

Shkup, 27 nëntor 2013, NOA.al – Bashkëpunimi në pjesën e energjetikës dhe minierës, veçanërisht realizimi i projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe lidhja Elbasan-Manastir, kanë qenë temat e takimit të sotëm në Shkup, mes ministrit të Ekonomisë Valon Saraçini dhe ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damjan Gjiknuri.
“Ndërtimi i lidhjes Manastir-Elbasan do të thotë shumë për energjetikën, por edhe për gjendjen ekonomike në Maqedoni. Presim në periudhën e ardhshme të shqyrtohet dokumentacioni teknik. Ndërkohë është është siguruar granti prej një milion euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me BERZH-in jemi në negociatat përfundimtare edhe për sigurimin e kredisë në vlerë prej 45 milion euro”, deklaroi ministri Valon Saraçini.
Ai nënvizoi se deri në vitin 2015 duhet të përfundojnë të gjitha procedurat administrative, ndërsa deri në vitin 2017 largpërçuesi duhet të ndërtohet.
Ministri Saraçini i ka prezantuar edhe 80 lokacionet e reja për ndërtimin e hidroelektraneve të reja në Maqedoni, për të cilat ka kompani shqiptare të interesuara për investime, ndërsa është biseduar edhe për bashkëpunim në pjesën e minierës dhe për zbatim të përvojave nga Ligji Maqedon për lëndë të para minerale në Shqipëri.
Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë theksoi se është formuar një grup punues nga të dy ministritë, që duhet të shqyrtojnë bashkëpunimin dhe progresin në fushën e energjetikës dhe ekonomisë. Ky grup do të vlerësojë të arriturat e përbashkëta në takimin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në shkurt në Shqipëri, raporton nga Shkupi, korrespodenti, Naser Pajaziti.
“Diskutuam për projektin Fusha e Llukovës, që parashikon krijimin e një ujëmbledhësi në territorin e Maqedonisë. Duke mos dëshiruar të lëmë hapësirë për spekulime vendosëm të kemi persona teknikë nga të dyja palët, të cilët do të punojnë në projektin dhe do të bien dakord midis tyre që të mos ketë paqartësi rreth derdhjes së ujërave. Ato duhet saktë të shohin se çfarë do të jetë ndikimi i projekteve për të dy vendet. Ndaj bazës së të drejtës ndërkombëtare duhet të bëhet një projekt i qëndrueshëm, i cili do të mund të funksionojë më pas”, tha ministri shqiptar Gjiknuri. Ai shtoi se në takimkanë rënë dakord të nënshkruhet një memorandum për bashkëpunim në energjetikë në takimin e ardhshëm në Tiranë. /n.p/a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





