janë krejt të reja, të panjohura!

Hija e dosjeve, e tundjes së çantave nga deputetë dhe bashkëpunëtorët e tyre me ‘fakte kompromentuese’ sikurse pretendojnë kundër njëri-tjetrit, janë skena që populli i shikon, dhe i diskuton.

Por, a i shikojnë këto skena prokuroria, gjyqësori, sistemi i drejtësisë – gardiani i shtetit ligjor në shoqërinë shqiptare? Pikërisht këtë po kërkojnë BE, SHBA e organizma të tjerë ndërkombëtarë që të reformohet nga themeli, domethënë të bëjë punën e tij sistemi i drejtësisë, i cili deri tani mbetet në rolin e ‘dekoratorit’. Dhe ata kanë investuar shumë në këtë fushë.

Ndërsa kjo ngjiste në parlament, në një sallë tjetër kryetari i PD-së, që është edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i asaj bashkie që para 3 vjetësh e komandonte kryeministri i tanishëm Edi Rama, kërkonte konsensus për reformën territoriale; këtë gjë bënte edhe mazhoranca, por në optikën e saj. Rezultati: Jo konsensus.

“Kjo është koha të realizojmë disa reforma së bashku”, do të thoshte kryetari i Parlamentit, Ilir Meta në këtë legjislaturë, i mbështetur nga një grup parlamentar prej 18 deputetësh, jo më nga 3 deputetë si në kohën kur ishte në aleancë me Partinë Demokratike, vota që në fakt e kishin bërë LSI-në ‘kingmaker’ më 2009. Ai po thoshte më 30 janar se mazhoranca është e angazhuar për reformën administrativo- territoriale. Por, a e ‘beson’ opozita e tanishme, në fakt z. Sali Berisha, ish-shefi i kryetarit të tanishëm të parlamentit nga 2009 deri më 1 prill të 2013 kur në ato kohëra ai ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, më vonë ministër i Ekonomisë? E vështirë të konfirmohet edhe pse z. Meta i ka krijuar një status të veçantë z. Berisha në ndërhyrjet e tij në seancat parlamentare me vend e pavend, shpesh në shkelje të plotë të procedurave dhe rregullores së veprimtarisë së parlamentit. Nga njëra anë mirë bën, se shpesh edhe të akuzuarit e shumtë të majtë nga z. Berisha nuk mund të mos gajasen prej batutave të ish-kryeministrit… Shkurt, të krijohet përshtypja se z. Meta është thirrur në këtë legjislaturë për të luajtur rolin e moderatorit në skenën politike të acaruar të Shqipërisë, që, për hir të së vërtetës po e luan me mjeshtri.

Por, a është kjo fryma e kompromisit që rekomandon, madje me sa kuptohet kërkon Brukseli për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat? Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duket qartë se nuk kanë asnjë pikë vullneti të mirë për të toleruar njëri-tjetrin dhe në këtë ‘lojë’ të z. Berisha është përfshirë edhe kryesuesi i opozitës së tanishme shqiptare, z. Lulzim Basha.

As për kortezinë më të vogël kryeministri dhe dy drejtuesit e opozitës nuk i japin dorën njëri-tjetrit në raste shumë zyrtare e ceremoniale në prani edhe të ambasadorëve; e kjo nuk është pak për botën e civilizuar.

Brukseli nuk është lodhur me politikanët e Tiranës duke ndërmjetësuar kompromise të ndryshme, gjithnjë i nisur nga bindja e plotë që mbizotëron atje për vokacionin proeuropian të popullit shqiptar. Ishin politikanët e BE-së dhe shumë ambasadorë të vendeve mike në Tiranë, që në kulmin e krizës politike me zellin më të madh punuan që Shqipëria të përfshihej në zonën Shengen. E bënë për shqiptarët e thjeshtë, të cilët po e gëzojnë këtë mundësi- të lëvizin lirshëm në Europën demokratike pa viza. E për shqiptarët e izoluar hermetikisht nga diktatura më e egër në Europën Lindore, liberalizimi i vizave më 2010 ishte një çlirim i vërtetë nga zinxhirët e izolimit në zemër të Europës.

Atëherë, a ka mundësi që Brukseli të ndërmarrë ndonjë iniciativë tjetër të natyrës ‘Au Crocodile’ si në 2010, për të mos lejuar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës politike, por edhe sociale dhe ekonomike në Shqipëri?

Rrjedha e ngjarjeve dhe e zhvillimeve gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, veçanërisht në momente historike sikurse është tani statusi i vendit kandidat, kanë provuar se të gjitha instancat e Bashkimit Europian, të Parlamentit Europian, të Këshillit të Europës, dhe pa asnjë mëdyshje të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe shefit të tij, Ambasadorit të palodhshëm Ettore Sequi, nuk rreshtin përpjekjet që Shqipëria dhe populli i saj të vazhdojnë rrugën e pakthyeshme të integrimit europian.

Në Tiranë nuk ka restorant me emrin ‘Au Crocodile’ thamë, e kjo e thënë në mënyrë simbolike, por aspak nuk është e pamundur që figura si Komisioneri Stefan Fule dhe të tjerë t’i vazhdojnë përpjekjet si më parë, si më 2010 në Strasburg, në kryeqytetin shqiptar a gjetkë, që të ‘ulin gjakrat’ e politikës shqiptare– e këtë për hir të popullit shqiptar, që shikon drejt BE-së, dëshiron fort të integrohet plotësisht në familjen e Europës së vlerave demokratike.

*Kryeredaktor i gazetës në anglisht, Albanian Daily News

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit