Transmetuar më 28-11-2013, 12:06

Shkup, 28 nëntor 2013, NOA.al – Shqiptarët në Maqedoni përmes manifestimeve të ndryshme po festojnë sot 101 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditën e Flamurit.

Janë organizuar aktivitete të ndryshme në komunat e banuara me shumicë shqiptare, ndërsa 28 Nëntori nuk është shpallur ditë pushimi për shqiptarët, edhe pse një kërkesë e tillë vite me radhë është bërë nga partitë dhe shoqatat shqiptare.

Megjithatë në komunat me shumicë shqiptare kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme festive dhe gati është ditë festive dhe pushimi.

Siç raporton gazetari i noa.al në Maqedoni Naser Pajaziti, në Shkup, Tetovë, Strugë, Gostivar, Kërçovë, Kumanovë, Dibër dhe komunat e tjera janë organizuar aktivitete festive me programe kulturore- artistike dhe marshe me flamuj kombëtar. Në Shkup nxënës të shkollave të mesme shqiptare organizuan një ceremoni festive të ashtuquajtur “Marshi për flamurin”. Ndërkohë janë parashikuar edhe aktivitete letrare dhe kulturore pranë sheshit “Skënderbeu” në Shkup. Manifestimet kanë nisur disa ditë më parë me disa aktivitete festive.

Me rastin e përvjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe të shpalljes së pavarësisë sot në fshatin Zajaz të Kërçovës do të mbahet manifestimi qendror për të përkujtuar këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare.

Në kuadër të manifestimit do të inaugurohet Qendra Përkujtimore "Nëna Shqiptare" që ngrihet në nderim të viktimave shqiptare nga Luftërat Ballkanike.

Ky aktivitet realizohet nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit. Ndërkohë edhe në komunat e tjera janë parashikuar aktivitete të ndryshme festive./n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit