Transmetuar më 29-11-2013, 11:29

Tiranë, 29 nëntor 2013, NOA.al- Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në një aktivitet të organizuar për ditën e Çlirimit, e vlerësuan ditën e sotme si ditë nderimi për të rënët dhe ditë të shënuar për historinë e vendit.

Sipas kreut të qeverisë dita e sotme është një ditë reflektimi, dhe nderimi për ata që shkruan faqen e historisë.

“Shqipëria është në rrugëtim të pandalshëm drejt pragut të Bashkimit Europian. Vetë procesi i pandalshëm i integrimit është një arritje e lidhur pazgjidhshmërisht me jetët e atyre që ranë në luftë.  Nëse qoftë për një moment pesha duket më e rëndë se sa mbajnë shpatullat tona, thirrja që vjen nga 29 Nëntori mjafton për të shumëfishuar besimin dhe për të kthjelluar shikimin përballë sakrificës së dëshmorëve të kombit. Kurse detyra jonë është shumë më e thjeshtë në raport me sakrificën e tyre, më shumë se sa të jashtëzakonshme. Ata treguan modestish por edhe idealisht se si mund të përballohet vështirësia më e madhe dhe se si një popull mund të jetë i përulur por edhe i fortë”, u shpreh Rama, duke thënë se Shqipëria është krenare për të rënët në luftë.

Në vijim në aktivitetin ku ishin të pranishëm edhe aleatët e majtë, Kryeministri uroi gjithë shqiptarët gëzuar festën e 29 Nëntorit, duke i siguruar gjithë qytetarët se Aleanca për Shqipërinë Europiane i ka të gjitha mundësitë për të shkruar një faqe të historisë së këtij vendi.

Nga ana e tij Meta deklaroi se sot respektohen të rënët, ndërsa shtoi se vendi është në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që bashkojnë të gjithë shqiptarët në rrugën e Shqipërisë europiane ku të gjithë ndihen të përfshirë.

Kryeparlametari shprehu një falënderim të veçantë për Policinë e Shtetit, duke theksuar se kaluan një provë të shkëlqyer dhe i dhanë një goditje efikase krimit./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit