




Tiranë, 27 nëntor 2013, NOA.al- Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend ndërkohë që diskututohet mocioni për integrimin, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u ndal në sistemin gjyqësor, si kusht që duhet përmbushur për integrimin, duke e cilësuar si të korruptuar.
Në këtë drejtim ai tha se Presidenti është një lojtar partiak që po bën veç një detyrë, duke promovuar celula që kontrollojnë vetë sistemin gjyqësor që janë duke u marrë frymën gjyqtarëve dhe prokurorëve të shëndetshëm dhe të pakorruptuar.
Gjithashtu ai theksoi se Presidenti po përpiqet të provokojë mazhorancën kur ndryshoi kriteret e procesit përzgjedhës për Gjykatën e Lartë.
Në replikë me të deputetja demokrate Jozefina Topalli deklaroi se nuk mund të fyhet Presidenti, dhe duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta tha se në bazë të rregullores duhet ti kishte ndërprerë fjalën.
“Mund të mos biem dakord me njeri tjetrin, por nuk mund të sulmohet Presidenti”, tha Topalli në fjalën e saj.
Më herët kreu i grupit kuvendor demokrat Edi Paloka, deklaroi se opozita ka kërkuar këtë mocion për integrimin, duke theksuar angazhimin e Partisë Demokratike për të mbëshetur integrimin drejt Bashkimit Europian.
Ai shprehu bindjen e plotë se ekzistojnë të gjitha mundësit për marrjen e statusit këtë vit, veçse u ndal në plotësimin e kritereve, përfshi bashkëpunimin mazhorancë-opozitë.
Nga ana e tij Ministri i Integrimit Ditmir Bushati deklaroi se reformat janë të prekshme nga qytetarët, ndërsa shtoi se nuk ka kohë për të humbur.
Ai theksoi se sot më shumë se kurrë duhet treguar inteligjencë gjeopolitike, duke thënë se nuk duhen ngatërruar qëndrimet politike me procesin e integrimit, por se duhet punuar bashkërisht në këtë drejtim.
Ministri deklaroi se statusi kandidat është plotësisht i mundshëm, por kjo nuk është një çështje vetëm e mazhorancës, ndërsa shtoi se kjo çështje nuk është e mbyllur pasi nevojiten reforma kyçe.
Ndërkohë, po sot në Kuvend është paralajmëruar interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për reformën në Policinë e Shtetit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





