Transmetuar më 03-02-2014, 15:04

Në mungesë të informacioneve zyrtare, nga Anglia e përditshmja “The Mirror” shkruan se Michael Schumacher, i cili ndodhet në shtrat prej më shumë se një muaji, mund të nxirret nga koma artificiale për të kaluar në gjendjen e komës natyrale.

Mjekët që i qëndrojnë gjatë gjithë kohës mbi kokë legjendës së Formula 1, besojnë se faza më e vështirë ndodhet përpara. Bashkëshortja e 7 herë kampionit, Corinna dhe dy fëmijët janë paralajmëruar se terapia intensive fizike mund të zgjasë për muaj të tërë, ndoshta edhe vite, citon Supersport.

Edhe më i zymtë duket parashikimi i profeso Heinzpeter Moecke, drejtues i një klinike në Hamburg. “Për fat të keq ekziston rreziku që Schumacher të dalë nga gjumi i thellë artificial dhe të zhytet në koma natyrale.

Ndryshe të kalojë në gjendje vegjetative, e cila mund t’i shkaktojë atij paralizë të trupit. Në raste të tilla, nëse pacienti zgjohet nga koma artificiale në konfuzion, ai nuk do të jetë në gjendje të dijë se kush është dhe ku ndodhet, dhe situata mund të bëhet më e rëndë duke tentuar të shkëpusë tubat nga trupi i tij.

Atëherë mjekët do të detyrohen ta vënë sërish në gjumë, por më të lehtë këtë herë”. Pavarësisht parashikimeve, në Francë mjekët e spitalit të Grenoble vazhdojnë procedurën e zgjimit të heroit të Formula 1.

Ish piloti ka pulitur disa herë sytë, por ashtu siç njoftoi ditë më parë menaxherja e tij, Sabine Kehm, ky proces mund të zgjasë gjatë. E gjithë bota ndërkohë vazhdon të mbajë frymën me shpresën për një lajm të mirë nga Schumi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit