Transmetuar më 03-02-2014, 15:30

Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani nis të mendojë për Atleticon e Madridit, rivalin e kuqezinjve në 1/8-at e Champions League, ekip për të cilin ai tha se ka një përgatitje fizike të jashtëzakonshme.

“E ndoqa pak ndeshjen e Atleticos me Real Sociedad. Kjo skuadër po demonstron një përgatitje të jashtëzakonshme, që në fakt ka nisur prej disa vitesh dhe tani po ecën mjaft mirë”.

Veç elozheve për skuadrën në tërësi, Galliani veçoi arkitektin e sukseseve të skuadrës madrilene, teknikun Diego Simeone, për të cilin tha se është një trajner i shkëlqyer.

Nga ana tjetër, drejtuesi veteran i Milanit foli i rezervuar për pafuqinë e skuadrës për të fituar kundër Torinos, teksa shprehu besim se suksesi mund të vijë në takimin e radhës.

“Filozofia e lojës ka ndryshuar. Lojtarët janë përshtatur dhe deri tani po ecim mirë. Jemi të gjithë të kënaqur, pasi me Seedorf në krye të skuadrës, punët duket se po shkojnë në drejtimin e duhur”.

Në fund, në lidhje me thashethemet e merkatos së dimrit, se ka një akord me portierin Agazzi, të cilit kontrata me Cagliarin i skadon në fund të sezonit, Galliani konfirmoi se nuk ka asgjë të vërtetë dhe duhet pritur për të parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit