Transmetuar më 03-02-2014, 17:20

Tiranë, 3 shkurt 2014, NOA.al- Policia ka prangosur sot një grup grabitësish, të akuzuar për vjedhje me dhunë të disa pikave të karburanteve në qytete të ndryshme të vendit. Më datë 03 shkurt 2014 strukturat e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, pas një hetimi të kujdesshëm, bënë mundur kapjen e një grupi të strukturuar kriminal me tendencë vjedhjen me dhunë të karburanteve në disa qytete të Shqipërisë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjahtarët e natës”, u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit e mëposhtëm, Rigels Halil Halmusaj, 24 vjeç, banues në Kamëz, Aleksandër Frok Daci, 26 vjeç, banues në Kamëz Tiranë, Kristi Fatmir Koleci, 22 vjeç, banues në Bathore, Bashkim Sali Mellungja, 30 vjeç, banues në Bathore, Ndue Deshaj, 27 vjeç, banues në Bathore dhe Fredi Sali Mellungja, 26 vjeç, banues në Kamëz dhe është shpallur në kërkim policor Gentian Lika.

Policia bën të ditur se arrestimi i këtyre personave u krye pas një angazhimi maksimal të strukturave të policisë dhe vlerësimin në kohë të informacioneve mbi vendndodhjen e identitetin e tyre. Të 5 shtetasit u kapën përgjatë momenteve të përgatitjes së një vjedhje me dhunë të një pike karburanti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Pogradec.

Në cilësinë e provës materiale, grupit të strukturuar kriminal i janë sekuestruar dy automjete tip “Golf” dhe “Benz”, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.

Sipas policisë të arrestuarit e sipërpërmendur janë autorë të dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda ndër të cilat: vjedhja e një pike karburanti në qytetin e Laçit në nëntor të 2013, vjedhje e një pike karburanti në Ibë të komunës Bërzhitë më janar të 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit, po në janar të 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Burrelit në janar të 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur Qendër-Gramsh, në janar të 2014, vjedhje me dhunë e një pike karburanti në qytetin e Vorës.

Gjithashtu policia po vazhdon punën  për dokumentimin e plotë të veprimtarisë të këtij grupi, si dhe për identifikimin e lidhjeve të tjera të mundshme kriminale. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit