

Fier, 25 nëntor 2013, NOA.al- Shqetësimit të banorëve të komunës Zharrëz të Fierit, rreth fenomenit të lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse, i është përgjigjur grupi i punës i ngritur me urdhër të Ministrit Damian Gjiknuri, dhe i drejtuar nga zv.ministri Ilir Bejtja.
Në takimin e zhvilluar, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), shoqërisë Albpetrol sha, Institutit të Gjeoshkencës, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, zyrës CAO të IFC-së, përfaqësues të banorëve dhe të kompanisë Bankers Petroleum, u diskutua për projektin teknik mbi monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës.
Zyra për shtyp e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ka bërë të ditur se grupi i punës ka rënë dakord që me financimin e kompanisë Bankers, të mundësohet blerja dhe më pas vendosja, fillimisht e dy stacioneve sizmike në këtë zonë me qëllim monitorimin e lëkundjeve.
“Përfaqësuesit e Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencës parashtruan specifikimet teknike kryesore mbi rrjetin sizmologjik në zonën e Patos Marinzës ndërsa konstatuan zgjidhjen optimale për një monitorim të integruar instrumental në një kohë sa më të shkurtër”, shkruhet në deklaratën zyrtare të MEI-së.
Sipas kësaj deklarate, të dhënat që do të përftohen nga vendosja e stacioneve sizmike do të përpunohen dhe ndiqen nga ana e Institutit të Gjeoshkencës, Albpetrolit dhe AKBN-së. Procesi pritet që në një periudhë deri në 6 muaj nga vendosja e paisjeve të japë të dhëna konkrete për shkaqet e lëkundjeve të tokës./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





