

Një djalë mirditor i cili prej kohësh është banues në kryeqytet, është identifikuar si autor i gjobëvënies ndaj një personi tjetër të cilin e kishte të afërm. Gjithçka e ka bërë për inate personale dhe i prerë një gjobë prej pesë mijë eurosh.
Ngjarja ka për protagonist, 22 vjeçarin Dorian Jaka, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë.
Strukturat për Krimet e Rënda në Policinë e Kryeqytetit, konfirmuan sonte për noa.al se bënë të mundur identifikimin e autorësisë së gjobëvënësit përmes mesazhit telefonik.
“Pas shtrirjes në kohë të informacionit të poseduar nga struktura e këtij seksioni, u arrit kapja në kohë e shtetasit Dorian Jaka në afërsi të Institutit Bujqësor Kamëz”, – i thanë agjencisë noa.al, burime zyrtare policore.
Sakaq dyshohet se Jaka ka kërcënuar me jetë shtetasin M.Lleshi përmes mesazheve telefonike dhe i ka vendosur këtij të fundit gjobë për dhënie pasurie në shumën prej 5 mijë euro.
“Pas hetimit dhe kryerjes së veprimeve hetimore, u konkludua se autori dhe i dëmtuari ishin lidhje farefisnore midis njëri-tjetrit, dhe se autori këtë vepër penale e ka konsumuar për inate dhe arsye personale”, – qartësoi policia.
Aktualisht materiali proçedurial i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Kanosjes, për dhënie pasurie. /a.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





