Transmetuar më 02-02-2014, 20:48

Zhvillimi i zgjedhjeve në partitë politike, ngërçi i pakapërcyeshëm për liderët politikë. Statute që nuk respektohen, afate të shkelura dhe rreziku i zhdukjes së konceptit “garë” brenda forcave politike

Nga Rozeta Rapushi

Partitë politike shqiptare janë të afta të bëjnë çdo gjë. Të zhvillojnë një opozitë të fortë. Të protestojnë ashpër për kauzat e tyre, për të cilat mund të arrijnë deri në greva urie. Të luftojnë kundërshtarët apo zërat ndryshe brenda llojit. Të mos njohin rezultatin e zgjedhjeve, edhe nëse ai certifikohet nga Komisioni më i Lartë Zgjedhor. Të ngrihen për kauza të rëndësishme shoqërore. Praktikisht çdo gjë që u lejon struktura që kanë. Përveçse një gjëje: Të zhvillojnë në kohë dhe ashtu siç i ka hije një vendi demokratik, zgjedhjet brenda tyre. Qofshin këto për kreun e partisë apo edhe për strukturat e tjera të larta apo të ulëta që kanë. Ky fenomen është gjerësisht i përhapur në pothuajse të gjitha forcat politike në vend. Me disa përjashtime shumë të vogla, që shihen si çudira nga shumica e atyre që nuk e njohin rotacionin brenda partisë apo vënien në jetë pikë për pikë të statutit në bazë të cilit funksionojnë, pa deviacione.

Fitorja s’kërkon zgjedhje

Rasti më i freskët është ajo që po ndodh në selinë rozë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit. Para zhvillimit të zgjedhjeve, të gjithë në këtë parti pohonin pa kurrfarë problemi se zgjedhjet, ashtu siç e kërkon edhe statuti i partisë për kryetar edhe më gjerë, do të zhvillohen kur u takojnë. Në shtator 2013. Por fitorja i ndryshon letrat në tavolinë. Zgjedhje nuk ka. Dhe as nuk pritet që të ketë, ndonëse mandati katërvjeçar i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, zyrtarisht ka përfunduar në 27 shtator 2013. Pasi në këtë datë, katër vite më parë, në vitin 2009, ai arriti të fitojë përballë kundërshtarit modest, Maqo Lakrori. Praktikisht, drejtimi i tij në PS, prej katër muajsh tashmë po vijon pa mandat. Por kjo nuk përbën aspak një problem as për kryeministrin dhe as për partinë dhe anëtarët e saj.

Madje vetë kreu i qeverisë pasi mori pushtetin, u shpreh se ndoshta në të tilla kushte, kur e majta fitoi zgjedhjet, nuk është e nevojshme që të zhvillohen zgjedhje me “një anëtar një votë” për kreun e partisë. Por thjesht të bëhet një konfirmim në forume i kryetarit. Me një logjikë të tillë, kreu duhet të mbetet sërish ai, pasi arriti ta çojë partinë drejt fitores së shumë pritur.

Reagimet brenda së majtës, që po gëzon muajt e parë të pushtetit, ashtu siç edhe pritej ishin të pakta. Të flasësh për zgjedhje, kur ke një shtet për të drejtuar, është luks i madh. Por ja që ka edhe nga ata që janë të habitur për anashkalimin e procedurave të tilla ligjore partiake siç është edhe statuti. Ndonëse në minorancë, deputeti socialist, Ben Blushi, nuk ngurroi të reagojë në prononcimin më të parë të bërë në media për vendime të tilla të reja. Ai nuk u shpreh aspak i çuditur nga deklarata e Ramës por lehtësia sipas të cilën ajo u bë. Reagimi në fakt erdhi jo vetëm për qëndrimin e kryetarit dhe propozimet e reja të bëra publike në media por edhe nga vijueshmëria e kreut pa mandat.

“T’i thuash një partie se nuk do bëjë zgjedhje, është si t’i thuash një njeriu se nuk duhet të marrë frymë se ka ca punë të tjera. Zgjedhjet në një parti, ashtu si edhe në një vend, nuk janë vendim personal. Edhe partitë më të pacivilizuara të botës bëjnë zgjedhje. Për të mos folur për shtetet. Ky është një detyrim që në rastin e shteteve parashikohet në Kushtetutë, kurse në rastin e partive parashikohet në statut. Statuti i partive është një kontratë e aty re që janë anëtarë të saj”, u shpreh konkretisht Blushi, duke i dhënë një përgjigje të fortë qëndrimit të kryesocialistit dhe duke i bërë të ditur se ligji (statuti) e parashikon ndryshe. Në këto kushte, socialisti jo pa shkak ngre pyetjen, se çfarë do të ishte PS, sikur në statutin e saj të thuhej se zgjedhjet bëhen kurdoherë, menjëherë, shpeshherë, nganjëherë apo ndonjëherë. “Pra, asnjëherë sa herë që gjykohet herë-herë. Por pa bërë shaka me rimë, pyetja është kush gjykon se kur bëhen zgjedhjet. Askush nuk e ka dhe s’ka pse e ka këtë të drejtë”.

Kur statuti e parashikon

Në statutin e Partisë Socialiste, ligjin e kësaj force politike, rreshtat nuk lenë shumë vend për të diskutuar apo negociuar për ndryshime të befta. Në nenin 30 të tij, bëhet e qartë, se Kryetari i partisë zgjidhet me votë, një herë në katër vjet. Për rrjedhojë, detyrimi i kreut socialist, sot kryeministër, Edi Rama, ishte të niste punën për organizimin e zgjedhjeve, pak kohë nga skadimi i mandatit katër vjeçar në 27 shtator. Zvarritja e procesit në këtë rast nuk e ka një justifikim. Jo se pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, nuk dihet që Rama do të votëbesohej me një mandat të katërt përballë një kandidati çfarë do, por se të paktën “për sy e faqe”, procedurat duhet të zhvilloheshin. Dhe madje të nisnin që në fillim të muajit shtator 2013, pasi deri në procesin e zgjedhjes, duhet të kalohen disa hallka. Mes të cilave, mbledhja e kryesisë së partisë, thirrja e Asamblesë Kombëtare që cakton datën e Kongresit të Jashtëzakonshëm i cili administron kandidaturat për kryetar të partisë. Në nenin 30 të tij, statuti i Partisë Socialiste përcakton se mandati i kryetarit është 4 vjet. “Mandati ndërpritet para kohe kur: a) jep dorëheqjen; b) Partia humbet zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c) humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë”, sanksionon statuti.

Justifikimi i vetëm i të majtëve në këtë rast, është se meqë arritën të marrin afro 1 milion vota më shumë, zgjedhjet mund të shtyhen për më vonë. Por nuk thuhet se edhe që të realizohet një proces i tillë, nevojitet që Statuti i partisë të interpretohet. Procedurë kjo që kryhet nga Komisioni i Garancive Statutore.

Zvarritja e ndryshimeve

Në pothuajse të njëjtën situatë me disa ndryshime të vogla ndodhet edhe kampi i djathtë. Në Partinë Demokratike, zgjedhjet kanë nisur por nuk dihet ende koha se kur do të bitisen. Vonesat në procedura dhe mos zgjedhja e strukturave, po karakterizojnë procesin që fillimisht u premtua se do të ristrukturonte thellësisht partinë brenda dhjetorit të vitit të kaluar. Megjithatë, mund të thuhet se hapa janë bërë në çeljen e procesit zgjedhor për ristrukturimin e partisë, por ajo që mungon është vijueshmëria dhe rezultati përfundimtar.

Përballë humbjes së rëndë në 23 Qershor, selia blu pësoi ndryshime thelbësore që lidheshin drejtpërdrejt me kreun e saj, liderin Sali Berisha. Me dorëheqjen e tij pas humbjes në zgjedhje, hera e parë që ndodhte nga marrja e Berishës të këtij posti, fillimisht u duk se një erë e re po frynte në këtë forcë politike dhe madje do të zgjaste për ca kohë. Por ja që nuk ndodhi kështu. Amullia përfshiu procesin, sapo përfundoi procedura e zgjedhjes së kreut të ri të partisë, Lulzim Basha. Pas tij, nuk pati më rifreskime, ristrukturime apo analiza të thella për humbjen e pësuar. Sot, pas më shumë se gjashtë muaj nga rotacioni në PD, përditë e më shumë po flitet për ndryshime, që do të prekin të gjitha strukturat nga më e larta tek më e ulëta. Por mungojnë rezultatet konkrete. Kësaj force politike, do t’i duhet të zhvillojë një sërë procesesh zinxhir pas vendeve vakante të lëna prej kohësh. Në selinë blu, duhet të zgjidhen të gjitha strukturat. Nënkryetarët, sekretarët, kryesia, strukturat në rrethe. Praktikisht çdo gjë. Dhe në këtë aspekt nuk ka më vend për vonesa. Për të mos përmendur më pas se duhet zhvilluar edhe një analizë konkrete për humbjen e madhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Pasi pa nxjerrë përgjegjësit dhe problemet që çuan në disfatë, nuk ka se si të përzgjedhësh strukturat e reja. Aktualisht, gara më shumë është përqendruar tek zëvendësit e kreut demokrat, duke qenë se pretendentet dhe garueset më të forta janë femra. Kandidate për nënkryetare janë figura të tilla si Grida Duma, e cila vetëm pak kohë më parë deklaroi se e mirëpret një gjë të tillë, Majlinda Bregu dhe Jorida Tabaku.

Rikthimi në të ligjshmen

Gjithmonë ka qenë dhe është e vështirë të zhvillohen zgjedhjet brenda partive politike. Kjo shpjegon edhe rastet kur kryetarët janë të palëkundshëm nga postet që mbajnë ndoshta deri në vdekje. Dhe arsye për dorëheqje nuk ka përbërë as humbja në zgjedhje. Një situatë e tillë sjell pasoja të pashmangshme si ajo e shkeljes së statutit nga kreu dhe një parti e tërë apo edhe tejkalim i afateve dhe shtyrjeve pa fund të plotësimit të vendeve vakante. Dhe mbi të gjitha shkaktojnë raste të përsëritura të shkeljes, që rrezikojnë të kthehen në praktikë e ndoshta në një të ardhme në ndryshime të domosdoshme në statut.

Hapat e bërë kohë më parë nga forca politike edhe më të vogla për zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë”, duhet të praktikohen kudo në çdo votim në çdo parti. Dhe vendime të tilla si ajo e ish kreut demokrat, Sali Berisha, pas humbjes së zgjedhjeve duhet të jenë normale për një lider që nuk e çon dot drejt fitores partinë e tij. Në këtë mënyrë largimi vjen në përputhje me zbatimin e statutit të partisë që jo më kot është miratuar me shumicë votash dhe jo si rezultat i ezaurimit politik apo moshës. Përveç kësaj, duke respektuar rregullat e brendshme të partisë, një forcë politike tregon dhe vendosshmërinë e saj për të vijuar me të njëjtën linjë edhe kur të marrë frenat e pushtetit në dorë, kur përgjegjësia për zbatimin e rregullave është më e madhe. Ndërkohë që nga ana tjetër, rrit edhe besueshmërinë tek anëtarët dhe mbështetësit e saj se demokracia funksionon.

Ndryshimi – Parti të vogla, nisma të mëdha

Në realitetin shqiptar, është e vështirë të besosh se parti të vogla, ndoshta ndër më të voglat në hierarki të përbëjnë ndryshimin kur bëhet fjalë për demokraci të brendshme dhe rotacion e zgjedhje të lira, në kohë dhe në përputhje me statutin. Kështu është Partia Lëvizja e Legalitetit. Ndër të paktat parti politike që ka ndryshuar jo pak herë liderin e saj. Rotacioni politik nuk është domosdoshmëri një sukses për partinë, por të paktën ndryshe nga simotrat e saj, PLL jo vetëm që ka respektuar statutin, ka zhvilluar zgjedhjet në kohë por edhe ka njohur të drejtën e votës. Ashtu siç edhe pohoi në një intervistë për Revistën Klan, kreu i saj Sulejman Gjana, i sapo zgjedhur në krye të kësaj partie, PLL është ndoshta partia e vetme shqiptare që ka një histori demokratike. Në Kongresin e 18 i partisë që nga themelimi i saj ka pasur një rotacion të vazhdueshëm në drejtimin e partisë dhe shumë kryetarë si Abaz Kupin, Fuat Myftinë, Guri Durollarin, Ekrem Spahinë, etj. Një rast i mirë është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Kjo forcë politike ka aplikuar prej kohësh parimin e zgjedhjes “një anëtar një votë” për strukturat e saj. Ndërkohë që kreu i kësaj partie, Ilir Meta, është zgjedhur jo pak herë në drejtim të partisë, pas rritjes së vazhdueshme të elektoratit dhe zgjerimit në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Nga një forcë politike, që fillimet e saj i nisi me 4-5 deputetë, sot LSI ka një numër prej 19 deputetësh në Kuvend. Një shifër kjo e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 Qershorit. Parti e cila u vlerësua si fituesja e zgjedhjeve për numrin e lartë të mandateve të deputetëve të siguruar në krahasim me katër vite më parë. /Revista Klan/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit