
Tiranë, 2 janar 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se shqetësimet e SHBA-së për Shqipërinë janë të njëjta me ato të opozitës. Sipas tij, SHBA ka shprehur shqetësim “për kursin antidemokratik të qeverisë për shkeljen e parimeve të shtetit ligjor, të goditjes së institucioneve të pavarura për hir të revanshit politik.” Ai shtoi se është i lumtur që Departamenti i Shtetit, SHBA vlerësojnë kursin e opozitës si një mbështetëse e integrimit evropian të vendit.
“Dua të theksoj se opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e të gjitha hapave dhe masave që çojnë në drejtim të integrimit evropian të Shqipërisë. Nuk mund të mos ndalem tek shqetësimi i shprehur nga kreu i diplomacisë amerikane, për atë që e theksoi si një trend të kapjes së institucioneve, blerjes së pushtetit dhe vënies së mediave nën kontroll përmes mjeteve financiare. Eshtë një alarm që SHBA ka ngritur për Ballkanin në përgjithësi dhe realiteti shqiptar është pjesë e këtij shqetësimi.” u shpreh Basha.
Sipas tij, të gjitha këto, pa dyshim nuk janë hapa që ndihmojnë kursin europian të Shqipërisë, nuk janë hapa që ndihmojnë integrimin dhe standardet që duhet të arrijë Shqipëria për integrimin, sikundër janë shkaku i vërtetë, përtej shfajësimeve dhe alibive për skepticizmin në rritje i cili mund të luftohet vetëm nëse mazhoranca që është edhe përgjegjësja kryesore për situatën ka vullnet të vërtetë për të bashkëpunuar me opozitën.
“Ne e kemi bërë të qartë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, përkushtimin pa kushte për integrimin europian të vendit”, është shprehur kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





