Transmetuar më 28-11-2013, 01:22

Presidenti Amerikan Barack Obama i ka drejtuar një mesazh urimi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë. Mesazhi, përmend mirënjohjen amerikane për përkushtimin e vendit tonë në Afganistan.

Në lidhje me këtë fakt, z.Obama shprehet: “Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan”, kurse menjëherë më pas vlerëson edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.

Z.Obama thotë se SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.

Kurse shton: “Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”.

Mesazhi i plotë:

“ I dashur zoti President,

Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta. Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan. Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike.

Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”, – mbyllet mesazhi i Presidentit Barack Obama.

Darkë me rastin e Ditës së Falenderimeve

Sakaq më herët mbrëmjen e së mërkurës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani organizoi në Pallatin e Brigadave, darkën me rastin e Ditës së Falenderimeve. Në këtë aktivitet ishin të ftuar stafi i Ambasadës Amerikane, fëmijë të Shtëpisë së Fëmijës ‘Zyber Hallulli’ dhe miq të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani u shpreh se Dita e Falenderimeve është traditë amerikane, por nuk është festë vetëm e Amerikës dhe amerikanëve.

“Le të kujtojmë bashkarisht në këtë festë të paqes njerëzore, veç tjerash, kryesoren, atë prej së cilës rrjedh gjithçka dhe duhet ta kemi gjithmonë parasysh; Lidhjen e thellë dhe marrëdhënien e gjithanshme të gjithçkaje me Krijuesin, Zotin”, – tha z.Nishani në fjalimin e rastit.

Këtë darkë e përshëndeti dhe Ambasadori Amerikan Arvizu, i cili vuri theksin në bashkëpunimin midis dy vendeve dhe rëndësinë e veçantë të kësaj dite. Gjithashtu ai lexoi dhe letrën e ardhur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama me rastin 101-vjetorit të Pavarësisë drejtuar Presidentit Nishani. /a.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit