Transmetuar më 16-12-2013, 00:43

Që prej 3000 vjetësh Durrësi ka mbijetuar falë pozicionit të favorshëm gjeografik, shfrytëzimit të transportit detar dhe rrugor dhe tregtisë me vendet fqinje.

Pas shpalljes së Pavarësisë, 100 vjet më parë pamja e qytetit antik filloi të ndryshojë dukshëm për të mbërritur në vitet 30-të, kur Durrësi paraqiste një qytet në zhvillim me ritme të shpejta, duke krijuar periferinë e tij industriale dhe një treg të hapur, që po fitonte emër jo vetëm në qytetet e tjera të vendit, por edhe në Italinë fqinje.

Një klasë e re tregtarësh, mbiemrat e të cilëve kumbojnë edhe sot, po formohej me shpejtësi; punishtet dhe fabrikat e ndërtuara pjesërisht në zonën e Shkozetit kërkonin krahë punë, duke afruar punësim për qindra familjarë, ndërsa administrata vendore filloi të marrë vendimet e para madhore në historinë e re të qytetit.

Bombardimet e luftës së parë botërore dhe tërmeti i vitit 1926 u bënë shkak për ti dhënë një pamje të re qytetit antik.

Pikërisht në këtë periudhë u hap Rruga Tregtare, aksi rrugor më përfaqësues i qytetit që ekziston edhe tani, që kanë kaluar gati 80 vjet nga ndërtimi i saj. Dy vjet më vonë, në vitin 1928 nisi ndërtimi i portit detar, punimet e të cilit zgjatën 5 vjet. Krijimi i basenit dhe kalatave të para u krye me mjete mjaft të përparuara për kohën dhe qyteti rifitoi përmasën portuale, mjaft e rëndësishme për marrëdhëniet me vendet e tjera të Mesdheut.

Politika favorizon tregtinë

Sistemi monarkik i sapoinstauruar në Shqipëri krijoi sigurinë dhe qetësinë e nevojshme për bizneset që u ngritën në qytet, ndërsa marrëdhënia e ngushtë politike me Italinë mundësoi një tregti të ethshme me brigjet përtej Adriatikut, çka lehtësohej nga lëvizja e lirë e qytetarëve në pikën kufitare. Mjaftonte pasaporta dhe bileta për t’ju drejtuar me anijen postale nga Durrësi drejt portit të Brindizit, 100 milje më në perëndim.

Ramazan Beja, autor i dy librave mbi Durrësin, po përgatit një botim të tretë për studentët durrsakë, të cilët gjatë periudhës mes dy luftërave botërore u shkolluan kryesisht në Universitetet italiane, që vjen si një tjetër tregues i zhvillimit të shpejtë të qytetit në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Regjisori i njohur durrsak, Gjergj Vlashi, i cili deri në moshën 15-vjeçare u shkollua në Itali, kujton se Durrësi në fillim të viteve 1940 kishte më shumë se 5 kinema. "Të mos harrojmë se në atë kohë qyteti kishte vetëm 9 mijë banorë", kujton artisti dhe shkrimtari 83-vjeçar. Për të, "prania e disa sallave vetëm për kinema ishte tregues i kulturës, por edhe i mirëqenies që po krijohej në Durrës".

Vlashi tregon se qyteti kishte disa hotele deri kur në vitin 1940 përfundoi ngritja e një krenarie tjetër të qytetit: hotel "Vollga", i cili aso kohe kur u përurua kishte emërtimin "Albergo dei Dogi" (Hoteli i Dozhëve). Tre vjet më parë në kodrën dominuese mbi qytet ishte ngritur varianti përfundimtar i Vilës Mbretërore, me një arkitekturë të shkëlqyer dhe bukuri mahnitëse për kohën.

Por si mundej një qytet, krejtësisht pa pretendime në perëndimin e perandorisë osmane, hidhte hapa kaq të rëndësishëm për zhvillimin e tij?

Brenda dy dhjetëvjeçarëve qyteti antik ia doli të krijojë një fytyrë zhvillimi krejtësisht origjinale. Nga të dhënat statistikore të asaj kohe, mësohet se Durrësi kishte më shumë se 15 për qind të njësive të mëdha industriale të vendit, pa folur për artizanët dhe ndërtuesit.

Historiani Danish Bebeziqi në një nga punimet e tij mbi Durrësin në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, shkruan se "qyteti u bë model edhe për krijimin e shoqërive të para aksionere, që shquheshin gjithnjë me fitim, për shfrytëzimin e konjukturave të tregut botëror të mallrave dhe valutës. Po ashtu Durrësi dallohet për tërheqjen e investitorëve të huaj, madje në disa raste bëhet edhe nismëtar për investime që niseshin nga ky qytet, në vende të tjera".

“Stamles", shoqëria e parë aksionere

Investimi aksionar më i rëndësishëm në Durrës ishte STAMLES (Shoqëri Tregtare Anonime Monopoli Letra e Shkrepëse), që sipas dokumenteve të kohës, u krijua në prill 1924 me një kapital prej 500 mijë franga ari, me aksione prej 100 franga ari.

Në listën e STAMLES-it janë mbiemrat e gjithë familjeve tregtare dhe industrialistë të Durrësit: Beshiri, Shijaku, Dovana, Leka, Spiru, Papingji, Rrufa, Gjergo, Bodikian, Zaharian, Manushi, Zaguridha, Beja, Xhumrri, Çetaku, Toska, etj. Numri i përgjithshëm i aksionerëve, mes të cilëve, punëtorë të fabrikës dhe tregtarë nga qytete të tjera të vendit arrinte në 300.

"Sipas rregullit të shoqërisë, 75 përqind e fitimeve u ndahej aksionerëve, kurse 25 përqind përdorej detyrimisht për investime të reja, zgjerim dhe modernizim të fabrikës. Kështu STAMLES me profil tregtar për letra cigaresh dhe shkrepëse filloi të prodhojë deri në 300 kg cigare në ditë", shkruan studiuesi Danish Bebeziqi, autor i dy librave për historinë e Durrësit dhe atë të Shqipërisë.

Nga të dhënat e mëvonshme rezulton se STAMLES kishte 37.500 aksione prej 100 franga ari secila, duke u bërë shoqëria më e madhe aksionare në Shqipëri. Paketat "Diamant" të prodhuara në Durrës njiheshin edhe jashtë vendit dhe pikërisht për këtë fakt, etiketa e saj me pamjen e një xhamie u tolerua nga regjimi komunist deri në vitin 1967.

Në të njëjtën periudhë, në Durrës filluan të funksionojnë fabrikat e miellit "Ekonomi" dhe "Shijaku", fabrika e makaronave "Beshiri", e më pas edhe ajo e zhveshjes së orizit "Kruja-Myshketa", që mbanin emrat e familjeve mjaft të njohura në Durrës. Në vitin 1931 fillon veprimtarinë e saj me mjete të thjeshta edhe fabrika e sapunit dhe parfumit "Vëllezërit Xhumrri".

Shumica e këtyre pasurive si dhe prodhimet disavjeçare në vitet 1945-1950 u sekuestruan nga shteti komunist, ndërsa pronarët e tyre përfunduan në burgje dhe internime. Pak a shumë të njëjtin fat patën edhe krijuesit e ofiçinave mekanike Deliallisi dhe Papai, si dhe fabrika e prodhimit të tullave Anastasiadhi.

Sistemi diktatorial pas vitit 1945 bllokoi brenda pak vitesh ekonominë e hapur dhe tregun e lirë, duke zgjeruar fabrikat dhe numrin e punëtorëve, duke rritur njëkohësisht edhe kostot e prodhimit, për shkak se një pjesë e madhe e lëndëve të para duhet të importoheshin.

20 vjetët mes dy luftërave botërore mund të krahasohen për nga ritmet e zhvillimit, pikërisht me vitet 1990 në Durrës, kur ekonomia e tregut rifilloi të fitojë gjithçka humbi në periudhën e diktaturës./ Gëzim Kabashi ATSH/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit