
Fitorja 3-1 ndaj Interit ishte një provë force e treguar nga Juventus, që la të kënaqur sidomos trajnerin Antonio Conte, citon Supersport. 44-vjeçari, tha se e kishte përgatitur deri në detaje supersfidën e javës së 22 të Serisë A, ndërsa shpjegoi reagimin e tij impulsiv edhe kur rezultati ishte 3-0.
“E kishim përgatitur sfidën në detajet më të vogla, në të gjithë pikëpamjet. Veçanërisht kishim studiuar mënyrën sesi duhej liruar Pirlo nga mbulimi i Kovaçiç dhe Alvarez.
Goli i pësuar mund të rihapte ndeshjen. Kur rezultati ishte 3-0 bëra si i çmendur sepse tensioni duhet ruajtur deri në fund, mjafton një gol aksidental për të ndryshuar rrjedhën e lojës.” Ndodh rrallë që Conte të flasë me superlativa për formacionin e tij, sepse një trajner si ai nuk kënaqet kurrë.
“Jemi skuadra që ka shënuar më shumë gola, dhe mund realizonim më shumë edhe ndaj zikaltërve, por Handanoviç u tregua shumë i zoti në situata të veçanta. Gjithsesi, jam i kënaqur nga paraqitja e përgjithshme.”
Conte rezervon një koment edhe për merkaton e sapombyllur. “Osvaldo ishte një mundësi që e shfrytëzuam. Ai kërkoi me ngulm të vinte tek ne, madje ka pranuar edhe ulje të pagës. Me të kemi rritur cilësinë e sulmit”.
Ndërsa një vlerësim të veçante trajneri bardhezi ka për Pogba dhe Vidal. “Shpresoj të vijojnë kështu dhe të përmirësohen më tepër. Shpresoj gjithashtu që djemtë e mi të fitojnë sa unë ose më shumë”.
I kenaqur me fitoren dhe sigurisht me golin e shënuar, Arturo Vidal tha se Juventusi tregoi edhe një herë se është skuadra më e fortë, e cila duhet të vijojë me këtë ritëm deri në fund të sezonit.
Kiliani ia dedikoi golin familjes, veçanërisht vajzës së tij, që pritet të vijë së shpejti në jetë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





