Transmetuar më 02-02-2014, 20:39

Nga Edison Ypi

Rastet e përsëritura të hedhjes në erë me tritol të disa makinave kanë evidentuar qartë injorancën në rritje sa i përket njohurive popullore rreth përdorimit me nikoqirllëk të tritolit.

Tritoli, kjo pasuri e madhe kombëtare me vlera të pallogaritëshme shpërthyese dhe  goditëse si në rrafshin emocional dhe atë material, po shpërdorohet si mos më keq.

Në këto rrethana, për ta shpëtuar sadopak namin e mirë dhe lavdinë e tritolit ndaj këtij shpërdorimi dramatik që po i bëhet, disa udhëzime modeste për përdorimin e tritolit me sa më tepër efikasitet, nuk bëjnë dëm.

Në vartësi të shpejtësisë së veprimit, llojit të lakmuar të dëmit dhe vdekjes apo vdekjeve të ëndërruara, sidomos sigurisë sa më të madhe se pas shpërthimit nuk do kapesh nga Policia dhe nuk do përfundosh në burg, tritolin duhet ta zgjedhësh me kujdes sipas secilit rast.

Për tritol për hedhje në erë të makinës dhe shkrumbim të kufomës brenda në makinë, pra për tritol banal me kapsoll, celular, dhe SIM Card të pa regjistruar, më mirë të mos flasim. Do ishte kohë e harxhuar kot. Është bërë pjesë e pandarë e trashëgimisë kulturore të lagjes. Është rast elementar që e dinë të gjithë halabakët e rrugës.

Të shohim disa raste më të ndërlikuara, për të hedhur në erë me tritol gjëra shumë më të mëdha se makinat dhe jetët e atyre që ta kanë nxirë jetën me një mijë mënyra. Para se të ta tregoj tritolin e përshtatshëm, duhet të më thuash për çfarë e do, që ta kem parasysh.

E do tritolin, ta zemë, për të hedhur tutje si leckë një herë e përgjithmonë një gjë të ngulur thellë brenda teje, por të pavlerë dhe që të bezdis në kulm, që të është bërë si burri i nënës, edukatën ?

Tritoli më i mirë kundër dikur tepër të domosdoshmes tani krejt të panevojëshmes edukatë, ai me efektin më të sigurt, që edukatën e lan dhe e shplan një herë e përgjithmonë si me acid sa hap e mbyll sytë, është të mos lexosh asnjë libër.

Nëse zotrote libër në jetën tënde s’ke zënë kurrë me dorë, por megjithatë ndjen se edukata të pengon, ky është një kombinim i rrallë që i kapërxen njohuritë e mija në fushën e eksplozivave. Në këtë këtë rast mos kërko tritol. Pritja e gjatë të ka çmendur. Ik e gjej psikiatër.

Por mund të ndodhi që edukatën preferon ta mbash, ta ruash, ta kesh, dhe do të zhdukësh përgjithmonë nga jeta jote diçka tjetër, që jo vetëm s’të hyn në punë për asgjë, por ta ka bërë jetën zeherr, të është ngjitur nga pas si ferrë, dhe do ta heqësh qafe sa më parë, ta degdisësh përtej diellit, që është ndjeshmëria.

Për ndjeshmërinë ka tritol tjetër, të ndryshëm nga ai i edukatës. Edhe ky pa asnjë kosto. Rrihi gruan dhe kalamajtë ditë për ditë nja një javë rrjesht në të njëjtën orë. Kot, pa asnjë arësye, pa asnjë shkak. Për qef, për tritol. Nëse grua e fëmijë nuk ke, merr e rrih deri në kalbje, mamin, babin, ndonjë motër a ndonjë vëlla. Dhe ja ku tu zgjidh brenga, ja ku u gjet edhe ky tritol. Tash e tutje e panevojshmja ndjeshmëri njerëzore, kjo atavizmë shekullore, s’të pengon aspak për asgjë, re rehat, je i lirë, je zog, mund të fluturosh i lirë në qiejt e pafundëm të rrugaçllëkut të mungesës së edukatës që vetë i zgjodhe.

Ndoshta edukatën dhe ndjeshmërinë i ke, dhe do t’i mbash, se për fatin tënd të zi familja ta ka rrasur aq thellë edukatën sa s’ta shkul dot asnjë tritol. Por do të çlirohesh nga një ves tjetër tepër pengues dhe shpartallues në ditët e sotme, që është turpi. A ka tritol për ta hedhur në erë turpin ?

Ka, si s’ka. Tritoli i turpit është ky; Merr lexo nja një muaj rrjesht nja tre a katër gazeta nga ato që s’shiten asnjë copë në treg por megjithatë ekzistojnë sepse duhet të lexohen dhe komentohen në Internet nga ca sigurimista. Ke për të parë se turpi do të zhduket pa gjurmë, do ndjehesh sikur turp s’ke pasur kurrë.

Mund të jesh në rregull me të gjitha. S’të brengos asgjë. Të duket sikur s’të lypset asnjë tritol. Por megjithatë s’ndjehesh rehat, krruhesh. Ke vënë re se me gjithato rregulla të foluri, shkrimi, drejtshkrimi, po ta nxin jetën gjuha jote, Gjuha Shqipe. Të duhet një tritol që ta hedhësh në erë, ta harrosh, mundësisht ta vrasësh dhe varrosësh Gjuhën Shqipe, bashkë me rregullat dhe stërrregullat e saj. Ja tritoli për të shpëtuar një herë e përgjithmonë nga prangat e Gjuhës tënde; Premto, dhe mbaje premtimin, se gjashtë muaj rresht nuk do shkruash asnjë gërmë shqipe më ndonjë mjet tjetër përveç celularit. Me të gjitha rregullat celulareske të të shkruarit. Pa “ë”, pa “ç”, pa paragrafe, pa gërma të mëdha në fillim të fjalive. Sa më tepër shkurtime. Po s’të mjaftuan shkurtimet që i përdorin të tjerët, imagjinatë ke, shpik vetë të tjera shkurtime. Mos shkruaj kurrë “Përshëndetje” por vetëm “persh”. “Ta bëfsha gropën” shkruaje “tbg”. “Bastard i Gjuhës” zëvendësoje me “bgj”. “Tritoli është zgjidhja” me “tz”,  etj. gjatë kësaj periudhe sakën se i bën kompliment ndonjë femre. 1 kompliment i vetëm ta neutralizon efektin e tritolit, dhe të ikën lodhja kot.

Po të është mbushur mendja se jetën tënde po e ndjekin këmba-këmbës fatkeqësi të njëpanjëshme për shkak të fiksimit pas Artit, Letërsisë, Poezisë, dashurisë për gjërat e bukura, që mund të jenë librat e mirë e të tjera pallavra, edhe ky problem zgjidhet me tritol. Mos u mërzit aspak. Si për çdo gjë, ka tritol edhe për këtë. Merr lexo librat e palexueshëm të ca zagarëve burokratë që mburren se botojnë “jashtë shtetit”, dhe ja ku shpëtove, ja ku u gjet dhe ky tritol.

Sado entuziazmues përdorimi i tritolit në rastet e mësipërme, të gjitha do mbeten të mangëta sa kohë nuk shoqërohen me zhdukjen pa nam e nishan të një lëvereje të pëgërë, të një lavireje të pështirë, së cilës tashmë s’ja hedh kush sytë, atdhedashurisë. Tritol për këtë është kjo; Dil gjej ndonjë ose disa të huaj. E mira do ishte italian, grek, serb. Ngriua në qiell të huajve Italinë, Greqinë, Serbinë. Po të jetë e mundur, edhe Bangladeshin dhe Madagaskarin. Dhe mos u lër kusur për Shqipërinë që s’bën dot kurrë Shtet dhe për shqiptarët që s’bëhen dot kurrë njerëz. Lëri pa gojë me ca si këto. Se s’i dihet, mund të dali dhe ndonjë lek. Mos harro tu flasësh keq e më keq, zi e më zi, për Skënderbeun, Ali Pashën, Ismail Qemalin, Nolin, Lasgushin, Kadarenë. Bëje këtë derisa ta ndjesh thellë se ky tritol të hodhi në erë çdo urë me Shqipërinë dhe shqiptarët me të cilët pas këtij tritoli s’të lidh më asgjë.

S’ta nxjerr të keqen asnjë nga këta tritola ?

Provo një tritol tjetër. Pështy veten para pasqyrës.

As ky tritol s’të bën efekt ?

Kjo do të thotë se ke moral.

S’ka tritol për moral.

Je një send i kotë.

S’i duhesh kujt.

Veten vrit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit