Transmetuar më 02-02-2014, 14:25

Tiranë, 2 shkurt 2014, NOA.al- Pas kallëzimit penal nga ana e Ministrisë së Jashtme për ish-konsullen e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia, ka ardhur një reagim nga kjo e fundit.

Në qëndrimin e saj ajo shprehet se ndihet e detyruar që të reagoj për atë që e quan një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullatos së Shqipërisë në Milano.

Në vijim ajo shton se kur ka marrë drejtimin e Konsullatës së Përgjithshme në Milano, me qindra qytetarë shqiptarë rrinin me orë të tëra në radhë në “Piazza Duomo” të rrethuar si në kafaz me hekura dhe të survejuar nga policia italiane dhe fotografoheshin si fenomen i çuditshëm nga turistët që kalonin.

Spahia shton më tej se nuk mjaftonte ky poshtërim por në të njëjtën kohë ata bëheshin pre edhe e sekserëve që i merrnin me qindra euro për një dokument që kushton 20 euro, ndërsa për një vulë legalizimi apo përkthim të thjeshtë ata duhet të vinin nga 11 rajone të ndryshme të Italisë, të udhëtonin për orë të tera  me shpenzime e lodhje të pafund.

Sipas saj, me daljen jashtë përdorimi të pasaportave të vjetra dhe dyndjen e qindra qytetarëve pranë zyrave konsullore, jo vetëm nga 11 rajonet e Italisë por edhe vendet e tjera të Evropës është kërkuar një shërbim shtesë për prenotimin e takimeve për pasaporta i cili kishte një kosto mesatare te 3 eurove.

Ajo kujton se Konsullata ka një buxhet ku 80% e tij është i dedikuar për rrogat dhe qeratë, ndërsa 20% është lënë për menaxhimin e të gjithë nevojave të tjera të përfaqësisë.

Po ashtu ajo thotë se MPJ ka qenë vazhdimisht dakord që buxheti është tepër i limituar dhe ka kërkuar sforco gjigante për të arritur të përmbushen detyrimet ligjore megjithë vështirësitë e medha, duke shtuar se nuk e kupton se ku mund të kenë qenë hapësirat për abuzime.

Spahia i kujton Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Kryeministrit Edi Rama që ka qenë Qeveria Berisha ajo që futi për herë të parë shërbimin postar për bërjen e dokumenteve pa prezencën e qytetarit dhe me pagesën jo më me para në dore por nëpërmjet llogarive bankare dhe kjo duke patur si objektiv transparencën maksimale të shërbimeve ndaj qytetareve.

Më tej ish-konsullja shprehet se, “I kujtoj gjithashtu që Konsullata e Përgjithshme e Milanos nuk kishte as faqe interneti me informacione, as shpjegime sekretarie telefonike, as linja telefoni për qytetaret. Dhe kjo jo rastësisht, por për të stimuluar sekserët e partisë së Ramës, dhe për t’i lënë atyre hapësirë për pasurim. Janë aktivizuar tre linja telefonike njëra nga të cilat ka qenë për telefonatat e emergjencave dhe dy linja me shpjegimet e çdo procedure për praktikat konsullore në shqip dhe italisht, linjë faksi si dhe email si të sekretarisë ashtu edhe të vetë konsullit të përgjithshëm ku me qindra qytetarë kanë kontaktuar dhe kanë marrë përgjigje nga ana jone edhe të shtunave e të dielave. Them me krenari se gjatë viteve që kam qëndruar si Konsulle e Përgjithshme në Milano, kam punuar me përkushtim për të ofruar shërbim sa më cilësor të shpejtë e transparent dhe për t’i rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur bashkëatdhetarëve tanë. Unë nuk prisja vlerësime nga Ministri apo Kryeministri, sepse vlerësimet i kam marrë nga qytetarët që kanë mbetur të kënaqur nga Konsullata. Por nuk pajtohem për asnjë moment me këto shpifje dhe sulme politike të qëllimshme  të denja vetëm për kohët më të errëta të Shqipërisë së baballarëve të tyre”.

Në vijim Nausika Spahia ka paraqitur të detajuar informacione që sipas saj hedhin poshtë të gjitha akuzat e drejtuara ndaj saj:

1) Menaxhimi i pasaportave biometrike me call center.

Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin call center. Si per cdo veprim tjeter, ashtu edhe ne kete rast, MPJ ka qenë e informuar ne detaje gjate gjithe kohes.

Marrja e vendimit per menaxhimin e situatës emergjente dhe kritike ne momentin e daljes jashtë përdorimit te pasapartave të vjetra, është bërë në koordinim të plotë me kabinetin e Ministrit Haxhinasto i cili ka dhënë aprovimin dhe udhezimin që përveç Call center, të ofrohet shërbimi edhe nëpërmjet platformës elektroike (email). Ky aprovim është dhënë nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorisë Konsullore Z. Bala. Ndërkohë që në shkresat e mia të protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012 drejtuar Drejtorit të Kabinetit te Ministrit Haxhinasto, Z. Ilir Melo dhe percjellë edhe Drejtorit të Drejtorisë konsullore, Z. Bala) kërkoj ndër të tjera që të aktivohen numra jeshilë, pra falas, për qytetarët.

Komunikimi me Kabinetin e Ministrit dhe Drejtorinë Konsullore është i protokolluar pranë MPJ,  Konsullatës në Milano dhe Ambasadës Shqiptare në Romë.

2) Ministri i Jashtëm Bushati deklaron mbylljen e Call Center nga ana e qeverisë Rama.Gënjen, sepse mbyllja e kontrates me Call center është bërë me kërkesën time menjëherë pas reduktimit drastik të kërkesave për aplikime. Kjo ndodhi pa ardhur akoma në detyrë qeveria Rama. Kopje e zgjidhjes së kontratës është përcjellë në MPJ. Pra Ministri Bushati po gënjen hapur qytetarët shqiptarë.

Call centeri ka qenë një zgjidhje e përkohshme ne një situatë emergjence, më e mira zgjidhje e mundshme në atë moment dhe mbi të gjiha e bashkagjestisur dhe me miratim të MPJ e cila ka çdo kopje kontrate dhe detajim të veprimeve konsullore.

Thënë kjo, call centeri ka qenë një nga zgjedhjet e munshme për qytetarët të cilët kanë pasur në dispozicion edhe emailin, postën, apo paraqitjen direkt në zyre.

3)Ministri mashtron hapur për 45,000 euro për kompanine e Call Centerit

Asnjëherë nuk kam firmosur që të transferohen 45,000 euro per asnjë kompani. Është vetëm shpifje që e dëgjoj në media.

MPJ merr nga konsullata çdo muaj raport të hollësishëm financiar mbi gjendjen bankare dhe mbi pagesat e bëra. Ka çdo pasqyrë mujore të lëvizjeve bankare.

4)  Rënia e rrethimit të sekserëve

Heqja e rradhave në Konsullate ka tërbuar sekserët që për vite me radhë gjatë qeverisjes së partisë së z.Rama, kanë zhvatur emigrantët shqiptarë dhe që sot pretendojnë të rifillojnë aktivitetin e tyre si diplomatë brenda Konsullatës.

5) Zhdukje evidence e dokumentacioni, shpifje e pastër

Është vetëm mashtrim akuza për zhdukje të dokumentacionit. Kur kam bërë dorëzimet e detyrës kam lënë përveç të tjerave të gjithë dokumentacionin sipas udhëzimeve të MPJ, Konsullit përgjegjes per marrjen e dorezimeve Z. Rezar Shkëmbi, i cili ka firmosur për rregullsinë e të gjitha dorëzimeve dhe ka përcjellë dokumentacionin në fjalë pranë MPJ.

Me pak fjalë, i gjithe dokumentacioni i shkëmbyer për pikat e lartpërmendura ndodhet i protokolluar pranë Konsullatës Shqiptare në Milano, Ambasadës Shqiptare në Rome si dhe Komunikimit Qendror MPJ, Kabinetit të Ministrit, Drejtorisë Konsullore./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit