Transmetuar më 30-11-2013, 13:05

Tiranë, 30 nëntor 2013, NOA.al- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, në një dalje për media tha se Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë para gjithë kombit, për ringjalljen e simbolit të urisë, të dhunimit të drejtave të njeriut, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të ndalimit të fesë, të shkatërrimit të ndërgjegjes dhe lirisë për 50 vite.

Sipas Vorpsit, 23 vjet pas rrëzimit të diktatorit më të egër të Europës, Edi Rama e rilindi dje Enver Hoxhën, duke bërë homazhe për të dhe nën shoqërinë e tij.

“Prania e fotos së Enverit në ceremoninë e kryeministrit, është rënia e të gjithë skrupujve dhe shfaqja e fytyrës së vërtetë politike të kryeministrit të sotëm. Sot kryeministri ka ikonë të tijën Enver Hoxhën, diktatorin me duart më të përgjakura në gjithë botën, për frymë popullsie”, u shpreh Vorpsi.

Për zëdhënësen e PD, regjimi i Hoxhës është përgjegjës për mijëra të pushkatuar pa gjyq, për mijëra të vrarë nga urdhri i tij, për qindra e mijëra të dënuar e të internuar.

“Partia Demokratike i kërkon kryeministrit Edi Rama të distancohet urgjentisht nga akti i poshtërimit të shqiptarëve si dhe të kërkojë falje pa kaluar as edhe një orë më shumë, të gjitha familjeve shqiptare e të gjithë shqiptarëve që kanë vuajtur drejtpërdrejt regjimin gjakatar të Enver Hoxhës. Askush nuk guxon të luajë me dhimbjen e vuajtjet më të mëdha të këtij kombi”, ka përfunduar Laura Vorpsi./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit