Transmetuar më 02-02-2014, 21:50

Një i ri shqiptar së bashku me dy shtetas grekë, shihen nga policia në Athinë si autorë të vrasjes në bashkëpunim të dy anëtarëve të partisë ekstremiste Agimi i Artë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 1 nëntor 2013, pranë zyrave të një dege lokale të partisë Agimi i Artë në Neo Iraklio, Athinë.

Gazeta greke “To Vima” publikoi të dielën lajmin duke thënë se dy grekë dhe një shqiptar janë autorë të vrasjes së dy anëtarëve të Agimit të Artë, Manolis Kapelonis dhe Jorgos Foundoulis.

Policia greke thotë se tre të dyshuarit akuzohen edhe për krime të tjera si grabitje, vrasje të mbetura në tentativë dhe vjedhje të ndryshme.

Përgjimi i telefonatave të të dyshuarve ka çuar policinë në përfundimin se ata janë autorë të këtyre krimeve, përfshirë dhe vrasjen e dyfishtë në zyrat e Agimit të Artë.

Përgjegjësinë për vrasjen e dy anëtarëve të Agimit të Artë e kishte marrë organizata Forcat Popullore për Revolucion me Luftë.

“Hetimet e policisë greke u nxitën pasi në Shqipëri u rrëfye 30 vjeçari Julian Sinani i cili i tha policisë vendase se kishte marrë porosi për të kryer vrasje me pagesë në Greqi dhe kishte marrë pjesë në shpërthimin me bombë në maj 2010 në gjykatën e Selanikut”, shkruan “To Vima”. Për atë ngjarje, në atë kohë përgjegjësinë e kishte marrë organizata e quajtur Bashkimi i Bërthamave të Zjarrit. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit