

Tiranë, NOA.al – Një histori si nëpër filma: Ai, një burrë “zamani” me kombësi turke dhe me shtetësi holandeze, ajo një femër e fortë, ia do puna, police. Që të dy janë bashkuar dhe lidhja intime ka përfunduar në bashkëjetesë.
Por kohët e fundit punët mes tyre nuk kanë shkuar hiç mirë.
Madje ca më keq tani afër, aq sa turko-holandezi 52 vjeçar, Mujdat Oruç Sayan i është sulur bashkëjetueses së tij dhe ka dashur t’i marrë jetën.
E këtë, jo duke gjetur ndonjë mënyrë se si, por pa u lodhur fare, duke ia rrëmbyer të dashurës së tij, armën e detyrës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në orën 22.30, konfirmojnë për noa.al, burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
“Në mbrëmjen e datës 25.11.2013, rreth orës 22.30, 52 vjeçari Mujdat Oruç Sayan, i ka marrë me forcë pistoletën e punës dhe ka tentuar ta vrasë me armën e saj 45 vjeçaren Nerajda Njazi Laze’, – pohon policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4 Tiranë thanë se sot, është bërë arrestimi në flagrancë Mujdat Oruç Sayan, lindur në Kirklareli Turqi, me kombësi Turke dhe shtetësi Hollandeze.
I dënuar më parë në Holandë për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, Mujdat tani gjendet në burg dhe do të përballet me akuza më të rënda: vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Mujdat Oruç Sayan, prej kohësh në Shqipëri bashkëjeton me shtetasen Nerajda Laze, e cila, lindur në Vlorë e banuese me qera në Rrugën “Bardhyl” Tiranë, prej vitesh ishte e divorcuar. Por Nerajda, është dhe punonjëse policie e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.
Policia tha se për turko-holandezin, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes” e ngelur ne tentativë dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga neni 76, 22 dhe 278/2 të Kodit Penal. /a.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





