

Shkup, 27 nëntor 2013, NOA.al- Në Maqedoni prej mbrëmjes së djeshme reshjet intensive të dëborës kanë përfshirë gati tërë territorin e vendit.
Për shkak të reshjeve intensive është vendosur ndalesa për mjetet e rënda transportuese në aksin rrugor Hanet e Mavrovës- Dibër, ndërsa sot në mëngjes ajo është hequr, njoftuan nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”.
Ndalesa për mjetet e rënda transportuese është hequr edhe në kalimin malor Strazhë. Në aksin rrugor Tetovë- Kodra e Diellit është urdhëruar ndalesë për mjetet e rënda transportuese dhe autobusët, ndërsa për makinat dhe fugonët është i detyrueshëm sigurimi i pajisjeve dimërore.
Ky aks rrugor dje pasdite ishte i bllokuar për shkak të një aksidenti që ndodhi midis dy mjeteve të rënda transportuese. Siç raporton gazetari i Noa.al në Maqedoni Naser Pajaziti, nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” është bërë e ditur se janë në gjendje emergjente disa rrugë duke hedhur rërë dhe kripë për shkrirjen e borës, në zonat më të rrezikshme malore. Por masat emergjente po aplikohen edhe në rrugët magjistrale dhe autostradat e vendit.
“Ekipet tona janë në terren dhe në mënyrë të rregullt po mirëmbajnë të gjitha rrugët, duke i bërë të kalueshme”, theksuan nga kjo ndërmarrje. Auto- Moto Lidhja e Maqedonisë (AMLM) ka apeluar që drejtuesit e makinave dhe mjeteve të rënda transportuese të jenë të kujdesshëm dhe me shpejtësi të ulët për shkak të borës dhe rrugëve me lagështi. AMLM ka paralajmëruar se për shkak të temperaturave të ulëta që mund të jenë në orët e mëngjesit në disa zona do të pasojnë ngrica në rrugë. Nga dita e enjte paralajmërohet mot i qëndrueshëm dhe i thatë, me temperatura të ulëta të mëngjesit, të cilat do të mbërrijnë deri në 6 gradë Celsius./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





