



Spanja mbetet skuadra për t’u mundur në botërorin e Brazilit, kombëtarja e cila që nga 2008 ka fituar 2 europiane dhe një botëror, citon Supersport.
Iberikët dështuan verën e këtij viti të fitonin minibotërorin, Kupën e Konfederatave, ku u mundën në finale nga Brazili. Megjithatë verën e ardhshme kampionët e botës në fuqi shkojnë në vendin e sambas me një ëndërr, një objektiv:
Mbrojtja e titullit. Kjo konfirmohet nga trajneri i Furia Roja, Vicente del Bosque, i cili shpalos objektivin e skuadrës që është ngritja lart e trofeut.
Trajneri 62-vjeçar ka theksuar me një fjali të vetme në shtypin spanjoll, se ëndrra e kombëtares spanjolle është të fitojë botërorin e Brazilit dhe të mbrojë titullin e 2010.
Spanja shihet si favorite nga të gjithë, duke lënë pas Brazilin dhe Gjermaninë që shihen si rivalët kryesorë të kampionëve në fuqi.
Më pas numri një i Furia Roja u ndal edhe tek situata e mirë që po përjeton futbolli spanjoll në nivel klubesh. Del Bosque theksoi se jo vetëm në këto momente, por prej shumë dekadash, Spanja është përfaqësuar denjësisht jo vetëm nga Barcelona, Real dhe Atletico Madrid, por edhe nga skuadra të tjera si Valencia, Villareal, Athletic Bilbao e të tjera.
Trajneri i Spanjës është i mendimit se rezultatet e arritura edhe nga këto skuadra kanë ndihmuar në hegjemoninë që ka sot futbolli i vendit iberik në arenën ndërkombëtare.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





