Transmetuar më 01-02-2014, 13:15

Tiranë, 1 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka parë nga afër përfundimin e rrugës “Qemal Butka”, në zonën e Selitës. Kjo rrugë i përket njësisë bashkiake numër 5, e cila nga  sot ka një bllok të rikualifikuar me rrugë dhe rrugica të ndërtuara.

Banorët e kësaj zone të cilët prej shumë vitesh jetonin në baltën e dimrit dhe pluhurin e verës, tashmë do të kenë të njëjtat standarde si në qendër të qytetit. Me një investim prej 69 milion lekësh, Bashkia e Tiranës ka bërë rindërtimin e rrugës “Qemal Butka” dhe të gjitha rrugëve të brendshme që lidhen me këtë rruge, si rrugët : “Tafil Agai”, “Dhimitër  Pasko”, “Gjerasim Qiriazi” dhe “Jaho Gjoliku”. Ky bllok banimi sëbashku me rrugën “Ilia Dilo Sheperi” ka hequr përfundimisht baltën nga kjo zonë e shumëpopulluar.

Gjatë takimit me banorët pas përfundimit të rrugës, Basha u shpreh se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

Kryetari Basha ka shprehur përkushtimin dhe angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të vijuar investimet që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve kudo ku ata jetojnë.“Sot bashkë me banorët e kësaj zone të vjetër e të rëndësishme të qytetit, periferike, po inspektojmë përfundimet e punimeve të rrugës “Qemal Butka” dhe katër rrugëve të tjera të kësaj lagjeje, të cilat janë nënshtruar një procesi ndërtimi tërësor, me kanalizime, kanale të ujërave të bardha, me punime të infrastrukturës, trotuare, ndriçim, asfaltim, dhe siç u shprehën edhe vetë banorët, për herë të parë në kujtesën e tyre, balta është zmbrapsur dhe kjo pjesë e qytetit ka marrë dimensionin qytetar të rrugëve të shtruara”,tha Basha. Më tej ai theksoi se, që të gjitha ndërhyrjet e bëra për zgjerimin e rrugëve janë shoqëruar nga punime karakteristike të Bashkisë së Tiranës, karakteristike qytetare të mureve të rindërtuara me kangjella të profilit urban, europian do të thoja.

Si kryetar i Bashkie, Basha  shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar me punët e mëdha që na presin akoma në këtë qytet, për të përmirësuar jetën e banorëve të qytetit, cilësinë e jetës  së tyre, në çdo cep, në qendër apo në periferi dhe për ta bërë këtë jo me moton-:Shumë zhurmë e  pak punë” por me moton -:”Shumë punë e pak zhurmë”. e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit