Transmetuar më 10-12-2013, 14:31

Dalin detajet, shkaqet e aksidentit të Sokol Olldashit FOTOT

Përditësim i vazhdueshëm

10 Dhjetor 2013- 14:31- Zbardhet ekspertiza e vdekjes së Sokol Olldashit

Është zbardhur ekspertiza mjeko-ligjore e vdekjes së deputetit demokrat Sokol Olldashi. Sipas ekspertizës thuhet se nuk është konstatuar përdorim i lëndëve të huaja dhe se goditja vdekjepurëse ka ardhur nga kolona e makinës.

Gjithashtu theksohet se shkak i vdekjes ka qenë shoku traumatiko-hemorragjik, ndërsa sqarohet se ky lloj shoku ndodh shpesh gjatë aksidenteve rrugore si pasojë e përplasjes.

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore iu dorëzua Prokurorisë, ndërsa mësohet se ekspertiza është kryer nga dy mjekë ligjorë, veprimet e të cilëve janë filmuar.

Sokol Olldashi humbi jetën mbrëmjen e datës 20 nëntor 2013 pranë Krrabës, për shkak të daljes nga rruga të mjetit me të cilën i ndjeri udhëtonte.

25 Nentor 2013 – 13:09 – Mungesa e barrierave në Tiranë-Elbasan, mes shkaqeve të aksidentit të Olldashit

Pakujdesia e drejtuesit të mjetit, shoqëruar me mungesën e barrierave anësore , kanë qenë shkaqet kryesore që çuan në aksidentin që i mori jetën deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ekspertiza autoteknike e kryer mbi automjetin me të cilin është aksidentuar deputeti Sokol Olldashi mbrëmjen e datës 20.11.2013 pranë Krabës, Tiranë, ka nxjerrë si konkluzion përfundimtar se shkak i daljes së mjetit nga rruga ka qenë pakujdesia e drejtuesit të makinës.

Gjithashtu, për ekspertët, rrethanë tjetër që ka ndikuar në aksident ka qenë edhe mungesa e barrierave anësore në rrugën ku ka ndodhur ngjarja.

Raporti përfundimtar, i hartuar nga një grup ekspertësh të kërkuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstaton se shkaqet kryesore që kanë sjellë aksidentin janë: Shpejtësia e automjetit (neni 139 i Kodit Rrugor).

Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit (vetë deputeti Olldashi), po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Sipas ekspertizës, në bazë të nenin 139 të Kodit Rrugor, më specifikisht, në paragrafin 3 të tij, thuhet se: “Veçanërisht, drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa…..në pjerrësi të forta, ….. në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ……”. Në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h.

Gjithashtu sipas prokurorisë, një tjetër arsye është edhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore (neni 144 i Kodit Rrugor). Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë ndonëse sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale.

Po ashtu problematik tjetër ka qenë mos-përdorimi i rripit të sigurimit (neni 170 i Kodit Rrugor). Nga këqyrja në vendngjarje dhe nga ekspertiza, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit.

Nga ana tjetër, raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër, mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës.

Sipas materialit zyrtar, dorëzuar ditën e sotme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstatohet se: “Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim”.

Lidhur me këtë çështje, grupi i ekspertëve prezanton edhe një këndvështrim teorik, sipas të cilës: “Një barrierë garanton të gjitha performancat, që janë mbajtja e mjeteve të rënda, zbutja e efektit të përplasjes për personat, mjetet e lehta dhe ridrejtim të kontrolluar të mjetit pas përplasjes, si dhe duhet gjithashtu të sigurojë një veprim efikas kundërshtues për përmbysjen e mundshme të mjeteve që kanë bariqendrën e lartë (situatë që mund të jetë po aq e rrezikshme aq sa edhe mungesa e mbajtëseve), dhe mundësisht duhet të karakterizohet për të pasur hapësira të limituara pune ( gjerësi operative, deformim edhe devijim)”.

Lidhur me rastin konkret, ekspertët autoteknikë shprehin mendimin se “…konstatojmë edhe shkeljen e kërkesave të nenit 14 të Kodit Rrugor nga enti pronar i rrugës”. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon të kryejë të gjitha veprimet e duhura hetimore për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.

24 Nentor 2013 – 11:01 – Ekzaminohet mjeti i aksidentit, hetohen të dhënat e Panelit të Kontrollit

Përfundon ekzaminimi i mjetit me të cilin udhëtonte deputeti Sokol Olldashi, natën që humbi jetën pas një aksidenti tragjik. Ekspertët e kriminalistikës dhe të aksidenteve të policisë shkencore të policisë së kryeqytetit kanë nxjerrë disa konkluzione paraprake për mjetin tip "Mercedes Benz" me targa AA 003 NH, i cili ndodhet i siguruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut.

Ndërkohë, ditën e djeshme është formuar edhe një grup i përbashkët ekspertësh privatë të kontraktuar nga prokuroria, si dhe ekspertë të policisë. Burime nga ky grup ekspertësh pohojnë se është duke u përpiluar kërkesa për kompaninë "Benz Mercedes" për të mësuar të dhënat e Panelit të Kontrollit të mjetit  që funksionon si një paketë elektronike, i ngjashëm me kutinë e zezë të avionit, për të përftuar kështu të dhënat, manovrimet dhe problemet që ka hasur automjeti në momentin e aksidentit.

Këqyrja

Grupi i ekspertëve që janë ngritur për këqyrjen e automjetit me të cilin udhëtonte Olldashi natën e aksidentit, kanë përpiluar një procesverbal paraprak të gjendjes së mjetit, sendeve që janë gjetur në të, dhe kanë fiksuar çdo provë të dobishme për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, veprimet paraprake kanë sqaruar se "Benzi" ka qenë rreth një orë e 30 minuta i ndezur dhe ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 60 km/h. Sipas ekspertëve, makina ka dalë nga tuneli me këtë shpejtësi dhe deputeti Sokol Olldashi ka dashur që të futet në kthesë me të njëjtën shpejtësi, për faktin se ai dyshohet se nuk e ka parë kthesën. Sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes, mungesa e tabelës paralajmëruese të kthesës së fortë dhe kushtet klimaterike kanë ndikuar që deputeti të mos e shikojë në momentin e duhur dhe të mos vendosë këmbën në frena për ta nxjerrë nga shpejtësia e fiksuar me të cilin kishte ardhur që nga tuneli. Grupi i ekspertëve sqaron se makina ka dalë nga rruga me marsh të tretë dhe se ka qenë me pilotim mekanik, por Olldashi nuk ka mundur që të frenojë dot, duke rënë nga një lartësi prej 10-20 metrash. Nga të dhënat paraprake dyshohet se makina ka rënë nga krahu i djathtë dhe në fund ka përfunduar në varrezat e zonës e kthyer përmbys. Ndërkohë, theksohet se mjeti nuk ka pasur gërvishtje apo shenja të goditjes nga pas apo nga pjesa e parme e makinës. Ndërkohë që, janë ngritur dyshime edhe për faktin se deputeti mund të ketë humbur kontrollin, sepse atij mund t’ia ketë vështirësuar shikimin ndonjë dritë e fortë makine. Por, ajo që dihet me siguri është fakti se Sokol Olldashi nuk e ka parë kthesën dhe ka dalë jashtë rrugës, duke humbur në këtë mënyrë edhe jetën.

Dëshmitarët

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se ka përfunduar procedura e marrjes në pyetje të shtatë personave, për aksidentin fatal të mbrëmjes së të mërkurës ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi. Sipas burimeve nga organi i akuzës, bëhet me dije se në pyetje janë marrë ata persona që dyshohen se kanë qenë të parët që kanë shkuar në vendngjarje, mes të cilëve edhe dy efektivët e stacionit policor të Farkës, të cilët kanë pohuar se deputeti është gjetur i vetëm në makinë.

Sendet personale

Grupi i ekspertëve kanë pohuar se pas kontrollit të makinës me të cilën udhëtonte Olldashi, kanë gjetur në të disa libra të "Beatles"-ave, disa libra ekonomie, 20 pako puro dhe duhan në bagazhin e makinës, si dhe laptopi. Grupi hetimor sqaron se të gjitha këto sende u janë dorëzuar familjarëve. Ndërkohë, pyetjeve të shumta se ku ndodhet telefoni personal i deputetit, ekspertët u janë përgjigjur se ai ndodhet në duart e tyre për të vijuar më tej hetimet për aksidentin.

Aksidenti që i mori jetën Sokol Olldashit, hetuesit publikojnë shkaqet

Ditën e mërkurë në mbrëmje rreth orës 21:20, pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë mbërriti njoftimi se në dalje të tunelit të Kërrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë, një mjet kishte dalë nga rruga.

Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet procedurale u drejtuan nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes u raportua se, nga aksidenti i ndodhur në rrugën interurbane dytësore, Tiranë – Elbasan, në Fshatin Kërrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, kishte humbur jetën deputeti Sokol Olldashi.

Deputeti Olldashi po udhëtonte me mjetin e tij, autoveturë të markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe policia thonë se caktuan menjëherë grupin e ekspertëve auto-teknikë. Të drejtuar nga Blerim Tomina dhe Ramadan Troci, në orët në vazhdim ata realizuan aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij, ndërsa mjeti u dërgua për një ekspertize të veçantë pranë drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Ekspertiza paraprake kryer nga Prokuroria dhe ekspertë të Policisë së Tiranës, ka arritur në përfundimin se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit të drejtimit mbi mjetin, e favorizuar nga kushtet e këqija të motit, si lagështira e madhe në rrugë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.

Sipas ekspertëve, deputeti Olldashi ka tentuar të manovrojë për ta kthyer sërish makinën në rrugë, por pjerrësia e rrugës, mungesa e pamjes, kanë bërë që automjeti të rrotullohej dhe të përfundonte dhjetëra metra me tej në një terren jo fort të thyer.

Ekspertët theksojnë se, deputeti Olldashi nuk e kishte vënë rripin e sigurimit, çka ka bërë që ai të marrë dëmtime të rënda, si pasojë e rrotullimit te makinës, te cilat për fat të keq i shkaktuan vdekjen.

Sipas ekspertizës paraprake automjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur disa metra më larg në një rrugë rurale që lidh aksin kombëtar me Qafë Kërrabën. Ekspertet sqarojnë se pjerrësia e vendit të ngjarjes është 45 gradë dhe se shkak i aksidentit dyshohet te jete humbja e kontrollit mbi mjetin.

Dy prokurorët e çështjes, Blerim Tominaj dhe Ramadan Troci, po hetojnë dhe më tej, për të zbardhur çdo detaj mbi ngjarjen tragjike dhe në ditët në vijim pritet të marrin në pyetje dhe deputetin e Partisë Demokratike, Igli Cara, i cili njoftoi në sallën operative për aksidentin për të shpjeguar sesi ishte vene në dijeni për ngjarjen e rëndë.

Në krahun tjetër hetime janë kryer edhe në makinën ku po udhëtonte, Olldashi. Inxhinierë elektronikë kanë kryer disa teste me programe kompjuterike për të mësuar rreth shkaqeve të aksidentit dhe me të cilën po udhëtonte Olldashi, por sipas burimeve të policisë, pa sukses, pasi sistemi elektronik i makinës është i çekuilibruar.

Sa i takon shpejtësisë ekspertët e aksidenteve rrugore të policisë së Tiranës, kanë dalë në konkluzionin se mjeti ishte duke lëvizur me një shpejtësi nga 50 deri në 60 km/h. Brenda në makinë është gjetur telefoni celular i Sokol Olldashit.

23 Nëntor 2013 – 10:39

Igli Cara rrëfen natën fatale: Si e gjeta Olldashin

Deputeti Igli Cara, personi i parë që ka mbërritur në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën deputetit Sokol Olldashi, rrëfen detajet, që nga çasti që mori vesh lajmin për aksidentin, deri në momentin që ai u përball me të vërtetën shokuese të vdekjes së mikut të tij më të mirë.

"Unë e kam lajmëruar vetë policinë nga numri im për aksidentin. Në momentin që kam mbërritur në vendin e ngjarjes, makina ishte kthyer përmbys", – pohon Cara për "Gazetën Shqiptare". Veç kësaj, ai sqaron se në momentin që u hapën dyert e makinës, brenda saj ka qenë vetëm trupi i Sokol Olldashit. "Kur mbërritëm, nuk gjenim dot trupin e Sokolit, dyert nuk hapeshin. Vetëm kur erdhi policia kuptuam se Sokoli kishte vdekur dhe në makinë ishte vetëm trupi i tij", – rrëfen deputeti Igli Cara.

Ku ishit juve natën që ndodhi aksidenti i z.Olldashi dhe si e morët vesh për lajmin tragjik?

Unë isha tek një lokal me një mikun tim dhe isha duke ngrënë darkë, një pjatë makarona. Ne po e prisnim Kolin që të vinte, sepse kur kishim folur më parë na kishte thënë që ta prisnim aty. Konkretisht kam qenë tek një lokal i quajtur "Artisti", bashkë me një kolegun tim dhe shoferin e Sokolit, i cili ishte jashtë. Unë kisha folur me Kolin dhe më kishte thënë që ta prisja diku afër zyrës dhe ne po e prisnim.

Juve, kush ju lajmëroi për ngjarjen?

Unë, siç ju thashë, isha në lokal dhe rreth orës 21:00, hyri shoferi në lokal dhe i traumatizuar siç ishte, i kishte ikur fytyra, më tha që, "kush e ka makinën", se duhej të niseshim direkt për në Krrabë, sepse kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Sokolit i kishte ndodhur diçka. Hipëm në makinë dhe rrugës me telefonin tim kam lajmëruar 129-ën. I kam thënë që ka ndodhur një aksident, por jo se kush e kishte bërë dhe ku, sepse nuk dija se ku ishte vendi. Kisha dëgjuar vetëm që aty afër ishte një lokal, më dukej se quhej "Lokal Kiu", por se ku fiks nuk e dija, sepse nuk kisha qenë asnjëherë në atë vend. Kjo është e gjithë historia dhe unë habitem se pse duhej të flitej kaq shumë, kur dhimbja për ne të gjithë është shumë e madhe pas vdekjes së Sokolit.

Rreth çfarë ore mbërritët në vendin e ngjarjes dhe si e gjetët makinën?

Ne mbërritëm në vendngjarje rreth orës 21:20, nuk e kam fiksuar mirë, dhe pak minuta pas nesh erdhi policia. Kur shkuam në vendngjarje, pamë makinën që ishte kthyer përmbys në një pozicion shumë ters. U afruam tek makina dhe filluam të kërkonim se ku ishte Sokoli dhe nuk e shikonim. Pamë tek pjesa e pasme e mjetit, por na doli nga mendja që të shikonim në pjesën para. Shoferi filloi të kontrollojë jashtë makinës, sepse kujtuam se kishte dalë. Por, ne harruam që makina ishte mbrapsht dhe duhej të shikonim në pjesën para të saj. Nuk e shikonim asgjëkund Sokolin; vetëm kur pamë këmbët e tij tentuam të hapnim derën, por ajo nuk hapej, sepse makina ishte përmbys dhe në vend të keq. Pas dy-tre minutash ka mbërritur policia, të cilët u afruan tek makina dhe kur e panë trupin, mesa duket e kuptuan se ai kishte ndërruar jetë dhe nuk na lanë më që të afroheshim. Dhe, kur kemi hapur makinën, brenda ka qenë vetëm Sokol Olldashi. Nuk ka pasur njeri tjetër. Nuk e kuptoj se pse media mundohet kaq shumë që të prishë imazhin e dikujt; do patjetër që të ketë në makinë një person tjetër, kur në fakt nuk ka.

Ju thatë që shoferi ju lajmëroi për aksidentin; po shoferin, kush e lajmëroi?

Në fakt kjo është një pyetje që e di shoferi, por mesa di unë, ai më tha që kishte qenë duke folur në telefon me Sokolin. Por, gjatë momentit që kishte qenë duke folur me Sokolin, kishte dëgjuar zhurmë dhe ai më tha që në këtë moment kishte kuptuar se Sokoli kishte bërë aksident. Kjo është e gjithë e vërteta, të cilën shumë media u përpoqën që ta përdhosin.

Mjekësia Ligjore: Nuk ka viktimë të dytë në aksidentin e Olldashit

Zgjidhet misteri i kufomës që u raportua si viktima e dytë e aksidentit në Kërrabë. Burime zyrtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore deklarojnë se kufoma tjetër e pajetë, që ndodhej pranë trupit të deputeti Olldashi në sallën e morgut, nuk kishte lidhje me aksidentin e mbrëmjes së 20 nëntorit.

Sipas procesverbalit të asaj dite, personi i vdekur ishte 73-vjeçari Vehbi Fortuzi dhe kishte ndërruar jetë në Spitalin “Nënë Tereza”; nga gjakderdhja në tru.

Sjellja e trupit të deputetit Olldashi, koinçidoi në kohë me ardhjen e trupit të 73-vjeçarit nga ambulanca spitalore, e shoqëruar nga mjekja Rudina Nagjini dhe familjarët e tij. Sipas procesverbalit të mbajtur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, trupi i pajetë i 73-vjeçarit është tërhequr nga nipi i tij me inicialet R.H.

Ndonëse u në atë aksident u fol për dy emra të tjerë të përfshirë në ngjarje, të cilët për fatin e mirë vijojnë të jenë në jetë dhe sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme nuk kanë qenë fare në vendin e ngjarjes, nga Mjekësia Ligjore hidhet dritë mbi një tjetër konfuzion, i cili natën e aksidentit thuajse nuk është skicuar në morinë e pafundme të informacioneve që dolën nga vendi i ngjarjes.

Sipas të dhënave saktësohet se vdekja e V.Fortuzit nuk kishte ardhur nga shkaqe aksidentale, por nga një sëmundje e rëndë.

Mjekët ligjorë, nëpërmjet prokurorit që ka shoqëruar për në vendin e ekspertizës trupin e të ndjerit Olldashi, përjashtojnë kështu mundësinë se në morg nga ai aksident të jenë sjellë dy viktima, shkruan "Shekulli".

Ekspertiza mjeko ligjore

Dëmtime të mëdha e të menjëhershme në kokë i shkaktuan vdekjen Sokol Olldashit. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka këtë konkluzion kategorik në fund të përshkrimit që del nga autopsia. Dokumenti i firmosur nga tre mjekët ekspertë të këtij institucioni do të depozitohet në Prokurori nga ku pritet të dalin publikisht edhe përfundimet e para zyrtare. Sipas të dhënave, bëhet me dije se të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë ngjarje kanë arritur në konkluzionin se ngjarja në të cilën humbi jetën Sokol Olldashi është aksident automobilistik.

Referuar të dhënave që vijnë nga grupi i hetimit bëhet me dije se brenda 24 orëve pritet publikimi i rezultateve të ekspertizave që kanë të bëjnë me shkaqet e aksidentit si dhe të shkakut kryesor që i ka sjellë vdekjen, në atë dalje nga rruga. Mjekët kanë shquar plagë të shumta në kokë dhe në qafë, të parat si pasojë e përplasjes dhe të dytat për shkak të xhamit në të cilin është përplasur, që i kanë krijuar dëmtimet rreth qafës.

Konkluzionet

Duke parë vendin e ngjarjes, dëmtimet e shumta në kokën e të ndjerit si dhe xhamin e sipërm të makinës të thyer, ekspertët dhe hetuesit pretendojnë se në të vërtet goditjen e parë fatale e ka marrë pikërisht kur makina ka pësuar salton e parë, pasi deri në ndalimin përfundimtar makina ka pësuar vetëm dy saltro. Ekspertët kanë fiksuar se bëhet fjalë për krisjen e xhamit me kokë, krisje që ka bërë të mundur ngjitjen e xhamit në pjesë të qafës duke e dëmtuar rëndë. Kjo goditje i ka ndodhur dy herë të ndjerit duke i sjellë edhe vdekjen. Ekspertët, ndonëse jo zyrtarisht kanë pretenduar se kjo lloj përplasjeje mund të evitohej nëse Olldashi do të kishte pasur rripin e sigurimit.

Kontrollohen kamerat, pritet të zbardhet itinerari

Prokuroria ka nisur verifikimin e pretendimit të Igli Carës dhe të mikut të Olldashit, ku ky i fundit ka thënë publikisht se në momentin e aksidentit po fliste në telefon me mua. Njëkohësisht prokurorët e çështjes kanë kërkuar të marrin edhe pamjet filmike të tunelit për të saktësuar lëvizjet e tij në kohën kur edhe pretendohet. Policia ende nuk ka pyetur as shoferin e Olldashit dhe as personin e parë që ka lajmëruar policinë dhe që është gjendur po i pari në vendin e ngjarjes.

Konfuzioni vazhdon

Pas informacioneve se në vendin e aksidentit u nxorën dy trupa dhe jo një, edhe deklaratat e policisë me personat që pretendojnë se janë gjendur të parët në vendin e ngjarjes kanë janë krejtësisht kontradiktore.

Pavarësisht se ekspertët kanë shquar faktin se mjeti që drejtohej nga Olldashi ka humbur kontrollin duke dalë jashtë rruge, duke rënë në një lartësi mbi 10 metër, prokuroria ka vijuar punën për të zbardhur mekanizmin e saktë të mbërritjes së miqve të tij dhe policisë në vendin ku gjendej i pajetë Sokol Olldashi.

Përgjatë dy ditëve kanë qenë edhe banorë të zonës të cilët kanë dhënë variantin e tyre në lidhje me atë ngjarje të rëndë, ku secili pretendon se është gjendur i pari në vendin ku gjendej makina e aksidentuar e Sokol Olldashit.

Ndërkaq, prokuroria ka kërkuar nga ekspertët autoteknikë që të ekzaminohet paneli elektronik i makinës, i cili do të tregojë shpejtësinë apo manovrat e kryera. Automjeti ndodhet i ruajtur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës teknike.

Prokuroria ka ftuar edhe ekspertë privatë që do të merren me pjesën elektronike të mjetit. Gjithashtu, për nevoja të hetimit, prokuroria ka porositur që t’i vihen në dispozicion kamerat e tunelit të Kërrabës nga ku ka kaluar makina para aksidentit.

Shtatë persona, dëshmitarë që flasin mbi aksidentin

Zbardhen detaje të reja nga hetimi për aksidentin që i mori jetën deputetit demokrat Sokol Olldashi. Hetuesit marrin deklarimet e 5 banorëve të zonës dhe 2 policëve që shkuan të parët në vendin e ngjarjes.

Personat e parë që janë përballur me makinën e përmbysur te “Lapidari i Kërrabës” pas aksidentit të Sokol Olldashit, kanë qenë banorët e zonës, si dhe dy punonjës policie të stacionit të Farkës, që ishin me detyrë te tuneli i rrugës Tiranë–Elbasan.

Të shtatë këta persona, si dëshmitarët kryesorë të aksidentit tragjik, janë marrë në pyetje nga prokurori i çështjes dhe kanë shpjeguar me detaje atë çfarë kanë konstatuar në vendin e ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor të cituar sot nga e përditshmja Panorama thanë se të gjithë të pyeturit kanë dëshmuar se në makinën tip “Mercedez Benz S”, me targë AA 003 HN, ndodhej vetëm deputeti Olldashi.

Madje ata janë shprehur të sigurt rreth këtij fakti, pasi sipas deklarimeve të tyre, kanë tentuar ta lëvizin makinën që ishte e kthyer përmbys dhe kanë arritur të shohin edhe brenda saj.

Më pas dy efektivët e patrullës së parë që shkoi në vendngjarje kanë njoftuar shërbime të tjera, madje edhe një automjet zjarrfikës që të ndihmonte për të kthyer makinën në mënyrë që të nxirrej trupi, që sipas tyre, ishte konstatuar i pajetë.

Por këtu nis edhe misteri i ngjarjes, pasi gjatë gjithë kohës policia në qendër ka qenë e informuar për dy persona të plagosur, edhe pse dëshmitarët në Prokurori, 48 orë pas aksidentit, kanë deklaruar se aty ishte vetëm një person.

Celulari

Elementi kyç, thuajse më i rëndësishmi për zbardhjen e misterit të aksidentit tragjik ku humbi jetën Sokol Olldashi, celulari i tij, që ekspertët ia kanë gjetur në dorë, ende nuk është këqyrur nga grupi hetimor. E gjithë zbardhja e ngjarjes vërtitet rreth atij celulari, i cili për Prokurorinë është vlerësuar si provë dytësore, pasi më e rëndësishmja është këqyrja e makinës. Por një gjë është e sigurt: që verifikimi i thirrjeve në telefonin e Olldashit dhe zbardhja nëpërmjet antenave të vendndodhjes së personit tjetër me të cilin po komunikonte në momentin fatal, do të zbardhnin shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje.

Që vetë Olldashi t’i ketë telefonuar dikujt në momentin e aksidentit, kjo është hedhur poshtë nga ekspertët kriminalistë dhe ata mjekoligjorë, që konfirmuan se viktima nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të kryer telefonatë. Por të paktën mbrëmjen kur ndodhi aksidenti u komentua në këtë formë, sikur Olldashi i kishte telefonuar vetë shoferit të tij, duke i kërkuar ndihmë. Më pas kjo deklaratë paraprake u përmbys, kur shoferi deklaroi në polici se ka qenë duke folur në telefon me shefin e tij kur ndodhi aksidenti, pasi ai e kishte marrë vetë sapo kishte kaluar tunelin.

Sendet që u gjetën tek makina e Olldashit

Pasi është bërë hapja e makines për kryerjen e kontrollit auto-teknik, ekspertët e grupit hetimor kanë bërë edhe këqyrjen e brendshme të saj, për gjetjen e ndonjë prove shkencore, por edhe për të nxjerrë nga aty sendet personale të deputetit Sokol Olldashi.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga këqyrja e automjetit janë gjetur dy kompjuterë laptopë, 20 pako me duhan, si dhe tre libra. Objektet e gjetura brenda në makinë u janë dorëzuar familjarëve të Olldashit. Burimet thanë se është bërë edhe këqyrja e bagazhit të automjetit, por aty nuk është gjetur asnjë send personal i Olldashit. Ndërsa të vetmet prova shkencore të gjetura brenda në makinë, kanë qenë njolla gjaku, që janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës, që sipas burimeve, janë të viktimës.

Ndërsa objekti tjetër që ndodhej në makinë natën e aksidentit, ishte celulari i Olldashit, por është marrë si provë e rëndësishme materiale që prej mbrëmjes kur ndodhi ngjarja. Telefoni do t’i kthehet familjes vetëm pasi të jetë bërë këqyrja e tij dhe grupi hetimor të ketë zbardhur thirrjet e fundit.

Vdekja e Olldashit, 3 minuta pas aksidentimit

Sokol Olldashi ka gjetur vdekjen tri minuta pas aksidentit fatal. Plaga në pjesën e kokës ka qenë edhe shkaku që i mori jetën deputetit të Partisë Demokratike, mbrëmjen e së mërkurës, gjatë kohës kur ai ishte duke udhëtuar me automjetin e tij privat.

Ky është konkluzioni paraprak i ekspertizës mjekoligjore. Automjeti ka qenë duke ecur nga Elbasani drejt Tiranës. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke rënë një rrebesh i madh shiu.

Kjo i krijonte vështirësi viktimës në drejtimin e makinës. Errësira në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës ia vështirësonte edhe më shumë punën deputetit.

Telefonata me shoferin

Burime të brendshme të Policisë së Tiranës, bëjnë me dije se sapo Olldashi mbërrin në vendin e quajtur Lapidari i Kërrabës, i bie telefoni. Ka qenë shoferi i tij, ai që ka marrë Olldashin, për ta pyetur se ku ndodhej, pasi po e priste së bashku me deputetin e Qarkut të Durrësit, Igli Cara. Ai i përgjigjet duke e sqaruar se ku ndodhej në atë moment dhe se nuk vonohej. Papritur shoferi i tij dëgjon përtej telefonit disa zhurma.

Ai e thërret për të disatën herë në telefon, por ishte e kotë, sepse ai nuk mundi të merrte asnjë përgjigje, përveç zhurmave dhe përplasjeve që dëgjonte në sfond. E mbyll telefonin dhe tenton që ta marrë sërish, por askush nuk e hap. Si pasojë e kësaj, shoferi i Olldashit dyshon se mund t’i ketë ndodhur një aksident shefit të tij dhe një gjë të tillë ia komunikon Carës. Ky i fundit njofton sallën operative për aksidentin.

Ndërkaq, ekspertët dyshojnë se mungesa e përqendrimit në timon ka bërë që automjeti të dalë jashtë rruge, pasi gomat kanë rrëshqitur prej lagështirës. Ai e ka kuptuar se makina po humbte kontrollin dhe ka tentuar që të manovrojë, për t’u futur sërish në korsinë e rrugës. Pavarësisht përpjekjeve, ka qenë e kotë, sepse makina ka përfunduar poshtë rrugës nacionale, duke rënë në një lartësi rreth 30-40 metra nga krahu i pasagjerit. Makina është përmbysur dhe fakti që Olldashi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit ka bërë që trupi të lëvizë me forcë.

Nga përplasja e madhe, zotit Olldashi i janë shkaktuar edhe plagë serioze, me pasojë vdekjen. Ekspertët paraprakisht bëjnë me dije se Olldashi ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës dhe fytyrës. Si pasojë e goditjeve, të ndjerit i është shpërfytyruar fytyra. Gjithashtu atij i kanë plasur mushkëritë, të cilat prej goditjes së madhe i kanë dalë jashtë funksionit, pas rrokullisjes që automjeti ka bërë në momentin që ka dalë jashtë rrugës.

Ekspertët e cituar sot nga gazeta Shqip thonë gjithashtu se prej aksidentit, deputeti i PD-së ka pësuar dëmtime në qafë. Plagë të rënda ka marrë edhe te këmbët, çka e ka vështirësuar punën e policisë për nxjerrjen e viktimës jashtë automjetit, të cilat kishin ngelur poshtë sediljes. Para se policia të nxirrte trupin nga automjeti, në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë bërë këqyrjen e kufomës, pozicionin në të cilën kishte rënë e të tjerë.

Ky proces ka zgjatur disa orë dhe pasi kjo e fundit përfundoi punën, forcat e policisë ndërhynë për ta çuar trupin në morgun e Spitalit Ushtarak. Specialistët më të mirë të Mjekësisë Ligjorë kanë bërë ekspertimin e viktimës. Trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve pas pesë orësh në Mjekësinë Ligjore. Ekspertiza më e plotë pritet që të dorëzohet pranë organeve kompetente disa ditë më vonë.

Dëshmitë

“Rruga nuk ka as ndriçim, as sinjalistikë. Mendoj se lagështia dhe errësira ia morën jetën deputetit”

Banorët e zonës: Nuk dëgjuam gjë, ishte furtunë

Zona ku ndodhi aksidenti tragjik nuk është mjaft e populluar, ndoshta edhe prej faktit se prej vitesh aty janë ngulur varrezat e fshatit Kërrabë. Askush prej banorëve të zonës nuk e ka parë aksidentin. Ata thonë se mbrëmjen e së mërkurës binte shi i rrëmbyeshëm. Kjo i kishte detyruar ata që të mbylleshin në shtëpi. Zhurma që krijonte furtuna, e mbyste zhurmën e përplasjes së automjetit.

“Unë me familjen time kam qenë në shtëpi kur ndodhi aksidenti. Binte shi i madh dhe herë pas here kishte edhe shkreptima. Prej të ftohtët kishim mbyllur dyer e dritare. Nuk kam dëgjuar asgjë nga aksidenti. Këtu tek ne nuk ka shumë banorë. Në orën 06:00 të pasdites, çdo gjë mbaron. Bie qetësi e madhe sepse të gjithë janë brenda në shtëpi. Rruga nuk ka as ndriçim, as sinjalistikë, asgjë. Mendoj se lagështia dhe errësira ia morën jetën deputetit”, shprehet banori i zonës. Ai thotë se ka dëgjuar vetëm sirenat e makinave të policisë.

“Ka qenë ora nëntë e ca e mbrëmjes. Dëgjova shumë sirena dhe u bëra kureshtar të dija se çfarë kishte ndodhur. Zbrita poshtë dhe pashë që kishin ardhur shumë njerëz. Fillimisht mora vesh se kishte ndodhur një aksident me dy të plagosur. Pastaj më thanë që bëhej fjalë për Sokol Olldashin, i cili kishte vdekur. Në vendin e ngjarjes ishin shumë policë dhe nuk na lejonin që të afroheshim shumë. Nuk arrita ta kuptoj sjelljen e policisë. Qëndrova ca kohë aty dhe pastaj shkova në shtëpi, sepse shiu nuk pushonte”, e mbyll rrëfimin banori i zonës, i cili e ka shtëpinë pak metra larg vendit të ngjarjes.

Banorët thonë se kthesa ku ndodhi aksidenti tragjik është shumë e rrezikshme. Aty kanë ndodhur jo pak aksidente. Ngjarja më e fundit ka ndodhur para një muaji, ku drejtuesi i mjetit pësoi dëme serioze.

CEREMONIA E VARRIMIT

Mes lotësh, hidhërimit dhe zisë që pllakosi mbarë vendin i është dhënë lamtumira e fundit deputetit demokrat Sokol Olldashi.

Trupi i tij i pajetë prehet në varrezat e Sharrës, aty ku u mbulua nga mijëra e mijëra lule, e ku u dëgjuan drithërima lotësh e dhimbjesh.

Ish-ministri dhe funksionari i lartë i PD i hodhi vellon e zisë mijëra qytetarëve të cilët sot u përlotën, duke u solidarizuar me dhimbjen e familjarëve të tij dhe duke u bashkuar në homazhet që për dy orë me radhë u mbajtën në ambientet e Kuvendit, aty ku kishte ngritur aq e aq herë zërin… por që sot heshti.

Në funeralin e tij i cili u përmbyll me fjalën e rastit nga deputeti demokrat Astrit Patozi, ishin të pranishëm politikanë të lartë të vendit, por edhe nga Kosova, të cilët i hodhën një dorë dhe, në vend të përkëdhelisë dhe përqafimit të munguar, duke thënë mes lotësh “Të qoftë i lehtë dheu Koli”.

41 vjeçari Sokol Olldashi humbi jetën tragjikisht teksa makina me të cilën udhëtonte në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, doli nga rruga në fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, duke gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra.

Olldashi, para pak javësh dha një mesazh për aksidentet

28 tetor 2013, mesazh në FB:

“Pashe pak lajmet. Makina përplas dy fëmijë ne Tirane, Makina del nga rruga ne Shkodër, etj. etj. Personalisht nuk jam i prirur te fajësoj qeverinë për çdo aksident, por duke u rikthyer vetëm pak jave prapa ne kujtese, mendoj se qeveria e sotme na detyrohet një ndjese. Nuk kishte dite te mos dilte Saimir Tahiri te fajësonte qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për çdo aksident qe ndodhte. Ku është tani?! A e mendon njësoj se fajtore për çdo aksident është qeveria???!!!”, – përfundonte mesazhi i Olldashit.

Edi Rama, mesazh per Olldashin

"S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë s’i kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë", perffundon mesazhi publik i z.Rama.

Ministria e Brendshme, deklaratë zyrtare mbi vdekjen e Olldashit

Ministra e Brendshme ka folur zyrtarisht lidhur me vdekjen e deputetit Sokol Olldashi, për të parën herë duke dhënë informacion për aksidentin fatal:

"Në datë 20.11.2013 në rrugën interurbane dytësore, Tiranë – Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol Olldashi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi ka qenë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë.

Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme. Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë një mjet kishte dale nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij".

Basha: Ti je dhe do mbetesh impuls dhe forcë, lamtumirë i dashur mik dhe vëlla

Ndërsa është përcjellë nga ambientet e Kuvendit i cili hapi dyert e mortit për ti dhënë lamtumirën e fundit deputetit Sokol Olldashi, arkivoli me trupin e pajetë është ndalur para godinës së Parlamentit ku ka mbajtur fjalën e rastit kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Në fjalën e tij kryedemokrati tha:

"Këtu ku sot jemi mbledhur, për ti dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.

Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.

Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.

Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë  në këmbë, gjithnjë në  krye, me pamjen e tij të vendosur  e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli  viteve  të  moshës së burrërisë dhe  pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.

Të dashur familjarë dhe të afërm të Sokolit, të nderuar miq dhe kolegë,

Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.

Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.

Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:

Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!

Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.

Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.

Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errëta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.

Sepse ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.

Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.

Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:

Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.

Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!

Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!

Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.

Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.

Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.

Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.

Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.

Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.

U prefsh në paqe!"

Berisha: Sokoli jeton dhe do jetojë midis nesh

Të bërë bashkë si kurrë më parë politikanë të majtë dhe të djathtë, u përlotën në homazhet në nderim të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi.

Homazhet e mbajtura në Kuvend në nderim të deputetit të ndjerë u çelën nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, për tu vijuar më tej ish-kryeministri Sali Berisha, deputetja Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Igli Cara etj.

Në fjalën e mbajtur për mediat në përfundim të homazheve Berisha deklaroi, “Ndahemi nga njëri nga djemtë më të talentuar zërat më të fuqishëm qeveritarët më efiçentë, personalitet i cili është shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme, ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve. Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me trashëgiminë e tij, për Partinë Demokratike, për vendin e tij, për kombin e tij”.

Homazheve iu bashkuan deputetët socialistë si Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Taulant Balla etj.

Duke folur për mediat Ruçi e cilësoi si një humbje tragjike për vendin, politikën duke shtuar se pavarësisht kundërshtive politike, socialistët bashkohen në dhimbje për të nderuar si njeri, "Vëllain dhe mikun tonë Sokol Olldashi".

Homazheve iu bashkua edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili u përkul para arkivolit të të ndjerit për ta përshëndetur për të fundit herë.

Më poshtë disa nga mesazhet e shumta të ngushëllimit të miqve dhe kolegëve  

Presidenti i Republikës Bujar Nishani- Në këto çaste të rënda, kur përjetojmë me hidhërim të thellë humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi, shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes së tij. Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë. Do e sjellim ndërmend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan. Familja e tij të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë. I paharruar qoftë kujtimi i Tij!”

Oerd Bylykbashi: Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë, kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit “Naim Frashëri”, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studentëve, t’i u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment t’i u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do të ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!

Eduard Selami: “Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e mia shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”

Aleksandër Arvizu: Kam qenë me fat që e kam njohur Olldashin. Do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë. Kam qenë me fat, që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës time në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqiperinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend me të mirë për të gjithë. Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij, më tregoi për planet që kishte për të vizituar SHBA-në. Në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegeve të mi të Ambasadës amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë ditë të vështirë.

Ettore Sequi: Do të doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij. Mendimet e kolegëve tanë janë me miqtë e tij.

Tritan Shehu: Humbëm një shok, një mik. Humbje e tmerrshme për atë dhe familjen. Humbje e tmerrshme për politikën e shoqërinë. Ngushëllimet më të thella.

Majlinda Bregu: Lamtumirë Koli, miku im i mirë. Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le.

Jorida Tabaku: Familjes do t’i mungojë përjetë njeriu i dashur, studiove televizive debatuesi intimidues, foltores së parlamentit oratori karizmatik, Partisë Demokratike do t’i mungojë lideri frymëzues. Lamtumirë miku ynë! Shpirti yt u prehtë në paqe!

Eduard Halimi: Lamtumirë i dashur miku im.

Shpëtim Idrizi: U prehtë në paqe Koli, Zoti ia lehtësoftë humbjen e dhimbjen familjes dhe miqve!

Kastriot Islami: I dashur Koli! Sonte morëm vesh një lajm tronditës deri në fund të pabesueshëm. Një ngjarje e rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne… Uroj të prehesh i qetë. Zoti i dhëntë forcë familjes!

Jozefina Topalli: Kishte kurajo të jashtëzakonshme. Me një humor, simpati guxim. E kam dashur shumë, kishte instikt politik të rallë. Ngushëllimet më të sinqerta nënës së Kolit, e cila e internuara duhej të kujdesej për Sokolin. Humbëm koleg të jashtëzakonshëm!

Gerti Bogdani: Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre! R.I.P. MIK!

Fatos Nano:  Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe. Sokol Olldashi ishte njëri nga ne, politikanë të trazicionit me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë. Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radhë e tij. Sigurisht, që do t’i mungojë jo vetëm familjes, por edhe politikës, por edhe të ardhmes. Respekte.

Xhezair Zaganjori: I shpreh ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi. Ndarja tragjike dhe e parakohshme e tij nga jeta, është një humbje e pazëvendësueshme edhe për miqtë, kolegët dhe deputët e Kuvendit të Shqipërisë. Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë për figurën, punën dhe kontributin e zotit Sokol Olldashi, në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

Shegushe Ligori: Kam biseduar me të kur ishte ministër i Transporteve për punimet në rrugën që i mori jetën! Fliste me shumë pasion për këtë investim! Madje edhe për ristrukturimin e rrugës së vjetër, për ta bërë atë turistike… Ngushëllime familjes dhe të afërmve të deputetit e politikanit të karrierës, Sokol Olldashi!

Mesila Doda: Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!

Taulant Balla: Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë, Sokol Olldashi. U prefsh në paqe, Sokol!

Erjon Braçe: U prehtë në paqe Sokol Olldashi!

Piro Lutaj: I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik, i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe 2 djemtë. U prehtë në paqe Sokoli i paharruar!

Rudina Seseri: Ngushëllime dhe keqardhje për Sokol Olldashin dhe familjen e tij në këtë mbrëmje të vështirë.

Astrit Bushati: Humbëm një mik! Ndihem keq! Pushofsh në paqe, Kol!

Alfred Peza: E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot (të mërkurën) në 18:30 në bar-in e Hotel “Rogner”…

Andis Harasani: Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim, Sokol Olldashi!

Nano: Iku pa radhë, do t’i mungojë politikës 

Po ashtu në homazhe mori pjesë edhe ish-Kryeministri Fatos Nano, ashtu sikundër qindra mijëra personalitete të tjerë.

Në fjalën e tij Nano tha, “Sokoli ishte një nga ne, politikanët e tranzicioniet, me sakrificat, kontributet dhe debatet që shoqërojnë politikën. Ajo që shton dhimbjen është se iku pa radhë, do i mungojë politikës, shoqërisë dhe të ardhmes”.

Edhe Kryeministri Edi Rama iu është bashkuar homazheve për të nderuar deputetin e ndjerë demokrat Sokol Olldashi, duke u përkulur së bashku me të shoqen e tij para trupit të pajetë të figurës së shquar të Partisë Demokratike, dhe duke ngushëlluar familjarët.

Presidenti Nishani, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Olldashi

Presidenti Bujar Nishani ka lëshuar një mesazh ngushëllimi për ndarjen tragjike nga jeta të deputetit Sokol Olldashi.

Në mesazhin e tij Nishani shkruan:

Në këto çaste të rënda, kur përjetojmë me hidhërim të thellë humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi, shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes së tij.

Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë.

Do e sjellim ndër mend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan.

Familja e tij të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë.

I paharruar qoftë kujtimi i Tij!”

11:45- Kuvendi hap dyert, pret për herë të fundit Sokol Olldashin

Me qindra familjarë, miq, të afërm, kolegë, por edhe qytetarë të thjeshtë kanë trokitur nga mbrëmja e djeshme e përgjatë ditës së sotme në derën e familjes Olldashi, për të ngushëlluar por edhe për t’iu bashkuar zisë që ka pllakosur familjen e të ndjerit Sokol Olldashi.

U nda nga jeta në moshën 41 vjeçare si pasojë e një aksidenti fatal në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë, duke lënë me kokën mënjanë, të shoqen Enkelejda, dy djemtë e tij, por edhe gjirin e ngushtë familjarë, ashtu sikundër la bosh një karrige në Kuvend, ku zëri i tij nuk do të dëgjohet më.

U nis nga banesa e tij në arkivolin e mbuluar me lule bardhë e blu, nën duartrokitjet dhe lotët e të pranishmëve, për tu drejtuar atje ku kishte dhënë kontributin dekadat e fundit, drejt Kuvendit.

 E pikërisht për ti dhënë lamtumirën e fundit në homazhet në nderim të tij, Kuvendi ka hapur dyert jo për seancën e parashikuar për tu mbajtur ditën e sotme, por për ta pritur për herë të fundit, jo me fjalim në foltore, por në heshtje, në zi dhe mes lotësh.

Eksponentë të lartë të politikës, kolegë dhe kundërshtarë përshëndeten kështu në sallën ku ndanë shqetësime, por dhe ku u përballën.

Deputeti Olldashi do mungojë në apelin e Kuvendit në të cilin sot dëgjohet muzikë funebre, do mungojë për qytetarët që i besonin shqetësimet, ashtu sikundër do i mungojë shumëkujt që e vlerësonte për njeriun që ishte.

Nëna e të ndjerit Olldashi

Edhe Bashkia e Tiranës i është bashkuar zisë, duke vendosur që flamujt në kryeqytet të ulen në gjysmë shtizë gjatë periudhës së homazheve për deputetin e Partisë Demokratike, ndërsa Qeveria e shpalli ditë zie kombëtare. E pikërisht në kujtim të tij nuk janë bërë pjesë vetëm ata që e njihnin nga afër, ata që punonin dhe jetonin pranë tij, por edhe qytetarë të shumtë, të cilëve iu hoq çdo tis buzëqeshja nga fytyra kur mësuan lajmin, dhe u bashkuan në Parlament për ti dhënë lamtumirën e fundit, “U prefsh në paqe Sokol”.

11.:09 – Qeveria shpall zi kombëtare për Olldashin

Vendim i Këshillit të Ministrave

Shpallet ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.

3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

11:12

In Memoriam!

Nga Sali Berisha

I dashur Sokol, lajmi i zi per aksidentin tragjik permbyti me dhimbje, pikellim dhe zi te madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkeshortes, djemeve, prinderve, miqve, te afermve tuaj por dhe te demokrateve dhe demokratëve dhe mbare shqiptareve. I rritur ne kampet e punes te rregjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrifices, kurajos dhe qendreses njerezore, Sokol Olldashi me guximin, mençurine, shpirtin e tij te pamposhtur, do te hynte ne levizjen demokratike te viteve 90 dhe do te shkelqente si njeri prej yjeve me te shendriteshme te saj. Bashkeshortja, djemte, prinderit, miqte, te afermit e tu humben mbreme njeriun e tyre me te dashur, Partia Demokratike, demokratet dhe mbare shqiptaret humben njerin prej drejtuesve, personaliteteve me te vendosur dhe me te shquar te ketyre dy dekadave, humben njerin prej politikanëve me te talentuar, qeveritareve tane me te afte . Parlamenti shqiptar humbi oratorin me llogjike te kristalte, ligjberesin e zote, avokatin e zjarrte te qytetareve dhe interesit te tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do te kene me yllin e tyre te paperseritshem. Kurse une nuk do te kem më jo vetem nje mik te çmuar por dhe njerin prej bashkepunetoreve me te afert, me te afte, me te guximeshem te jetes sime politike.

I dashur Sokol, sot dhimbja ne zemrat tona eshte me rende se guri, zija me e zeze se nata, me e zeze se ajo kthesa qe te zuri prite dhe vitin e dyte te rinise se burrit te çoi tinezisht miku yne i dashur ne banesen e perjetesise. Ora qe une po shkruaj keto pak fjale ka kaluar kater e mengjesit dhe te them te verteten syte ne ndonje cast dhe me njomen dhe lëpehen dhe ne ndonje fjale germat edhe me zbehen, por une te siguroj se keto jane vetem çaste. Ne nuk mund vajtojme dhe kurre nuk do te vajtojme per ty. Ti je dhe do mbetesh perjete i gjalle midis nesh. Ti jeton ne krenarine,ne frymezimin, vizionin, guximin tone. Ti jeton ne zemrat e te rijnjve qe ngrije peshe, ne shkrimet e tua perla te publicistekes sone, ne fjalimet, debatet, batutat e tua te paperseriteshme, jeton ne vepra qe kane ndryshuar kete vend pergjithmone.

Miku une, ne me kitaren tende, tingujt e saj melodioze gjithnje do kendojme dhe festojme se bashku ty, vepren tuaj te pavdekshme, vepren tone. Po Koli, prehu i qete ,me deshiren e Zotit ne paqen e merituar. Lamtumire mik i dashur, lamtumire Sokol, ti perjet je midis nesh. I lehte qofte mbi ty, dheu i tokes sone!! Sb

Editorial/ Dhembja që na bën bashkë

Nga Ilir Meta

Vdekja nuk njeh radhë. Vdekja thonë se zgjedh. Kësaj here zgjodhi Sokol Olldashin, babain e fëmijëve, bashkëshortin e një gruaje dhe birin e një nëne.

Gazetar dhe politikan, mik e kundërshtar, polemist i lindur, Sokol Olldashi hyri tashmë në heshtjen e tij. Për të tani flet dhembja e atyre që e kanë njohur. E atyre që e kanë parë. E atyre që kanë qenë dëshmitarë të jetës së tij të stuhishme në politikë, dëshmitarë të rrugës së jetës së tij që u ndërpre brutalisht në një natë me shi.

Krejt papritur!

Krejt befasisht!

Me vdekjen që e priste në takim në kthesën e fundme të jetës së tij.

E priste me ngut. Sepse e priste që copën tjetër të rrugës ta bënin bashkë!

Eshtë një humbje e padrejtë.

Eshtë një dhembje e pamerituar!

Sokoli nxitoi të mos jetë vonë.

Dhe iku, iku shumë shpejt!

Në këtë ditë të zymtë, jam me shpirt e me lutjet e mia dhe të familjes sime pranë familjes së mikut e kolegut tim, pranë dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Glaukut dhe Kleitit, bashkëshortes së urtë Enkelejda e nënës së shumëvuajtur Kozeta. Jam me të gjithë miqtë e dashamirësit e tij të panumërt që sot Sokoli i bashkoi të gjithë në zinë për të.

Sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufinjtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit tanë.

Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit 90’. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten!

Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal.

Student i shkëlqyer, Sokoli  hyri në vitet 90’ me peshën e vuajtjes së persekutimit të egër e të padrejtë.

Opozitar i lindur, u bë pjesë e opozitës së dikurshme atëherë kur ky ishte vendimi më i vështirë për t’u marrë dhe aktor domethënës i qeverisjes së djeshme dhe sërish faktor plot peshë i opozitës së sotme.

Sokol Olldashi nga heshtja e tij na fton të reflektojmë në heshtje. Shqipëria sot, si Ballkani dje, prodhon më shumë ankth, tension dhe nervozizëm sesa mund të konsumojë. Duhet të jetë kështu? Natyrisht që jo! Ky nuk është fatalitet. Nuk është as e shkruar që të jetë kështu. Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë.

Ne shqiptarët, si gjithë ballkanasit, jemi nervozë në dasma dhe jemi seriozë e të menduar në funerale. Sepse dhembja na ndihmon të dëshmojmë pjesën tonë më të mirë. Sokoli iku që ta kujtojmë gjithmonë si një mik të mirë! Iku që të kujtojmë sërish se vetë dhembja na bën të gjithëve më të mirë!

Elbasan-Tirane, 21 Nëntor – 11:09

Fjalët e fundit të Olldashit në aksident dhe dëshmia e deputetit Cara

“Kam bërë aksident, jam keq!” Këto janë fjalët e fundit që ka thënë Sokol Olldashi, teksa automjeti i tij kishte rënë në greminën e Krrabës.

Sinjali i fundit i jetës së tij ka shkuar në celularin e shoferit të tij, i cili në momentin e marrjes së lajmit të keq ka lajmëruar sallën operative dhe bashkë me deputetin e PD-së, Igli Cara, janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes me idenë për t’i dhënë ndihmën mikut të tyre.

Kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, automjeti nuk është parë në rrugë, ndërsa kalimtarë të rastit kanë shquar dritat e bllokazhit të një makinë në humnerë.

Deputeti Igli Cara thotë se kishte folur me Olldashin pesë minuta para se të mësohej ngjarja.

Cara tha se Olldashi i kishte treguar se po kthehej nga Elbasani në Tiranë.

Por pak minuta më pas, shoferi i Olldashit e njofton se ishte lajmëruar se Olldashi ishte aksidentuar.

Cara thotë se kanë rendur me makinë drejt vendit të aksidentit, ku arritën të gjejnë makinën e rënë në humnerë.

Deputeti Cara tha se kanë arritur në vendngjarje rreth 30 sekonda para se të vinte policia. Cara thotë se dyert e makinës ishin të mbyllura dhe nuk arrinin dot t’i hapnin.

INTERVISTA/Deputeti i PD, Cara, flet mbi ngjarjen

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka qenë ndër të parët që ka marrë vesh aksidentin tragjik të ish-ministrit Sokol Olldashi. Ai ka qenë duke e pritur në Tiranë për t’u takuar, kur është njoftuar nga shoferi i Olldashit për atë që kishte ndodhur në Kërrabë. Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Panorama”, deputeti i qarkut të Durrësit thotë se Olldashi ka qenë i vetëm në makinë kur po kthehej nga Elbasani për në Tiranë. Ju keni qenë i pari që keni lajmëruar policinë për ngjarjen. Cila ishte arsyeja e vajtjes së Olldashit në Elbasan? Nuk e di ta them. Ai po kthehej. Unë po e prisja me shoferin e tij në Tiranë për ta takuar. Shoferi më pas ishte shkëputur për një moment dhe më tha pastaj që Sokoli është përplasur. Shoferi ishte me Olldashin? Shoferi ishte duke e pritur në Durrës, Sokoli ka qenë vetëm në makinë. Kush ishte personi i dytë në makinë? Nuk ka pasur trup të dytë në makinë, ka qenë vetëm Sokoli. Për çfarë ka qenë në Elbasan? Nuk e di. Keni informacion se cilat kanë qenë shkaqet e aksidentit? Makina ka dalë nga rruga. Rruga ka qenë e tmerrshme, nuk kishte as pamje, as dritë. Ka dalë nga rruga dhe ka rënë poshtë.

Tiranë, bashkia vendos flamujt në gjysmështizë për vdekjen e Olldashit

Bashkia e Tiranës ka vendosur që flamujt në kryeqytet të ulen në gjysmë shtizë gjatë periudhës së homazheve për deputetin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Homazhet në nderim të deputetit Sokol Olldashi do të bëhen në Kuvendin e Shqipërisë në orën 11:00 ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 14:00.

Ekspertë të policisë, hetime në vendngjarje

Pas aksidentit të rëndë që ndodhi natën e kaluar në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, ku humbi jetën deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi, një grup i gjerë hetimor nisi hetimet në vendin e ngjarjes.

Pjese e këtij grupi ishin edhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Makina e aksidentuar, me te cilën udhëtonte deputeti Sokol Olldashi, u nxor rreth mesnatës nga gremina.

Mjeti do t`i nënshtrohet një ekspertimi tekniko- shkencor për të hedhur me tepër dritë rreth shkaqeve të aksidentit. Sakaq, ekspertët rrugorë do të ekspertojnë dhe mbi kushtet e rrugës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e vonë të së mërkurës në aksin rrugor Tiranë- Elbasan.

Aksidenti ndodhi rreth orës 21.18, pranë lapidarit të Kërrabës, kur automjeti tip Benz, që drejtohej nga deputeti Olldashi ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 20 metra në greminë, duke shkaktuar vdekjen e deputetit Olldashi.

Në momentin e aksidentit, kishte reshje të dendura shiu.

Sipas ekspertëve kriminalistë, Olldashi është gjetur me celular në dorë, e mendohet se mund të ketë qenë duke folur në telefon. Ndërsa nga ekspertiza mjekoligjore, dëmtimet më të mëdha i ka në gjoks dhe në kokë.

Elbasan, Tiranë, NOA.al – Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka humbur jetën në një aksident rrugor mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21,20 të së mërkurës, kur i ndjeri Sokol Olldashi, 41 vjeç, i martuar dhe baba i dy djemve, ishte duke udhëtuar me makinën tip Mercedes Benz që drejtonte vetë.

Në rrethana që ende nuk janë të qarta, makina ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e z.Olldashi.

Rreth dy orë më vonë, forcat policore kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina, të trupit të pajetë të z.Olldashi. Operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë nga automjeti ka zgjatur në kohë për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar mjeti nga përplasja. Ndërkohë që pas këtij momenti tragjik, autoambulanca ka transportuar për në morgun e QSUT trupin e pajetë të z.Olldashi Policia e Shtetit deri në orën 01.30 të së enjtes nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare mbi këtë ngjarje.

Pak minuta pasi u mësua ngjarja, në vendin e aksidentit kanë shkuar shumë njerëz, përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit dhe politikanë. Mes tyre, kryetari i PD, Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, etj.

Më tej, pas mesnate, shumë politikanë dhe deputetë kanë shkuar në morgun e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sokol Olldashi ishte 41 vjeç, i martuar dhe baba i dy djemve. Ai deri dje ishte deputet i Partisë Demokratike. Më herët ka qenë disa herë ministër në qeveritë e djathta.

Gazetar i njohur i viteve ’90, z.Olldashi njihet edhe si një ndër të rinjtë e dhjetorit ’90 kur u rrëzua sistemi komunist.

Para disa muajsh, Sokol Olldashi ishte në garë përballë kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për kryetarin e ri të PD, pas dorëheqjes së Sali Berishës që humbi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Në zgjedhjet për kreun e PD, Olldashi nuk arriti të fitojë.

Homazhe në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që ditën e enjte në ora 11:00 të zhvillohen homazhet në selinë kryesore të Parlamentit për nder të deputetit të ndjerë, Sokol Olldashi.

Pas homazheve, në ora 14:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit ku do t’i jepet lamtumira e fundit deputetit, i ndarë para kohe nga jeta. /a.y/a.a/noa.al/

Ngushëllim i sinqertë nga NOA.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve dhe FB.com/noanews

NOA.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve dhe faqja e saj në rrjetin social Facebook, FB.com/noanews, shprehin ngushëllimet e sinqerta për humbjen tragjike të z.Sokol Olldashi. Ngushëllime të veçanta për familjen e tij..

Reagimet e politikës

Deklaratë e përbashkët nga Basha, Berisha dhe i gjithë Grupi i PD për vdekjen e Olldashit

EDITORIAL/ Lutje për një mik! 

Nga Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Edi Paloka, Flamur Noka, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Aldo Bumçi, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Eduart Halimi, Fatos Beja, Keltis Kruja, Lajla Përnaska, Mesila Doda, Myqerem Tafaj, Rajmonda Bulku, Albana Vokshi, Gert Bogdani 

Mbrëmë humbi jetën në një aksident tragjik, deputeti i PD-së, Sokol Olldashi.

Nëna, humbi njeriun më të dashur të cilin e rriti me aq shumë mund dhe sakrifica për shkak edhe të regjimit, i cili e internoi familjen e Sokolit kur ai ishte vetëm dy vjeç në Selenicë të Vlorës.

Bashkëshortja humbi njeriun e saj të zemrës, fëmijët humbën babain e dashur. PD humbi ish-ministrin dhe deputetin e saj, humbi ish-drejtusin e Forumit Rinor, zërin e fortë dhe qytetar në Parlamentin e Shqipërisë dhe mikun e betejave politike për një shoqëri të lirë, të zhvilluar dhe më të mirë.

Shoqëria humbi një zëdhënës të sajin, ndërsa gazetaria një mik dhe koleg të përhershëm dhe të kudogjendur.

Politika dje ka mbajtur frymën. Ka qenë në vendin e aksidentit e bashkuar si rrallë mund ta shikosh atë, duke kuptuar se përtej betejave dhe debateve të ditës, vlera e jetës është më e madhja.

Sokoli do të na mungojë të gjithëve. Fati e desh të largohet në një moshë të re dhe përballë tij të gjithë jemi të pafuqishëm për të protestuar, por jemi të mundur për të reflektuar, se sa e shkurtër është jeta e njeriut.

Do t’a kujtojmë çdo herë si njërin nga ne, si mikun dhe shokun tonë me të cilët kemi ndarë momente të vështira, por edhe ditë të bukura. Si bashkudhëtar të një historie për të cilën ai pati fatin që të japë kontribut dhe të lërë emrin në një sërë veprash madhore jo vetëm në infrastrukturë, por edhe si ish-ministër i Brendshëm në goditjen e grupeve të krimit të organizuar më të rrezikshme në Ballkan. I dha zemër dhe rini PD-së, forcë dhe energji për t’a shtyrë atë drejt rezultateve më të mira.

Sot më shumë se gjithçka ka vlerë heshtja dhe lutja e secilit nga ne për Kolin. Është koha për të kujtuar një mik që ndahet nga ne papritur duke na lënë në befasi se nuk do e dëgjojmë më zërin e tij në Kuvendin e politikës, në debatet që e bëjnë më të shëndetshme demokracinë, por edhe në tryezat e kafenesë së mëngjesit apo në takimet spontane në rrugët e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe të gjithë vendit.

E tillë është jeta. Koli e jetoi me vrull. Vrapoi, nuk eci. Dhe shpejtësia ndonjëherë është edhe kapriçoze. Të ndal në mënyrë tragjike, ashtu sikurse bëri mbrëmë me Kolin. Iku ashtu sikurse ishte mësuar të ecte, duke vrapuar, vetëm se kësaj radhe për të shkuar në një jetë tjetër, për të cilën i lutemi Zotit, që ta vendosë në anën e të mirëve.

I gjendemi pranë familjes së tij në këto momente të vështira dhe lusim Zotim t’i japë forcë që të kalojë këtë ditë të vështirë.

Kush ishte Sokol OLLDASHI

Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në një aksident të rëndë në aksin Tiranë-Elbasan, pasi automjeti me të cilin udhëtonte ka rënë në greminë.

Aksidenti rrugor ka ndodhur rreth orës 21:20 të mbrëmjes së djeshme.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në zonën e njohur si lapidari i Krrabës. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton mbi shkaqet e saj. Ndërkohë drejt vendit të ngjarjes janë nisur edhe dy ambulanca dhe një makinë zjarrëfikëse. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes u nisën ish-kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputeti demokrat Astrit Patozi, deputeti dmeokrat, Flamur Noka, Ministri i Brendshëm,  Saimir Tahiri, deputetë etj. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit për shkak të shiut të dendur. Policia sqaron se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin pasi rreshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasoje ka përfunduar në greminë.

Terreni ku është rrëzuar automjeti është tepër i vështirë.

Policia sqaron se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin pasi rreshtjet e dendura të shiut e ka në penguar të shohë dhe ka përfunduar në greminë. Në automjet dyshohet se mund të ketë edhe persona të tjerë.

Sokol Olldashi ishte një figurë e nderuar e Partisë Demokratike. Ai u përfshi me lëvizjen e dhjetorit në vitin ’90, ku që në atë kohë ai u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesis së PD-së që nga viti 2002.  Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit.

Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi ka mabjtur postin e Ministrit të Brendshëm, gjatë drejtimit të së cilës ai shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale duke i kthyer vendit dhe qytetarëve sigurinë publike. Ai ka mbajtur gjithashtu postin e Ministrit të  Punëve Publike dhe Transportit, duke punuar fortë me projektet e qeverisë për shndërrimin e infratsrukturës rrugore së Shqipërisë në në nbjë infrastrukturë me stanrade europiane. Sot arteriet kryesore rrugore të vendit mbajnë firmën  e Sokol Olldashit.

Sokoll Olldashi, lindi me 17.12. 1972 në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi gjimnazin në shkollën e mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” në Durrës, ai ndoqi studimet në Fakultetin e Tiranës, në Univeristetin e Tiranës dhe më pas në vitin 2004 ndoqi Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar).

Karrierën e tij profesionale, Olldashi e nisi si Kryeredaktor në televizionin ATN1, më pas ai punoi si zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën "Albania" si dhe si reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.

Të prehësh në paqe Kol!

Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Edi Paloka, Flamur Noka, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Aldo Bumçi, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Eduart Halimi, Fatos Beja, Keltis Kruja, Lajla Përnaska, Mesila Doda, Myqerem Tafaj, Rajmonda Bulku, Albana Vokshi, Gert Bogdani.

Reagimet e tjera politike

Gerti Bogdani

Nje lajm i tmerrshem dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e nates kur vjen, prishi qetesine e familjes, miqve, atyre qe e kane njohur apo jo!!! Nje humbje jashtezakonisht e rende per familjen, miqte, shoqerine dhe politiken shqiptare!!!

Lutjet e shkojne per shpirtin e tij qe te prehet ne paqe dhe per familjen qe Zoti t’i japi force ne momentin me te veshtire te jetes se tyre!!!

R.I.P. MIK!!!

Marko Bello

E pabesueshme!

Nderpritet tragjikisht jeta e deputetit Sokol Olldashi!

Ngushellime te sinqerta familjes dhe miqve!

Lutem qe shpirti i tij te prehet ne paqe!

Parid Cara

U prefsh ne paqe Sokol Olldashi.

Muajt e mi me Parlament me sherbyen te njoh nje njeri qe i jepte vlere opozites.

Ngushellime te sinqerta per familjen.

Do na mungosh ne seanca, nga neser.

Dashamir Shehi – Levizja Per Zhvillim Kombetar

Me hidhërim të thellë mësuam për shuarjen fizike të mikut dhe bashkëpunëtorit tonë z. Sokol Olldashi. Familjes, miqve, shokëve dhe dashamirësve u shprehim ngushëllimet tona te sinqerta për këtë humbje të ndjeshme. Zoti e prehtë në paqe!

Kastriot Islami

I dashur Koli

Sonte morem vesh nje lajm trondites,

Deri ne fund te pabesueshem, ishim prane deri ne oren 13 ne komisionin e ligjeve ne Kuvend;

Per nje ngjarje te rende per familjen e te afermit, miqte, koleget, te gjithe ne qe rrinim dhe takoheshim cdo dite…

Uroj te prehesh i qete. Zoti i dhente force bashkeshortes, femijeve, familjes, te afermeve.

Ali Ahmeti, telegram ngushëllimi familjes Olldashi 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur ngushëllime në adresë të familjes Olldashi, lidhur me vdekjen tragjike të birit të tyre dhe deputetit Sokol Olldashi në aksidentin që ndodhi mbrëmë në aksin rrugor Tiranë- Elbasan.

“Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të BDI dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejmë me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, theksohet në telegramin e kryetarit të BDI-së.

POSTIMI I FUNDIT I OLLDASHIT NE FACEBOOK

15 Nëntor 2013.

Ceshtja e armeve kimike, perfundimisht u zgjidh. Ose, me sakte akoma, u fitua! U fitua nga ata mijera djem dhe vajza qe i dolen per zot problemit dhe qe meritojne mirenjohjen dhe falenderimin tone me te madh njerezor. Sot shoqeria shqiptare eshte me e mire dhe, kjo, ne saje te brezit te gjimnazisteve dhe studenteve qe treguan se jane po aq te pjekur sa c’ishte brezi yne 23 vjet me pare. Une ndihem mire qe isha nder te paret politikane qe iu bashkova protestes se tyre, si qytetar. Miqesisht do t’i ftoja ta kultivonin edhe me kete kulture proteste qe krijuan ne keto dy jave sepse eshte nje garanci e forte per mbarevajtjen e puneve te ketij vendi.

CV/ KUSH ISHTE SOKOL OLLDASHI

Emri Mbiemri – Sokol Olldashi

Adresa – Njesia Bashkiake Nr2, Rruga “Dervish Hima”, Nr.12

Tiranë

Kombësia – Shqiptare

Ditëlindja – 17.12. 1972

Statusi civil – I martuar me dy fëmijë

Edukimi

2004 Kolegji i Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave

(Politikat e Sigurimit Kombëtar)

Tetor 1991 – Qershor 1995 Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. (Diplomuar

jurist)

Shtator 1987 – Qershor 1991 Shkolla e Mesme e Përgjithshme, “Naim Frashëri”,

Durrës

Veprimtaria profesionale

Nëntor 1999 – Qershor 2001 Kryeredaktor në televizionin ATN1

Tetor 1995 – Nëntor 1999 Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”

Tetor 1994 – Janar 1996 Reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)

Veprimtaria politike

Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990

Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së

Maj 2002 – Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD)

Maj 2005 – Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës

Anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002

Qershor 2001 – Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore)

2005 – 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës

2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier

2013 e në vazhdim Deputet i Qarkut Fier

2005 – 2007 Ministër i Brendshëm

2007 – në vazhdim Ministër i Punëve Publike dhe Transportit

Gjuhët e huaja – Anglisht, Italisht

INTERVISTA/ Nga Roland Qafoku "50 PYETJE PER SOKOL OLLDASHIN"

Një intervistë e jetës e botuar më datën 12 dhjetor 2009 në gazetën Tirana Observer

Çfarë mendimi ka për veten? A i ka bërë ndonjëherë vërejtje Berishës? A i gjen gabime në punën e saj Jozefina Topallit? Si ka punuar deri tani Bamir Topi? Me kë do radhitej në Luftën e Dytë Botërore, me partizanët apo me ballistët? Kush i vuri gurë nën rrota për të mos u bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës? A do ti vihet emri Ibrahim Rrugova rrugës Durrës-Prishtinë?A e qorton Ylli Pangon për skandalin seksual?Kur ka puthur dhe kur ka dashuruar për herë të parë?Cilët janë punët e mira që Edi Rama ka bërë si kryetar Bashkie. Këto dhe të tjera, Ministri i transporteve Sokol Olldashi në “morsetën” e 50 pyetjeve nga “Tirana Observer”.Edhe intervistën Sokol Olldashi e jep rrugëve. Si ministër Transporti, këmbët nuk i zënë në një vend. Sot në Çorrush, dje në Fier, pardje në tunelin e Kalimashit e mbipardje diku tjetër. Është momenti më i papërshtatshëm për t’i “vjedhur” një intervistë për së mbari. Por e gjejmë çelësin duke vënë në punë një mjet komunikimi. Biseda herë ndërpritet e herë bëhet interesante, por si andej telefonit dhe si këtej, Sokol Olldashi ka një përgjigje: Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Po si do t’i fitojë? Ish-kolegu ynë i njeh mirë teknikat e komunikimit dhe rendit dhjetëra punë, që, sipas tij janë avantazhe të forcës që ai militon. Kur vjen puna tek kundërshtarët, targeti i tij vazhdon të jetë Edi Rama. Si atëherë kur u vu përballë tij për të fituar postin e kryetarit të bashkisë, por që e humbi atë garë. E humbi, po si e humbi? Sokol Olldashi shfrytëzon një pyetje për të dhënë një përgjigje të madhe: Më vunë gurë nën rrota, prandaj humba përballë Edi Ramës. Një deklaratë shumë e fortë dhe kupton shumë nëse i kthehesh kohës pas. E cilëson PD-në shumë agresive, si atëherë kur ishte në opozitë. Nuk bën ndonjë dallim shumë të artë sot mes PS-së së Nanos dhe PS-së së Edi Ramës, veçse përsëri këtë të dytin e ka qejf ta sulmojë. Vërejtje Sali Berishës? Thotë se nuk ka vënë re ndonjë gabim që t’i bëjë vërejtje. Pastaj, po të kishte, nuk do ta bënte publik më parë në këtë intervistë. Sidoqoftë Sokol Olldashi rrëfen edhe gjëra që ne nuk dinim më parë. Fëmijëria, profesioni dhe pasionet e tij. Pasione që tashmë janë të konverguara në politikë. Në një profesion të ri për të, që ka arritur edhe fitore të mëdha, por edhe humbje të mëdha. E rëndësishme është të ngrihesh nga hiri si shefi i tij në politikë, Sali Berisha, për të cilin ai shpreh mirënjohje. Lexoni Sokol Olldashin në rubrikën e së shtunës “50 pyetje nga “Tirana Observer”.

1. Cili është momenti më i hershëm në jetën tuaj që nuk ju shqitet nga mendja? Nuk kam një moment të veçantë. Ka shumë momente të jetës sime që më kujtohen, po nëse do, më duhet të të zgjidhja: një është dita kur kam mbushur 5 vjeç. Më kujtohet festa, ka qenë ditëlindja e parë që e kam festuar dhe që e mbaj mend.

2. Cila është ajo gjë në qenien tuaj për të cilën ndiheni krenar? Mirënjohja që kam ndaj të gjithë njerëzve që më kanë ndihmuar në rrethana të ndryshme të jetës sime.

3. Çfarë mendimi ke për veten? Pozitiv. Nuk besoj të ketë njeri që ka mendim negativ për veten.

4. Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë? Atëherë, për herë të parë kam punuar kur ka qenë sektori i hidro-meteorologjisë, që merrej me matjen e thellësive detare. Kam punuar sezonal, tre muaj në pushimet e verës, pas përfundimit të vitit të tretë gjimnaz. Praktikisht puna reale që kam bërë është ajo e gazetarit. Kam filluar më 1 tetor 1994 në ATSH, kam vazhduar me të njëjtën punë deri në vitin 2001, kur jam zgjedhur deputet dhe më pas kam vazhduar angazhimin tim politik, nga viti 2001.

5. Çfarë të bën për të qarë? Çfarë të zemëron? Çfarë të bën për të qeshur? Dhimbja, jo fizike. Më zemëron budallallëku dhe poshtërsia, si fenomen. Nuk di të numëroj se çfarë, janë shumë gjëra që të bëjnë për të qeshur, varet nga situata.

6. Si një ish-gazetar, a ka dyzim në qenien tënde tani që i jeni futur politikës? Nuk ka asnjë dyzim midis asaj që kam bërë dhe asaj që bëj. Nëse ka ndonjë dyzim, nuk ka të bëjë me pasionet e mia, që janë muzika dhe letërsia, por midis këtyre nuk ka.

7. A mendoni se ju duhet t’i jeni dikujt mirënjohës për këtë që keni arritur në politikë? Unë i jam shumë njerëzve mirënjohës. I jam mirënjohës njerëzve të PD-së, kur them që nga anëtari më i thjeshtë e deri te kryetari i partisë. I jam mirënjohës njerëzve të tjerë që më kanë mbështetur. Gama e njerëzve që u jam mirënjohës për çfarë kam arritur, qoftë në politikë, qoftë edhe jashtë saj, është shumë e madhe. Po jam shumë i kujdesshëm të mos harroj asnjë.

8. Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë? Realisht nuk e mbaj mend.

9. A e ke ndierë ndonjëherë se ta kanë hedhur? Kush ishte ky tipi që ia hodhi ministrit të Transporteve? Ndodh gjithmonë të ta hedhin, e rëndësishme është që të zësh mend. Nuk ka rëndësi.

10. Kosovarët duhet të bëjnë çmos të familjarizohen me shqipen tonë standarde apo duhet të standardizojnë dialektin e tyre të veçantë? Besoj se për vitet e mungesës së plotë të lirisë, shqiptarët e Kosovës kanë arritur në mënyrën më të lavdërueshme të ruajnë dhe të kultivojnë shqipen letrare. Debati i mëtejshëm i përket gjuhëtarëve dhe jo mua. Por njohuritë e mia gjuhësore më mjaftojnë për të korrigjuar pyetjen tuaj, termi kosovar është i gabuar, termi i drejtë është shqiptarët e Kosovës.

11. Diferenca në të gjitha planet midis Tiranës dhe qyteteve të tjera do të vijë duke u thelluar apo duke u ngushtuar? Unë mendoj që zhvendosja e popullsisë nga zonat rurale drejt qytetit do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Kjo do të thotë që qytetet tona kryesore dhe në radhë të parë Tirana do të rritet me një ritëm të shpejtë. Nëse konstatimi im është i saktë, do të ketë ritme të përafërta zhvillimi të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të mëdha, sikurse do të ketë zbehje të disa qendrave të tjera të vogla.

12. Cili është momenti më i vështirë dhe më i lumtur në jetën tuaj dhe përse? Momentin më të vështirë nuk do kisha dëshirë ta përshkruaja, momentet më të lumtura kanë qenë ato të lindjes së dy djemve të mi.

13. Si e vlerësoni PS-në e Fatos Nanon dhe PS-në e Edi Ramës? Kam pasur një besim shumë kritik ndaj Partisë Socialiste të Fatos Nanos, për atë që përfaqësonte dhe për mënyrën se si e përfaqësonte. E kam shumë të vështirë të them një opinion për Partinë Socialiste të Edi Ramës, sepse nuk ka ende një të tillë. Është një ngjizje e denatyruar e çnatyruar, produkt i së cilës nuk mund të jetë vetëm i përçudnuar.

14. Si e vlerësoni PD-në e Berishës në opozitë dhe PD-në e Berishës në pushtet? Është e njëjta PD, shumë agresive në opozitë, shumë agresive në përmbushjeve e angazhimeve të saj në qeveri.

15. E gjykoni në ekstrem Ylli Pangon për atë që i ndodhi apo e justifikoni me idenë se ndaj tij pati edhe manipulim? Nuk e gjykoj në ekstrem, edhe për shkak të rrethanave, ka të bëjë me stisjen e një situate, por edhe për faktin se unë mirëkuptoj çdo debulesë njerëzore. Pango dhe cilido tjetër duhen gjykuar për punën e tyre dhe jo për dobësitë e tij. Për më tepër, në qoftë se për analogji i shkojmë publikimit të fotove nudo të kryetarit të PS-së dhe pretendimi i tij se ajo ishte një çështje private, çdokush ka të drejtë të bëjë pyetjen: Mirë Pango, po ky zotëria për veri e ajrosje kishte dalë?

16. Cili është kontributi më i madh që ju personalisht keni dhënë që nga koha e futjes në politikë e deri më sot? Nuk besoj se ka ndonjë kontribut të pazëvendësueshëm, thjesht jam përpjekur me të gjitha mundësitë e mia të realizoj detyrimet e duhura në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

17. Si e vlerësoni faktin që princi Leka Zogu mori pjesë të martën në përkujtimin e rezistencës anti-italiane, kur më 7 prill të vitit 1939 gjyshi i tij, në atë kohë mbret, e braktisi Shqipërinë? Nuk ka asnjë gjë të keqe me pjesëmarrjen e tij. Është e provuar historikisht që rezistenca e Mujo Ulqinakut ka qenë e organizuar nga Ahmet Zogu.

18. Punët në PD do të ecnin më mirë apo më keq, nëse ju nuk do ishit angazhuar në politikë? Do t’i kthehesha pyetjes së mëparshme, unë jam përpjekur të bëj pjesën time.

19. Vendosni një notë nga 1 deri në 10 për këta politikanë: Sali Berisha, Fatos Nano, Eduart Selami, Edi Rama, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Jozefina Topalli, Ilir Meta. Kam opinionin tim për gjithsecilin prej tyre dhe nuk vendos nota. Notat për secilin politikan dhe për kontributin që ata japin për vendin i vendos historia.

20. Vendosni nga 1 deri në 10 për këta kryeministra në historinë e Shqipërisë: Ismail Qemali, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ylli Bufi, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, Sali Berisha. Besoj që qeveria që ka bërë më shumë brenda një mandati është qeveria që unë bëj pjesë, është qeveria e Berishës. Ismail Qemali ka meritën e padiskutueshme të themelimit të shtetit shqiptar dhe të formësimit të ideimit të institucioneve të para. Qeveritë e periudhës së komunizmit nuk do të kishte vlerësim negativ që t’i përmbante.

21. Si do t’i përgjigjeshit disave që thonë se Sokol Olldashi bëri gabim që la mandatin e deputetit për të garuar për kreun e Bashkisë së Tiranës? Nuk e konsideroj gabim aspak, ka qenë një zgjedhje e bërë me vetëdije të plotë. Një zgjedhje që po të duhej, do ta përsërisja edhe sot.

22. Tani që ka kaluar kaq kohë nga ato zgjedhje, kush ishte pika juaj më e dobët dhe a vutë re që ju vunë gurë nën rrota që ju të mos zgjidheshit kryetar i Bashkisë së Tiranës? Atëherë, pjesa e dytë e pyetjes suaj, i përgjigjet pjesës së parë.

23. Keni qenë dhe jeni një nga kritikuesit më të mëdhenj ndaj Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas jush, a ka ndonjë punë të mirë që ka bërë Edi Rama? Edi Rama ka pasur disa aspekte pozitive në mandatin e parë. Ka pasur dhe një meritë për shndërrimin e Bashkisë së Tiranë me një nyje politike, por profili i tij si kryetar bashkie ka ardhur duke degraduar aq sa mund të thuhet që tashmë Edi Rama është Edi Shalsi.

24. Cila është masa më e rëndë administrative ndaj një vartësi tuaj që ju keni marrë, që nga koha që keni marrë detyrën e ministrit të Transporteve. Largime nga puna. Për rezultate të dobëta. Shumë pak.

25. A po merret me seriozitet propozimi që rruga Durrës-Prishtinë të marrë emrin e Ibrahim Rugovës? Detyra ime është të mbikëqyrë cilësinë dhe afatin e punimeve.

26. A ka një projekt nga ministria juaj për ndërtimin e një subëay qoftë brenda Tiranës, por edhe në distancën Tiranë-Durrës? Jo, popullsia dhe shtrirja e Tiranës ende nuk e justifikon ndërtimin e një sabëay.

27. A ka ndonjë projekt surprizë për ndonjë vepër tjetër madhore si ajo Durrës-Kukës, nëse PD fiton sërish zgjedhjet? (Fjala vjen nëse ka ndonjë ide për ndërtimin e një tuneli në Otranto). Tuneli në Otranto është surprizë e Pandeli Majkos. Plani madhor që kemi ne është boshti i Jugut.

28. Na e tregoni pak ju lutem në detaje këtë lëvizjen e fundit në PD, Gerti Bogdani jep dorëheqjen, zëdhënësja juaj vendoset në vend të tij dhe ju keni marrë një zëdhënës tjetër! Lëvizje shumë të mira, duken sikur Ministra e Transporteve ka ekskluzivitetin e zëdhënësve të Partisë Demokratike.

29. A do të pranonit nëse ju ofrojnë detyrën e kryetarit të PD-së, pas një dorëheqje të mundshme të Berishës në rast se humbet zgjedhjet? Do t’i fitojmë zgjedhjet.

30. Si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, na tregoni ju lutem një vërejtje që ju personalisht i keni bërë kryeministrit Sali Berisha! Po të kisha për t’i bërë vërejtje publike Sali Berishës, do t’i kisha bërë, nuk do prisja këtë intervistë.

31. A gjeni gabime në punën e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli? Jam shumë i zënë me punët e mia për të gjetur gabimet te punët e të tjerëve.

32. Si e vlerësoni punën e Presidentit Topi deri më sot: ka qenë i paanshëm, ka qenë i dyzuar, puna e tij ka qenë me preferenca apo ka zbatuar gjithnjë Kushtetutën? Do të parapëlqeja mos flisja për këtë.

33. Nëse do ta kishit ju në dorë, cilin personazh të PS-së do të doje ta kishe në qeverinë e PD-së? Asnjë prej tyre.

34. Nëse do disponoje kodin e bombës bërthamore, me kë njeri do të doje ta ndaje këtë sekret? Nuk do doja ta disponoja. Ose do ta fshija.

35. Mendoni se të ardhurit kanë transformuar Tiranën apo se Tirana ka transformuar të ardhurit? Është fenomen i dyanshëm, Tirana është kryeqytet që në fillesat e tij ka pritur flukse të ardhurish, që nga fillimi i shek. të kaluar. Edhe i ka dhënë atyre, edhe ka marrë prej tyre.

36. Cili është në botë personazhi historik që do të donit t’i ngjanit dhe përse? Nuk kam ndonjë ngasje për t’i ngjarë kujt, por ka shumë personazhe historikë që kam vlerësim pozitiv të mundshëm.

37. Nëse do jetonit gjatë Luftës së Dytë Botërore, me cilët do radhiteshit, me partizanët apo me Ballin dhe përse? Nuk do të radhitesha me partizanët, por nuk mund të them me siguri që do të radhitesha me Ballin. Sepse lëvizja e parë ka qenë e papjekur, e drejtuar keq dhe e manipuluar, ndërkohë e dyta ka qenë e paorganizuar dhe e pafuqishme.

38. Cili është personaliteti i huaj më i rëndësishëm me të cilin ju keni bërë një fotografi? Gilman, këngëtari i Deep Purple.

39. Kush janë ata që realisht kanë meritë për futjen e Shqipërisë në NATO? Meritën e parë sigurisht që e ka Berisha, ka qenë i pari politikan, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë bllokun e ish-vendeve komuniste, i cili ka kërkuar anëtarësimin e vendit në NATO. Dhe më pas e ka ndjekur këtë objektiv për gjatë 18 viteve deri në realizim. Kontribut kanë gjithë stafet drejtuese të ushtrisë, kontribut kanë gjithë shqiptarët që kanë mbështetur mbi 95 për qind anëtarësimin në NATO, kanë edhe aleatët tanë strategjikë që na kanë ndihmuar për të ecur me ritmin e duhur.

40. Nga se i dallon ish-kolegët e tu Mustafa Nano, Blendi Fevziu, Andi Bushati, Mero Baze? I dalloj nga mënyra e të shkruarit. Secili ka specifikën e tij dhe stilin e tij të të shkruarit.

41. Sipas jush, më mirë është një jetë e harxhuar si Ëinston Churchil apo një jetë e harxhuar si Nënë Tereza? Nuk do të bëj vlerësim, nëse do të duhet të zgjidhja, do të zgjidhja Churchille.

42. Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi? Janë çështje thellësisht private.

43. Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri? Edhe kjo histori, krejt private.

44. Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje? Nga shqiptarët do të ftoja shumë, janë qindra emra që do të ftoja në fushën e gazetarisë, në ambientin e artit në përgjithësi, kam shumë miq nga radhët e biznesit të vjetër të mi që nuk lidhen me profesionin e shkollës. Më mjaftojnë shqiptarët.

45. Të pëlqejnë Krishtlindjet? Më pëlqejnë të gjitha festat. I festoj të gjitha festat fetare, të të gjitha besimeve.

46. Cila është shprehja steriotipe që të pëlqen më shumë? Mirë shumë.

47. Cila është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar? Jam shumë i lidhur me muzikën e nuk mund të veçoj vetëm një këngë. Më pëlqen muzika barok, rok, bluz, muzika italiane dhe pjesë të veçanta të folkut shqiptar. Edhe libra janë shumë, por pjesa e letërsisë që më tërheq është poezia. Çelentano dhe Led Zepelin. Si aktor më pëlqen Robert de Niro.

48. Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë? Të hidhesha me parashutë.

49. Ku do të jetoje po të ishe plotësisht i lirë për të zgjedhur? Nuk do jetoja në një vend, po gjithë kohës në lëvizje.

50. Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë? Nuk kam.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit