
Nga Artur Zheji
Tanimë është e qartë se jemi nën një breshër tritoli të përshkallëzuar. Ndryshe mund ta quanim një ofensivë të vërtetë të segmenteve të errëta dhe me pagesë të shoqërisë, që ka si referencë të padukshme politikën. Për të mos hamendësuar pa fre se çfarë thuhet jo më kot tavolinave konfidenciale të analizës së këtyre ngjarjeve që po ndodhin zinxhir dhe si me porosi, duhet t’u qëndrojmë fakteve. Së pari, për mungesë konkrete provash që të vërtetojnë përzierjen e drejtpërdrejtë të politikës në këtë mishmash që po ndodh, është e pamundur. Porse interferencën e politikës si refleks që nxit ose krijon inkurajimin e Antishtetit kundër sistemit të të gjithëve, kjo nuk mund të përjashtohet kurrsesi. Dhe në radhë të parë, kjo lidhet me ndezjen tash në dimër të një beteje verbale dhe aktesh politike të tensionuara përtej sensit të arsyes së shëndoshë dhe që palët kanë përshkallëzuar dukshëm për arsye të mirëfillta pushtetesh. Së dyti, rokada dramatike për njërën palë dhe euforike për palën tjetër, që ndodhi më 23 qershor 2013, krijon një ndërrim balancash në të gjitha fushat. Të interesave ekonomike, të interesave të pushtetit dhe menaxhimit të tij, të influencave dhe të privilegjeve, që një palë i humbasin ditë pas dite dhe një palë tjetër i ka shumëfishuar me shpejtësi. Kjo situatë shoqërohet me presione të fuqishme simetrike, të cilat ndjehen se rëndojnë proporcionalisht te humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve të fundit. Presioni radikal tendoset në të dy krahët më të ashpër të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Është një perceptim i qartë, ndonëse perceptim mbetet, se radikalët e PD i bëjnë një presion këmbëngulës Lulzim Bashës, që ai të denatyrojë fizionominë e tij pozitiviste dhe të shfaqet sa më shumë “luftarak”, i vendosur në anatemimin e egër të kundërshtarit politik, të ngrejë gishtin dhe mundësisht të përplasë grushtin. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama, i cili është ndoshta politikani më i sulmuar në Shqipëri, qoftë në aktin politik dhe akoma më shumë në jetën e tij personale, është pa dyshim një dëgjues i vëmendshëm i korit eksitues të skifterëve. Mirëpo ndërkohë ai duhet të bëjë një bilanc të disafishtë. Duke nisur nga më e arsyeshmja, ai dhe qeveria e tij duhet të injektojnë në radhë të parë zhvillim ekonomik, të dukshëm dhe të prekshëm dhe sa më parë. I duhet gjithashtu të përçojë besim dhe disiplinë të rreptë shtetvepruese, sepse situata është realisht e vështirë. Dhe me tritol-ofensivën akoma dhe më e nderë. Porse, opinioni publik dhe sidomos ata që e kanë votuar, presin të shohin si në ndonjë film aksion epilogun e përleshjes Berisha-Rama. Përleshje tashmë 8-vjeçare. Politike dhe më së shumti edhe personale. Presioni i “radikalëve të majtë”, të cilët kanë “vuajtur” dhe “luftuar” për këtë ditë, që më së fundi erdhi, kërkon “drejtësi”, e cila perceptohet, në modelin psikologjik të militantit të sotshëm dhe pavarësisht ngjyrës së tij politike, si një shpartallim përfundimtar i kundërshtarit. Mirëpo Rama, më mirë se kushdo tjetër e di se kjo luftë “finale” ose ky “epilog” me përleshje bajlozësh, është në favor dhe jo në dëm të kundërshtarit të tij politik, i cili kërkon dëshpërimisht dhe me logjikë politike të arsyetuar që të vërtetojë se cikli i revansheve është cikli natyral i llojit të jetës politike shqiptare. Pra ekstremet e palëve e duan këtë përleshje dhe ndoshta do të ishin të gatshëm edhe ta sponsorizonin. Kalimi kaq i butë i pushteteve pas zgjedhjeve të 23 qershorit nuk duket më dhe aq i butë. Ai po pasohet në heshtje dhe pa bujë, dhe do të vijojë më tej, ditë pas dite, me kalimin aspak të butë të riciklimit të interesave dhe grupeve të interesave, nga njëra sferë në tjetrën. Interesa të cilat po pësojnë ditë pas dite tërmete, që u paraprijnë ekuilibrave të rinj, ku tradicionalisht lobet e fitimtarëve marrin pjesën e luanit. Ekstremistët e PD-së, për shembull, arsyetojnë sot fare hapur dhe si të domosdoshme që për të forcuar “kockën” politike të Lulzim Bashës dhe të partisë së sotme, Basha duhet të jetë sa më shumë i ngjashëm me Berishën dhe “shpirtin dhe stilin e tij luftarak”. Ndonëse ata janë më së shumti pasionantë apo shpirtra të plagosur, e pra pa paqen e duhur të brendshme për të menduar me kthjelltësi, në mënyrë të vetëdijshme ose jo, ata ia kanë me hile kryetarit të tyre. Sepse stofi politik i Bashës, që të prodhojë vota, simpati të reja dhe konsensus politik sa më të gjerë në këtë post mynxyrë elektorale 2013, nuk mund të pritet sipas stilit të Berishës. Sado e madhe qoftë dashuria dhe harmonia e tyre e ndërsjellë. Vërtet një maratonë përplasjesh të egra dhe publike Basha-Rama duket në pamje të parë se do të shtrëngonte dhe ngjishte radhët e militantëve. Partitë do të radhiteshin si dy ushtri “vrastare”, dhe jo si dy formacione inteligjente konkurruese. Lulzim Basha, i simpatizuar për aspektin e tij pozitivist dhe pacifist, do të shndërrohej në një gjeneral të ashpër armate. Mirëpo shqiptarët sapo e votuan masivisht Edi Ramën si një antikonformist popullor, me dukje të mirëkuruar, përtej klasave, partive dhe kundër “luftërave” politike, një ish-viktimë e të të cilave, shumica popullore e perceptoi edhe atë vetë, duke e kurorëzuar sot Kryeministër. Ilir Meta, me frymën e qetësisë dhe urtësisë, me mosagresivitetin sistematik, rrëfyer mençurisht në fushatën e kaluar, pothuajse i trefishoi votat e veta. A nuk po e kuptojnë pra “ekstremistët” se shija e shqiptarëve dhe për pasojë orientimi i votës së tyre ka ndryshuar rrënjësisht?! Është bërë pra, shumë më pak ithtare e qëndrimeve ekstremiste dhe shumë më tepër e shumë më besimplotë në prirjet centriste? Në shumë debate televizive, mbarsur me eksitim dhe “frymëzuese”, buzëqeshja mirëdashëse dhe popullore e Bashës kërkohet gati përdhunshëm të shndërrohet në një tendosje agresive. Nga ana tjetër, Basha, ndonëse jep shenja tundimi dhe luhatjeje të herëpashershme, e di mirë që të larguarit nga qëndrimi centrist dhe me qasje kah gjeneratat e reja do të thotë fare pak bukë elektorale në magjen e votave. E pra, në një raund apo kohë të dytë, pikërisht ata, shtytësit drejt ekstremizimit të reagimeve, do t’i kërkonin zmbrapsjen nga posti në rast mossuksesi. Ndonëse Basha, ai i padenatyruari, i duhet dëshpërimisht PD-së edhe për shumë vite të tjera. Për ironi të lojës politike, Rama nga njëra anë dhe Basha nga ana tjetër, kanë në interes elektoral të partive të tyre “pushtimin” e bastioneve të Qendrës. Qendër e cila e katërfishoi në mënyrë gati magjike Ilir Metën më 23 qershor 2013. Dhe sondazhet që kemi rast të shohim flasin qartë për këtë. Për këtë dashurinë e madhe të shqiptarëve të sotshëm për Qendrën dhe mundësisht harmoninë politike. Në këtë rast, cilido, Rama ose Basha, nëse priren të dëgjojnë, jashtë një peshoreje të arsyeshme, ekstremistët dhe pasionet e tyre, pasione që lidhur janë pikësëpari me interesa të mprehta ekonomike, pikërisht ai do të bjerrë vota dhe do të zvogëlohet elektoralisht. Deri më tash duket sikur tundimet dhe hakërrimet e zërave sedërplagosur të Grupit Parlamentar të PD i kanë dhënë kryetarit Basha vetëm disa lëkundje, të cilat ai i meremeton herë pas here. Ndërsa Ramës, i cili ka ende një “rezervë” të konsiderueshme të mbështetjes popullore elektorale, i duhet të shmangë edhe hapjen e një fronti të dytë, brenda të vetëve, paralajmëruar me nota ekstreme nga Ndre Legisi ca ditë më parë. Kuptueshmërisht, ekuacioni i tij është sot më i komplikuar se sa dje, kryesisht për nevojën emergjente që ka Shqipëria për mirëqeverisje. Sepse tamburet, daullet, hakërrimet “giustizialiste” dhe jakobine që bien sa majtas po aq edhe djathtas, të drejta apo të tepruara qofshin ato, vizatojnë një skenë të gënjeshtërt bardhë e zi. Si të ishte një gati luftë ndërmjet të Bardhëve dhe të Zinjve. Dhe kjo përndezje e ngjeshur me fjalë të gurta dhe të rënda, e pra politikisht agresive, po ndodh ditë pas dite në oborret e pasme dhe të përparme të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Duke mjegulluar pamjen dhe duke lënë në periferi kërkesën, shijen dhe nevojën e shumicës së shqiptarëve. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është thjesht një qarje halli ndaj politikës dhe politikanëve, mbi të gjitha është një qarje halli që lidhet me demoralizimin që ekonomia dhe funksionimi i shtetit pëson si pasojë e një klime të tillë. Tritoli dhe ofensiva e Krimit është një provë e thekshme. Në këtë zjarr të zymtë që po ndezin vrasjet, grabitjet dhe shpërthimi i përgjithësuar i eksplozivit C4, askush nuk mund të ngrohë duart në paqe. Sepse është pa dyshim një krim i rëndë dhe i pamerituar që u merr jetën shqiptarëve. Të fajshëm ose jo. Personalisht, ende besoj se interesi politik, pa komentuar ndriçimin apo ndërgjegjen politike të Ramës dhe Bashës, ndaj të cilave duhet të jem qoftë edhe teorikisht dyshues, kërkon prej tyre, në emër të përfitimit politik, shfaqjen e një kthjelltësie të mirëfilltë për të dalë nga kjo spirale. Sepse eksperienca e vendeve të qëndrueshme demokratike, ku merret frymë më lirisht, rrëfen se pasuria, kamja dhe jeta normale dhe njerëzore bëhet më e mirë për shumicën në periudhat e shuarjes së konflikteve. Kapitali i pandershëm politik, që nxirret si zift nga puset e shpirtrave të mashtruar njerëzorë, duke i futur ata në luftëra absurde dhe vëllavrasëse, krijon pasuri të pamata për një pakicë dhe mjerim e mallkim për më të shumtët. Kjo është katërcipërisht e vërtetuar në vendet afrikane, amerikano-jugore apo aziatike, të cilat konfliktet politike apo fisnore i kanë lënë në shkatërrim e varfëri, pavarësisht pasurive të pallogaritshme të vendeve të tyre. Ndërkohë që po në këto vende, apo nga këto vende, vijnë edhe blerësit më të shumtë të veshjeve të luksit, të koleksioneve më të shtrenjta të antikave, gurëve të çmuar apo veturave të supershtrenjta me Ferrarin në krye. Dhe tranzicioni i gjatë dhe kjo varfëri e shëmtuar e kokëfortë e shumicës së shqiptarëve akoma dhe sot, buron, mjerisht, nga alibia e konfliktit që përdoret si perde tymi për të grabitur pasuritë, kursimet, nëntokën, mbitokën, të sotmen dhe të nesërmen e më të shumtëve të këtij vendi. Por duket se një brez i ri, ende i brishtë, por në rritje të dukshme, po e orienton votën kundër sherrnajës së rreme, shterpe dhe vrastare dhe kundër kurtheve verbale të pasionantëve hormonalë tv. Dhe do t’i japë çmimin e parë atij që di dhe mundet të jetë i pari në moderacion, urtësi dhe me vendosmëri shtetformuese. Ndërkohë tritoli duhet të heshtë e të zbythet. Në këtë kundërshti antitritol, të gjithë jemi me Shtetin. Që Antishteti të mos na pushtojë krejtësisht.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





