Transmetuar më 26-11-2013, 23:56

Ish Kryeministri: Ja si Rama dhe Meta falimentuan kompaninë Belle Air

Tiranë, NOA.al – Ish Kryeministri Sali Berisha, publikoi sot se kompania Belle Air nuk ka ndërprerë përkohësisht fluturimet siç u tha me një njoftim për media para tre ditësh, por dje ka shpallur falimentin.

Berisha ka folur kështu për herë të parë në këto tetë vjet për kompaninë Belle Air pasi shpesh është akuzuar se toleron situatën monopol të Belle Air, duke akuzuar mazhorancën e re se ishte ajo që e falimentoi kompaninë më të madhe të fluturimeve ajrore në Shqipëri.

Belle Air kontrollonte të paktën 24 linja ndërkombëtare nga Tirana në qytete të ndryshme evropiane dhe përbënte rreth tre të pestat e totalit të fluturimeve ditore vitet e fundit në aeroportin e vetëm civil të Shqipërisë, TIA në Rinas.

Pikërisht nisur nga fakti se kjo kompani kishte marrë përsipër udhëtimet e shumë shqiptarëve, sot në Parlament, deputeti demokrat Berisha, tha se shteti i bllokoi kompanisë llogaritë bankare dhe dha detaje të tjera për publikun:

“Kompania e transportit ajror Belle Air, që mbulon mbi 60% të transportit ajror të vendit, shpalli falimentimin duke lënë në mëshirë të fatit dhjetëra mijë pasagjerë, studentë, emigrantë, vizitorë, turistë, etj. Që kishin prenotuar dhe paguar biletat e udhëtimit me këtë kompani. Për të arritur në këtë finale autoritetet i bllokuan para tre javësh llogaritë bankare dhe arritën në një marrëveshje që kompania do të paguante borxhet deri në fund të dhjetorit. Në përputhje me marrëveshjen, kompania pagoi dhe një këst të detyrimeve te saj. Por dje, papritur, mundet me interesin e të dy palëve, por në kurriz të dhjetëra mijë pasagjerëve, shpallet falimentimi i kompanisë dhe bllokohen llogaritë bankare të saj”, – deklaroi z.Berisha, duke pohuar kështu për herë të parë publikisht se Belle Air ka bërë faliment dhe kjo ishte edhe në interesin e saj dhe jo vetëm të shtetit.

“Burime brenda kupolës së lartë të miliarderëve të PS pohojnë se kjo që ndodhi dje ka si qëllim marrjen e plotë ose dominuese të kompanisë nga eksponentë kryesorë të PS. Ky është një akt i papërgjegjshëm dhe i dënueshëm, revansh i papërmbajtur për t’u pasuruar me çdo kusht. Kjo është kompania e parë e madhe që futën në kthetra Kleptokratët në pushtet. Së shpejti radhën e kanë të tjerat”, – është paralajmërimi që bën Berisha. /a.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit