

Shkup, 28 nëntor 2013, NOA.al- Në Zajaz të Kërçovës u shënua ceremonia e inaugurimit të Qendrës Përkujtimore “Nëna Shqiptare” që ngrihet në nderim të viktimave shqiptare nga Luftërat Ballkanike dhe me rastin e 101 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, dita e Flamurit.
Ky aktivitet u realizua nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në fjalimin e tij dha mesazhe me rastin e këtij përvjetori dhe për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni.“Këto vepra nuk janë bërë për të nxitur hakmarrje dhe të ushqejmë urrejtjen ndaj popujve, sepse popujt nuk janë fajtor për gjenocidet që janë ushtruar ndaj shqiptarët, por janë krerët shovinistë dhe sot është 100 vjetori i masakrave më të mëdha. Sot është një ditë ku shqiptarët e këtyre viseve të gjithë kanë përfunduar në gropa dhe varre masive, që ne pas 100 vitesh po i zbulojmë dhe po i vendosim aty ku e kanë vendin. Kjo nuk është që ne të kthehemi pas të shkuarën. Kjo që bëjmë sot është një apel që të gjithë ata popuj , të gjithë ato shtete që kanë ushtru gjenocid dhe kanë shfaros fshatra të tëra shqiptare, të reflektojnë, të kërkojnë falje, sepse ne jemi ata që duam të ndërtojmë të ardhme të sigurt për gjeneratat që vijnë pas nesh”, theksoi Ahmeti.
Ai nënvizoi se e ardhmja e popullit tonë është te kontributi për paqen, për faljen, stabilitetin, jo për ngritjen e aleancave për shpërbërjen e zhdukjen e kombeve, të aleancave ogurzeza të coptimit dhe dëbimit dhe ushtrimit të dhunës mbi popujt më të vegjël.
“Le të jetë një moment që të gjithë bashkë të shohim të ardhmen që siguron mirëqenie dhe dinjitet kombëtar për shqiptarët dhe nga ana tjetër për maqedonasit. Ngritja e këtyre përmendoreve, valëvitja e flamujve kombëtar dhe përmendoreve përkujtimore nuk duhet ti pengojë qytetarëve maqedonas”, theksoi kryetari i BDI-së.
Ai tha se flamuri Kuq e Zi nuk është as i Shqipërisë, as i Kosovës, as i shqiptarëve të Maqedonisë e më tej , por ky është flamuri kombëtar i gjithë shqiptarëve , që është larë me gjak dhe sakrificën e bijëve dhe bijave tona. Në këtë përvjetor folën edhe personalitete tjera politike dhe veprimtarë të çështjes shqiptare nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera. Ahmeti theksoi se kjo ditë e 101 vjetorit dhe aktiviteti i organizuar bëhet edhe në shenjë përkujtimi dhe nderimi për të gjithë dëshmorët e luftërave shqiptare çlirimtare dhe familjeve të tyre.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi ka uruar me një telegram të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit.
Në urimin e tij, Menduh Thaçi thotë se 28 Nëntori ka qenë dhe do të mbetet simbol i krenarisë, i qëndresës dhe i vendosmërisë së popullit shqiptar.
“Duke shënuar këtë ditë asnjëherë nuk do të harrojmë gjurmët e së kaluarës sonë. Kjo ditë edhe një herë na mëson se si duhet sakrifikuar dhe luftuar për të drejtat tona. Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të lejojnë që vlerat e brezave të kaluar të zbehen e aq më tepër të nëpërkëmben. Ne si shqiptarë kemi fituar shumë beteja, andaj edhe këtë betejë do ta fitojmë. Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare Ju uroj juve dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Flamurit. Urime, shëndet dhe suksese”, thuhet në urimin e kreut të PDSH-së./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





