Transmetuar më 26-11-2013, 18:39

Koli, miku ynë, do t’i mungojë dhe të gjithë atyre që me 20 Nëntor duhet t’i kërkonin falje e ndjesë për pabesitë dhe shpirtvogëlsitë, të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë mbijetese dhe se në këtë botë.. shpesh të bukur e shpesh të ngatërruar shpirtrat lindin të shitur! Koli miku ynë do na mungojë shumë në këtë sallë, do na mungojë fjala brilante prej gazetari të sprovuar, politikani par excellence dhe guximtari si ai!

Nga Igli Cara

Deputet i PD

Sot unë kam vendosur që për herë të parë në jetën time parlamentare të shkel rregulloren e Kuvendit, ndjesë të gjithëve po jam i detyruar ta bëj. Sot, unë kam disa gjëra për të thënë, se rrethanat e sollën që jo vetëm në jetë ta kem mik Sokol Olldashin, por dhe ikja e hidhur e tij nga kjo botë të na lidhte, për fat të keq, përjetësisht.

Miqësitë ngjajnë ….. prandaj bëhen, thotë një fjalë e vjetër popullore …. E unë hyj tek miqtë jo të hershëm të Kolit, po fati, karakteri, besimi, mirënjohja, respekti i ndërsjelltë dhe ndofta të qenurit edhe çuna Durrësi, na kanë bërë të ishim bashkë në këto vite, në ditë të mira, në ditë të trazuara dhe Zoti e solli dhe në ditën më të keqe të jetës së Kolit. Këto ditë për shkak të telefonatave e sms-ve, por dhe të rrethanave në të cilat u ndodha, kuptova që ne (politika) dhe media me të gjitha versionet e saj, përfshi dhe rrjetet sociale, ndjesë për fjalët….. po duket që na kanë bërë (s’le dhe veten jashtë) të jetojmë si në xhungël.

Ndjesë, po shqiptarët kanë disa zakone, për lindjen, martesën dhe vdekjen, të cilat duket që kjo jeta moderne e teknologjike po i harron, për të mos thënë po i përçudnon. …….

Koli, miku ynë, nuk është më …dhe dhimbja rëndon fort mbi ne! Koli, miku ynë, do t’i mungojë Kozetës, nënës së tij të vuajtur e të mençur, babait , vëllait, motrës … që përpos gjithë jetës së vështirë, fati këtë rradhë i goditi kaq fort! Koli, miku ynë do t’i mungojë Kelës, bashkëshortes – zonjë dhe pedagoges së nderuar, do t’i mungojë Glaukut dhe Kleidit, Koli, miku ynë do t’i mungojë demokratëve anë e mbanë vendit, se Koli i tillë ishte, kishte miq, shokë e njerëz që e donin në çdo cep e rrugë të Shqipërisë!

Koli, miku ynë, do i mungojë Partisë Demokratike, Basha e Berisha kanë humbur një bashkëpunëtor, nga më të mirët e 20 viteve, e djathta shqiptare ka humb zërin më të fortë që e përfaqësonte, ne miqtë dhe shokët e tij kemi humbur njeriun që na frymëzonte. Koli, miku ynë do i mungojë dhe Gramoz Ruçit, Edi Ramës dhe Ilir Metës, do i mungojë për mendjen e mprehtë e debatin shpotitës, do i mungojë se dhe politika do lojtarë dhe si çdo lojë ka dy krahë.

Koli, miku ynë, do t’i mungojë dhe të gjithë atyre që me 20 Nëntor duhet t’i kërkonin falje e ndjesë për pabesitë dhe shpirtvogëlsitë, të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë mbijetese dhe se në këtë botë.. shpesh të bukur e shpesh të ngatërruar shpirtrat lindin të shitur! Koli miku ynë do na mungojë shumë në këtë sallë, do na mungojë fjala brilante prej gazetari të sprovuar, politikani par excellence dhe guximtari si ai!

Sokol, miku im sot nga kjo sallë, dua të falenderoj gjithë ata shqiptarë që për 4 legjislatura të besuan e të votuan, shokë, miq e dashamirës nga Durrësi dhe e gjithë Shqipëria, që priten në orë të tëra mes lotëve e shiut për të bërë nderin e fundit, U prefsh në paqe miku ynë! ….

Shumëkush këto ditë ka folur e shkruar që Sokoli e kishte një projekt politik , po gjithëkush që e ka njohur në vite e di që Sokoli e kishte gjithnjë një të tillë. Sokoli hyri në politikë me një mision të qartë, të ishte zëri i të djathtës shqiptare dhe u përpoq fort brenda partisë demokratike për të qenë i tillë.

Sokoli, ka pasur kurajon, si pak nga ne, të pranonte përgjegjësitë individuale dhe kolektive politike, e bëri gjatë fushatës zgjedhore brenda PD në korrik të këtij viti e bëri dhe pak ditë më parë në kuvend duke i treguar gjithë politikës shqiptare që ka ardh koha për një qëndrim ndryshe ndaj votës e votuesve, demokracisë dhe politikës.

Politika ka nevojë të rikonceptohet e për më tepër opozita jonë të rimodelohet. Ky ishte projekti i njeriut që Astrit Patozi e quajti fenomen e që ndoshta unë sot dua ta quaj misionar.

Sokol Olldashi u rrit në kampet e qytezat e të internuarve të regjimit komunist dhe si i tillë ishte dhe mbetet një antikomunist, fanatik i të drejtës të pronës dhe për më tepër misionar i të djathtës së vërtetë shqiptare. Dhe në fund po ju them që Sokoli e kishte projektin e tij, projekti i tij ishte dhe mbetet Partia Demokratike e Shqipërisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit